Neni 11 - Parimi i barazisë dhe proporcionalitetit

1. Në marrëdhëniet me personat privatë, administrata publike udhëhiqet nga parimi i barazisë në kuptimin që askush nuk duhet të privilegjohet apo diskriminohet për shkak të gjinisë, racës, fesë, etnisë, gjuhës, bindjeve politike, fetare a filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësisë prindërore.

2. Veprimet e administratës publike, të cilat për arsye të mbrojtjes së interesit publik ose të të drejtave të të tjerëve, kufizojnë të drejtat themelore të individit të njohura nga Kushtetuta, marrëveshjet ndërkombëtare, ligjet dhe aktet nënligjore, duhet gjithsesi të respektojnë parimin e proporcionalitetit dhe të mos cenojnë thelbin e lirive dhe të drejtave. Kjo do të thotë që veprimet e administratës publike duhet të jenë të tilla që:
-të kërkojnë realizimin e interesave të ligjshme publike;
-të përdorin gjithnjë mjete të përshtatshme dhe në proporcion me qellimet që synohen të arrihen.
Në çdo rast, organet e administratës publike detyrohen të vlerësojnë nëse është e mundur që qëllimi i kërkuar të realizohet me masa sa më pak represive, pa kompromentuar efektivitetin e tyre.