KREU I - KUJDESTARIA MBI TË MITURIT

  • Neni 263 - Vendosja e kujdestarisë
  • Fëmijët e mitur vendosen në kujdestari dhe gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti kur prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore, për shkak se të dy prindërit kanë vdekur ose nuk njihen, janë shpallur si të pagjetur, u është hequr përgjegjësia prindërore ose u është hequr zotësia për të vepruar, si dhe për çdo shkak tjetër të pranuar nga gjykata.
    Gjykatë kompetente për vendosjen në kujdestari të të miturit është ajo e vendbanimit ose vendqëndrimit të të miturit.

  • Neni 264 - E drejta për paraqitjen e kërkesës
  • Të drejtën për paraqitjen e kërkesës në gjykatë për kujdestar mbi të miturin e kanë:

    a) të afërmit e fëmijës së mitur;

    b) cilido që merr njoftim për mbetjen e fëmijës pa prindër osepër lindjen e një fëmije me prindër të panjohur;

    c) vetë i mituri që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç;

    ç) prokurori;

    d) noteri, i cili në çeljen e një testamenti vihet në dijeni për caktimin e një kujdestari.

  • Neni 265
  • Gjykata vendos si kujdestar personin e caktuar nga prindi, që ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore, me testament ose deklaratë noteriale.
    Kujdestari i caktuar, sipas paragrafit të parë të këtij neni, nuk është i detyruar të pranojë kujdestarinë.
    Në rastet kur kujdestari i caktuar sipas këtij neni nuk plotëson kushtet e kërkuara nga ky Kod, kujdestaria vendoset nga gjykata.

  • Neni 268 - Njoftimi i gjykatës
  • Nëpunësi i gjendjes civile, që merr njoftimin për vdekjen e të dy prindërve ose prindit të vetëm, që ka lënë fëmijë në moshë të mitur, ose të lindjes së një fëmije nga prindër të panjohur, dhe noteri që çel një testament, ku parashikohet caktimi i një kujdestari, duhet të njoftojnë gjykatën për faktin brenda 10 ditëve.
    Njoftimi i gjykatës mund të bëhet edhe nga të afërmit e të miturit ose persona të tjerë të interesuar.
    Gjykata, brenda 30 ditëve nga marrja njoftim ose nga paraqitja e kërkesës, vendos për caktimin e kujdestarit të të miturit.

  • Neni 269 - Kujdestaria mbi disa të mitur
  • Për të miturit që janë vëllezër e motra caktohet një kujdestar i vetëm, përveç rastit kur rrethanat e veçanta kërkojnë domosdoshmërinë e caktimit të më shumë se një kujdestari.

  • Neni 270 - Paaftësia dhe papajtueshmëria për të qenë kujdestar
  • Nuk mund të caktohet kujdestar personi që:

    a) është vetë në kujdestari;

    b) ka konflikt interesash me të miturin;

    c) nuk ka administrimin e lirë të pasurisë së tij;

    ç) është përjashtuar nga kujdestaria për shkak të deklarimit me shkrim të prindit që ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore;

    d) ka humbur ose i është hequr përgjegjësia prindërore, ose është hequr detyra e kujdestarit në një rast tjetër;

    dh) është i dënuar me burgim për një vepër penale dhe është gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, si dhe kur është dënuar për krime ndaj të miturve.

    e) ka mbushur moshën 65 vjeç;

    ë) për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk mund ta ushtrojë me lehtësi kujdestarinë;

    f) ushtron përgjegjësinë prindërore në më shumë se tre fëmijë;

    g) është i ngarkuar me më shumë se dy kujdestari;

    gj) nuk jep pëlqimin për të qenë kujdestar.

  • Neni 271 - Kujdestaria në institucionet e përkujdesjes
  • Kujdestaria mbi të miturin, i cili nuk ka të afërm të njohur ose të aftë për të ushtruar detyrën e kujdestarit, mund t’i jepet nga gjykata një institucioni publik ose privat të licencuar për përkujdesjen e fëmijëve.
    Drejtuesi i institucionit i delegon njërit nga punonjësit e tij të drejtën e ushtrimit të funksioneve të kujdestarit.
    Drejtuesi i institucionit, brenda 10 ditëve nga caktimi i personit që merr funksionet e kujdestarit, i dërgon gjykatës aktin përkatës, i cili depozitohet në dosjen gjyqësore dhe pasqyrohet në regjistrin e kujdestarisë.

  • Neni 272 - Funksionet e kujdestarit
  • Kujdestari kujdeset për të miturin, e përfaqëson atë në të gjitha veprimet juridike dhe administron pasurinë e tij, sipas dispozitave të këtij Kodi.

  • Neni 273 - Detyrat e të miturit
  • I mituri duhet ta respektojë dhe t’i bindet kujdestarit. Ai nuk mund të braktisë banesën ose institucionin ku është lënë pa lejen e kujdestarit.
    Kur largohet pa leje, kujdestari ka të drejtë ta kërkojë të miturin dhe, nëse është e nevojshme, t’i drejtohet gjykatës për kthimin e tij.
    Gjatë gjykimit duhet të dëgjohet dhe i mituri që ka mbushur moshën dhjetë vjeç, në praninë e psikologut.

  • Neni 274 - Rastet e kujdestarisë së posaçme
  • Gjykata vendos caktimin e një kujdestari të posaçëm kur:

    a) ka konflikt interesash midis të miturit dhe prindërve ose midis të miturit dhe kujdestarit të tij, si dhe kur midis tyre duhet të kryhet një veprim juridik;

    b) ka konflikt interesash midis të miturve, vëllezër dhe motra, që kanë të njëjtin kujdestar ose kur duhet të kryhet një veprim juridik midis tyre;

    c) për shkak sëmundjeje ose për shkaqe të tjera, kujdestari i caktuar pengohet të kryejë një veprim të caktuar ose të japë pëlqimin për kryerjen e një veprimi.

  • Neni 277 - Gjykata kompetente
  • Gjykatë kompetente për caktimin e kujdestarit të posaçëm është ajo e vendbanimit ose e vendqëndrimit të të miturit, ose e vendit ku ndodhet pasuria e tij.

  • Neni 278 - Funksionet e kujdestarit të posaçëm
  • Kujdestari i posaçëm përfaqëson të miturin në rastet kur interesi i tij është në konflikt me interesin e kujdestarit.
    Kur kujdestari i posaçëm ndodhet në konflikt interesash me të miturin, gjyqtari emëron një kujdestar tjetër.
    Kujdestari i posaçëm duhet të kërkojë caktimin e një kujdestari të ri në rastin kur kujdestari nuk kryen ose braktis detyrën. Kujdestari i posaçëm kujdeset për të miturin, e përfaqëson atë dhe mund të kryejë të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe administrimin e pasurisë në raste urgjente.

  • Neni 279 - Dhurimi ose disponimi me testament
  • Dhuruesi ose personi që disponon me testament në favor të një të mituri, edhe pse ky i fundit është nën përgjegjësinë e prindërve të tij, mund t’i caktojë atij një kujdestar të posaçëm për pranimin dhe administrimin e pasurisë së dhuruar ose të lënë atij me testament.
    Nëse dhuruesi ose testatori nuk ka vendosur ndryshe, kujdestari i posaçëm duhet të ushtrojë të drejtat dhe detyrat e tij, sipas dispozitave për administrimin të këtij Kodi.

  • Neni 280 - Mbarimi i kujdestarisë së posaçme
  • Kujdestaria e posaçme mbaron kur pushojnë shkaqet për të cilat është vendosur. Mbarimi i kujdestarisë së posaçme bëhet me kërkesën e personave, sipas nenit 275 të këtij Kodi.

  • Neni 281 - Masa urgjente
  • Përpara se kujdestari të marrë përsipër funksionet e tij, i takon gjyqtarit që, qoftë kryesisht, qoftë me kërkesë të prokurorit, të një të afërmi ose të çdo personi të interesuar, të vendosë një kujdestar të përkohshëm ose të marrë masa të tjera urgjente që janë të nevojshme për mbrojtjen e të miturit ose për të ruajtur dhe administruar pasurinë e tij.

  • Neni 286 - Administrimi nga kujdestari
  • Para se të bëhet inventari, administrimi i pasurisë nga kujdestari duhet të kufizohet në çështjet që, nga vetë natyra e tyre, janë të ngutshme.

  • Neni 287
  • Pas inventarit, gjykata, me propozim të kujdestarit, vendos për vazhdimin e veprimtarisë, tjetërsimin ose likuidimin e ndërmarrjes, shoqërisë, shoqërisë tregtare ose bujqësore, që janë pasuri e të miturit, si dhe për mënyrat përkatëse dhe masat paraprake.
    Gjatë gjykimit, gjykata mund të lejojë funksionimin e përkohshëm të ndërmarrjes.

  • Neni 288 - Pasuria e administruar nga kujdestari i posaçëm
  • Kujdestari duhet të përfshijë në inventarin e pasurisë së të miturit edhe pasuritë, administrimi i të cilave i është dhënë një kujdestari të posaçëm.
    Nëse ky ka bërë një inventar të veçantë për këto pasuri, duhet t’i japë kopje kujdestarit, i cili e bashkon me inventarin e përmendur në nenin 284 të këtij Kodi.
    Kujdestari i posaçëm duhet t’i japë kujdestarit kopje të llogarive periodike të administrimit të pasurisë, përveçse kur disponuesi me testament ose dhuruesi e ka përjashtuar këtë.

  • Neni 289 - Deklarimi i debive ose kredive të kujdestarit
  • Kujdestari që ka debi, kredi ose deklarime të tjera kundrejt të miturit, duhet t’i bëjë të ditura para mbylljes së inventarit.
    Kancelari i gjykatës ka detyrimin që ta pyesë lidhur me këto deklarime. Në rast të inventarit të bërë pa pjesëmarrjen e kancelarit të gjykatës, kujdestari pyetet nga gjyqtari lidhur me aktin e depozitimit.
    Në çdo rast, fakti i pyetjes ose deklarimit të kujdestarit duhet përmendur në inventar ose në procesverbalin e depozitimit.

  • Neni 290 - Mungesa e deklarimit
  • Kujdestari humbet çdo të drejtë, në qoftë se, duke qenë në dijeni të kredisë ose të të drejtave të tij, nuk i ka deklaruar edhe pse është pyetur shprehimisht.
    Kujdestari shkarkohet nga detyra kur, duke e ditur që është debitor, nuk ka deklaruar borxhin e tij.

  • Neni 291 - Depozitimi i parave, titujve dhe objekteve
  • Kujdestari duhet të depozitojë paratë, titujt e kredive te prurësi dhe objektet me vlerë që ekzistojnë në pasurinë e të miturit pranë një banke ose instituti tjetër krediti, të përcaktuar nga gjykata, me përjashtim të rastit kur gjykata vendos ndryshe lidhur me ruajtjen e tyre.
    Kujdestari nuk është i detyruar të depozitojë shumat që nevojiten për shpenzimet urgjente lidhur me të miturin.

  • Neni 292
  • Kapitalet e të miturit, me autorizim paraprak të gjykatës, mund të investohen nga kujdestari, në rastet që e shikon të përshtatshme dhe në interes të të miturit.

  • Neni 293 - Autorizimi i gjykatës
  • Kujdestari, pa autorizim të gjykatës, nuk mund:

    a) të blejë pasuri, përveç sendeve të luajtshme të nevojshme për përdorim nga i mituri, për ekonominë shtëpiake dhe për administrimin e pasurisë;

    b) të marrë kapitale, të lejojë heqjen e hipotekave ose zgjidhjen e pengut, të marrë përsipër detyrime, me përjashtim të rastit kur këto lidhen me shpenzimet e nevojshme për mbajtjen e të miturit dhe për administrimin e zakonshëm të pasurisë të tij;

    c) të pranojë trashëgimi ose të heqë dorë prej saj, të pranojë dhurime ose leg, që janë me barrë ose me kusht;

    ç) të lidhë kontrata qiraje të pasurive të paluajtshme për një afat mbi 9 vjet ose që në çdo rast zgjasin më shumë se 1 vit pasi i mituri ka mbushur moshën madhore;

    d) të ngrejë padi, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për kallëzim të një punimi të ri ose të dëmit të mundshëm, të padive të posedimit, ose për nxjerrjen nga shtëpia të qiramarrësit, dhe të padive për kërkimin e fryteve ose për marrjen e masave konservative;

    dh) të tjetërsojë pasurinë e të miturit, përveç fryteve dhe të mirave të luajtshme që dëmtohen lehtësisht;

    e) të krijojë pengje ose hipoteka;

    ë) të fillojë procedurën e pjesëtimit të pasurisë ose të ngrejë padinë përkatëse;

    f) të bëjë premtime dhe transaksione ose të pranojë marrëveshje.

  • Neni 294 - Shitja e pasurisë
  • Në autorizimin për shitjen e pasurisë, gjykata vendos nëse shitja duhet bërë me ose pa ankand, duke përcaktuar në çdo rast çmimin minimal.
    Kur në autorizim nuk është përcaktuar mënyra e shpërndarjes ose riinvestimit të të ardhurave të realizuara nga shitja, këtë e vendos gjykata në një autorizim të mëvonshëm.

  • Neni 295 - Veprimet e kryera në kundërshtim me nenet paraardhëse
  • Çdo veprim që kujdestari kryen në kundërshtim me ligjin është i pavlefshëm.
    Kujdestari, i mituri, trashëgimtarët e tij ose personat që kanë interes, mund të kërkojnë pavlefshmërinë e veprimeve të kryera në kundërshtim me Kreun I të Titullit V “Kujdestaria” të këtij Kodi.

  • Neni 296 - Ndalimet për kujdestarin dhe kujdestarin e posaçëm
  • Kujdestari dhe kujdestari i posaçëm as me ankand nuk mund të bëhen blerës, drejtpërdrejt ose nëpërmjet personave të tjerë, të pasurisë dhe të të drejtave të të miturit. Ata nuk mund të marrin me qira pasuritë e të miturit pa autorizimin dhe masat mbrojtëse të vendosura nga gjykata.
    Personat e përcaktuar në nenin 295 të këtij Kodi mund të kërkojnë pavlefshmërinë e veprimeve të kryera në kundërshtim me ndalimet e përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, me përjashtim të kujdestarit dhe kujdestarit të posaçëm që i kanë kryer ato.

  • Neni 297 - Shpërblimi i kujdestarit
  • Detyra e kujdestarit është pa pagesë.
    Gjykata, duke pasur parasysh madhësinë e pasurisë dhe vështirësitë e administrimit ose shërbimit për të miturin, mund t’i caktojë kujdestarit një kompensim të arsyeshëm nga pasuria e të miturit.
    Nëse e kërkojnë rrethanat e veçanta, gjykata, pasi ka dëgjuar kujdestarin e posaçëm, mund të autorizojë kujdestarin që të caktojë si zëvendës të tij në administrim, nën përgjegjësinë e tij vetjake, një ose më shumë persona me pagesë.

  • Neni 298 - Mbajtja e kontabilitetit
  • Kujdestari duhet të mbajë kontabilitetin e rregullt të administrimit të pasurisë dhe t’i japë llogari një herë në vit gjyqtarit.
    Gjyqtari mund t’ia nënshtrojë kontabilitetin e administrimit të pasurisë shqyrtimit vjetor nga ana e kujdestarit të posaçëm ndonjë të afërmi ose një personi në lidhje krushqie me të miturin.

  • Neni 299 - Përgjegjësia e kujdestarit dhe kujdestarit të posaçëm
  • Kujdestari duhet ta administrojë pasurinë e të miturit me kujdesin e një prindi të mirë.
    Kujdestari detyrohet të shpërblejë të miturin për të gjitha dëmet që i ka shkaktuar këtij në kryerjen e parregullt të detyrës, ose për shkak të lënies pa arsye të detyrës së kujdestarit.
    Të njëjtën përgjegjësi ka edhe kujdestari i posaçëm, për aq sa lidhen me detyrat e tij.

  • Neni 300 - Zëvendësimi i kujdestarit
  • Gjykata e heq kujdestarin dhe e zëvendëson atë me një tjetër kur vëren se ai shpërdoron të drejtat e tij, tregohet i pakujdesshëm në kryerjen e detyrës ose, në mënyra të tjera, vë në rrezik interesat e të miturit, si dhe kur vetë kujdestari kërkon largimin e tij për shkaqe të arsyeshme. Kërkesa për zëvendësimin e kujdestarit mund të bëhet nga personat e interesuar ose prokurori.
    Në këto raste gjykata dëgjon më parë pretendimet e kujdestarit.

  • Neni 301 - Dorëzimi i pasurisë
  • Me mbarimin e kujdestarisë ose zëvendësimin e saj, kujdestari duhet të bëjë menjëherë dorëzimin e pasurisë së të miturit, sipas rastit, të miturit që është bërë madhor, trashëgimtarëve të tij ose kujdestarit të ri.
    Brenda 2 muajve nga çasti i mbarimit ose zëvendësimit, kujdestari i paraqet gjykatës llogarinë përfundimtare të administrimit të pasurisë.
    Gjykata, kur ka shkaqe të arsyeshme, vendos shtyrjen e dorëzimit të llogarisë tej këtij afati.

  • Neni 302 - Miratimi i llogarisë
  • Gjykata thërret kujdestarin e posaçëm, të miturin që ka mbushur moshën madhore, nëse është rasti kujdestarin e ri dhe, në rast të vdekjes së të miturit, trashëgimtarët e tij, për të shqyrtuar llogarinë dhe për të bërë vërejtjet përkatëse.
    Nëse nuk ka vërejtje dhe parregullsi ose mangësi në llogari, gjykata e miraton atë.
    Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim nga kujdestari ose nga personat e tjerë të parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni.

  • Neni 303 - Parashkrimi i padive për kujdestarinë
  • Paditë e të miturit kundër kujdestarit dhe ato të kujdestarit kundër të miturit, për kujdestarinë, parashkruhen brenda 5 vjetëve, pasi i mituri ka mbushur moshën madhore ose ka vdekur.
    Nëse kujdestari ka paraqitur llogarinë përpara se i mituri të mbushë moshën madhore ose përpara vdekjes, afati fillon nga data kur gjyqtari ka marrë vendim mbi llogarinë.
    Dispozitat e këtij neni nuk zbatohen për padinë e pagimit të diferencës që rezulton nga llogaria përfundimtare.

  • Neni 304 - Ndalimi i marrëveshjes para miratimit të llogarisë
  • Midis kujdestarit dhe të miturit që ka arritur moshën madhore nuk mund të bëhet asnjë marrëveshje përpara miratimit të llogarisë së paraqitur nga kujdestari.
    I mituri që ka arritur moshën madhore, trashëgimtarët e tij ose ata që kanë një interes të ligjshëm mund t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar pavlefshmërinë e marrëveshjes së bërë, sipas paragrafit të parë të këtij neni.

  • Neni 305 - Regjistri i kujdestarisë
  • Në regjistrin e kujdestarisë, që ndodhet pranë gjykatës, nën përkujdesjen e kancelarit të gjykatës, regjistrohen vendosja dhe mbarimi i kujdestarisë, përjashtimi ose shkarkimi nga detyra i kujdestarit ose kujdestarit të posaçëm, rezultatet e inventarëve dhe të llogarive, raportet vjetore të përcaktuara në nenin 302 të këtij Kodi dhe të gjitha masat që sjellin ndryshime në statusin vetjak ose pasuror të të miturit.
    Për vendosjen dhe mbarimin e kujdestarisë, kancelari i gjykatës njofton brenda 10 ditëve nëpunësin e gjendjes civile për të bërë shënimin në aktin e lindjes së të miturit.

  • Neni 306 - Mbarimi i kujdestarisë
  • Kujdestaria mbaron kur fëmija:

    a) bëhet madhor;

    b) vdes;

    c) fiton zotësinë për të vepruar me martesë.