Neni 293 - Autorizimi i gjykatës

Kujdestari, pa autorizim të gjykatës, nuk mund:

a) të blejë pasuri, përveç sendeve të luajtshme të nevojshme për përdorim nga i mituri, për ekonominë shtëpiake dhe për administrimin e pasurisë;

b) të marrë kapitale, të lejojë heqjen e hipotekave ose zgjidhjen e pengut, të marrë përsipër detyrime, me përjashtim të rastit kur këto lidhen me shpenzimet e nevojshme për mbajtjen e të miturit dhe për administrimin e zakonshëm të pasurisë të tij;

c) të pranojë trashëgimi ose të heqë dorë prej saj, të pranojë dhurime ose leg, që janë me barrë ose me kusht;

ç) të lidhë kontrata qiraje të pasurive të paluajtshme për një afat mbi 9 vjet ose që në çdo rast zgjasin më shumë se 1 vit pasi i mituri ka mbushur moshën madhore;

d) të ngrejë padi, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për kallëzim të një punimi të ri ose të dëmit të mundshëm, të padive të posedimit, ose për nxjerrjen nga shtëpia të qiramarrësit, dhe të padive për kërkimin e fryteve ose për marrjen e masave konservative;

dh) të tjetërsojë pasurinë e të miturit, përveç fryteve dhe të mirave të luajtshme që dëmtohen lehtësisht;

e) të krijojë pengje ose hipoteka;

ë) të fillojë procedurën e pjesëtimit të pasurisë ose të ngrejë padinë përkatëse;

f) të bëjë premtime dhe transaksione ose të pranojë marrëveshje.