Neni 1 - Fusha e zbatimit

Dispozitat e këtij Kodi zbatohen nga të gjitha organet e administratës publike gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre nëpërmjet akteve individuale.
Parimet e sanksionuara në këtë Kod zbatohen edhe mbi aktet normative për aqsa një gjë e tillë është e mundur.
Parimet e përgjithshme të veprimtarisë administrative të sanksionuara në këtë Kod janë të detyrueshme për të gjitha aktet administrative, qofshin këto edhe të ndërmarra në kuadrin e së drejtës private.
Parimet e përgjithshme të këtij Kodi, me ligj, mund të bëhen të detyrueshme për zbatim edhe për veprimtarinë e subjekteve private kur këto veprimtari kanë efekte për interesat publike.
Ky Kod zbatohet për personat fizikë dhe juridikë, të cilëve u është dhënë e drejta e ushtrimit të detyrave dhe kompetencave publike me ligj, akt nënligjor ose kontratë.
Dispozitat e këtij Kodi nuk zbatohen mbi veprime të administratës publike, që rregullohen nga e drejta private.