strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - PARIME TË PËRGJITHSHME

  • Neni 9 - Parimi i ligjshmërisë
  • 1. Organet e Administratës Publike e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, marrëveshjet ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë aderon, ligjet e Republikës së Shqipërisë, brenda kufijve të kompetencave që u janë dhënë atyre dhe konform qëllimit për të cilat janë dhënë këto kompetenca.

    2. Aktet administrative të nxjerra në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në kundërshtim me dispozitat e këtij Kodi janë të vlefshme, në qoftë se rezultati i kërkuar në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të arrihet me mjete të tjera.
    Palët e dëmtuara nga aktet e lartpërmendura kanë të drejtë të kompensohen për humbjet eventuale në bazë të dispozitave ligjore, që rregullojnë përgjegjësinë e administratës publike.

  • Neni 10 - Parimi i mbrojtjes së interesit publik dhe të të drejtave të personave privatë
  • Administrata publike, në ushtrimin e funksioneve të saj, mbron në çdo rast interesin publik, si dhe të drejtat dhe interesat kushtetuese e ligjore të personave privatë.

  • Neni 11 - Parimi i barazisë dhe proporcionalitetit
  • 1. Në marrëdhëniet me personat privatë, administrata publike udhëhiqet nga parimi i barazisë në kuptimin që askush nuk duhet të privilegjohet apo diskriminohet për shkak të gjinisë, racës, fesë, etnisë, gjuhës, bindjeve politike, fetare a filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësisë prindërore.

    2. Veprimet e administratës publike, të cilat për arsye të mbrojtjes së interesit publik ose të të drejtave të të tjerëve, kufizojnë të drejtat themelore të individit të njohura nga Kushtetuta, marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet dhe aktet nënligjore, duhet gjithsesi të respektojnë parimin e proporcionalitetit dhe të mos cenojnë thelbin e lirive dhe të drejtave. Kjo do të thotë që veprimet e administratës publike duhet të jenë të tilla që:
    -të kërkojnë realizimin e interesave të ligjshme publike;
    -të përdorin gjithnjë mjete të përshtatshme dhe në proporcion me qellimet që synohen të arrihen.
    Në çdo rast, organet e administratës publike detyrohen të vlerësojnë nëse është e mundur që qëllimi i kërkuar të realizohet me masa sa më pak represive, pa kompromentuar efektivitetin e tyre.

  • Neni 12 - Parimi i drejtësisë dhe i paanësisë
  • Administrata Publike, në ushtrim të funksioneve të saj, trajton në mënyrë të ndershme dhe të paanshme të gjitha subjektet me të cilat hyn në marrëdhënie.

  • Neni 13 - Parimi i bashkëpunimit të administratës me personat privatë
  • 1. Organet e administratës publike e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në bashkëpunim të ngushtë me personat privatë duke:
    a) u siguruar personave privatë informacionin dhe sqarimet e nevojshme;
    b) mbështetur dhe stimuluar nismat e personave privatë, si dhe duke mirëpritur sugjerimet dhe informacionet e tyre.

    2. Administrata publike mban përgjegjësi për informacionin me shkrim që u jep personave privatë.
    Organet e administratës publike sigurojnë pjesëmarrjen e personave privatë dhe/ose shoqatave në marrjen e vendimeve kur interesat e grupeve, të cilat ata përfaqësojnë preken nga këto vendime.
    Sipas dispozitave të këtij Kodi, organet e administratës publike duhet t’u japin mundësi këtyre subjekteve për t’u shprehur.

  • Neni 14 - Parimi i përgjegjshmërisë
  • Organet e administratës publike dhe punonjësit e tyre mbajnë përgjegjësi për dëmet që iu shkaktojnë personave privatë nëpërmjet:
    -marrjes së vendimeve të paligjshme;
    -refuzimit të paligjshëm për të marrë vendime;
    -dhënies së informacioneve shkresore të pasakta për personat privatë, si për çdo shkak apo rast tjetër të parashikuar me ligj.

  • Neni 15 - Parimi i marrjes së vendimeve
  • 1. Organet administrative sipas dispozitave të këtij Kodi marrin vendime për të gjitha çështjet brenda juridiksionit të tyre të ngritura nga personat privatë në lidhje me:
    a) çështjet që u përkasin drejtpërsëdrejti personave privatë;
    b) çdo peticion, kërkesë apo ankim për shkelje të Kushtetutës, të ligjit ose në mbrojtje të interesave publike.

    2. Organi administrativ kompetent nuk është i detyruar të marrë në shqyrtim një çështje, në qoftë se gjatë 2 viteve të shkuara ai ka nxjerrë një vendim në lidhje me të njëjtën çështje, të ngritur nga i njëjti subjekt dhe mbi të njëjtat fakte. Në këtë rast llogaritja e afatit 2vjeçar fillon nga data e depozitimit të kërkesës përkatëse.

  • Neni 16 - Parimi i efiçiencës dhe i deburokratizimit
  • 1. Administrata publike dhe procesi vendimor duhet të strukturohen në mënyrë të tillë që t’i sigurojnë personave privatë akses sa më të madh në vendimmarrje.

    2. Administrata publike dhe punonjësit e saj detyrohen që në çdo rast t’i shërbejnë publikut në mënyrën më të efektshme të mundshme.

  • Neni 17 - Parimi i mospagimit të shërbimit
  • 1. Shërbimet e administratës publike janë pa pagesë përveç rasteve në të cilat ligji parashikon pagesën për shërbimin e ofruar nga administrata.

    2. Administrata nuk kërkon pagesën e tarifave edhe në rastet kur kjo kërkohet me ligj, kur provohet pamundësia e kërkuesit për të paguar. Rastet e pamundësisë përcaktohen me akte nënligjore.

  • Neni 18 - Parimi i kontrollit të brendshëm dhe atij gjyqësor
  • Në mënyrë që të mbrohen të drejtat kushtetuese dhe ligjore të personave privatë, veprimtaria administrative i nënshtrohet:

    a) kontrollit të brendshëm administrativ në përputhje me dispozitat e këtij Kodi mbi ankimin administrativ; dhe

    b) kontrollit nga gjykatat në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.

  • Neni 19 - Parimi i mbrojtjes së sekretit shtetëror dhe konfidencialitetit
  • Çdo person që kryen detyra në një organ administrativ ose është pjesëmarrës apo i thirrur për të marrë pjesë në një procedurë administrative është i detyruar të mos përhapë të dhënat e dala gjatë procedurës administrative, kur ato përbëjnë sekret shtetëror ose kanë karakter personal.
    Pjesëmarrësit në një procedurë administrative kanë të drejtë të kërkojnë që të dhënat me karakter personal të mos deklarohen prej tyre ose të mos përhapen nga organet administrative pa pëlqimin e tyre.

  • Neni 20 - E drejta për t’u informuar
  • Të gjithë pjesëmarrësit në një procedurë administrative kanë të drejtë të marrin informacion dhe të njihen me dokumentet e përdorura në këtë procedurë, përveç rasteve kur me ligj janë vendosur kufizime.
    E drejta e përmendur në paragrafin 1 të këtij neni mund të ushtrohet personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi të autorizuar.
    Organi administrativ, që zhvillon procedurën administrative, është i detyruar t’u japë informacion pjesëmarrësve në procedurë edhe në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tyre.