KREU I - RREGULLA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 21 - Mosheqja dorë nga çështjet dhe ndalimi i transferimit të tyre
  • 1. Kompetencat e organeve të administratës publike janë të përcaktuara me ligj ose me akt nënligjor dhe ushtrimi i tyre është i detyrueshëm, përveç rasteve kur normat ligjore parashikojnë delegimin ose zëvendësimin e kompetencave.

    2. Të gjitha ato akte ose kontrata, që kanë si objekt heqjen dorë nga e drejta për të ushtruar kompetencat që u janë ngarkuar organeve administrative, janë të pavlefshme, me përjashtim të rasteve kur ka delegim të kompetencave dhe situata të ngjashme me të.

  • Neni 22 - Juridiksioni
  • 1. Juridiksioni vendoset në momentin kur fillon procedimi administrativ dhe çdo ndryshim faktik që mund të ndodhë më vonë është i parëndësishëm.

    2. Të gjitha ndryshimet ligjore do të jenë gjithashtu të paefektshme, përveç rasteve kur organi në të cilin procedimi është në vazhdim nuk ekziston më, nuk ka më juridiksion ose ka fituar juridiksionin që nuk e kishte në fillim të procedimit.

    3. Kur juridiksioni territorial i një organi i transferohet një organi tjetër, procedimi duhet t’i kalojë automatikisht këtij të fundit në bazë të një urdhri zyrtar.

  • Neni 23 - Çështje paraprake që vendosen nga organe të tjera
  • 1. Në qoftë se vendimi përfundimtar në një procedim administrativ varet nga marrja e një vendimi paraprak i cili është në kompetencën e një organi tjetër administrativ apo të gjykatës, organi që ka kompetencë për marrjen e vendimit përfundimtar e pezullon procedimin përkatës, deri kur organi tjetër administrativ ose gjykata e kanë marrë vendimin paraprak. Përjashtimi nga ky rregull lejohet vetem në rastet kur mosmarrja e menjëhershme e vendimit i shkakton dëm të pariparueshëm të drejtave themelore kushtetuese të palëve.

    2. Pezullimi përfundon vetiu në rastet e mëposhtme:
    a) kur vendimi tjetër varet nga ankimi i palëve të interesuara dhe këto të fundit nuk e bëjnë këtë brenda afatit ligjor ose kur procedimi administrativ për zgjidhjen e çështjes paraprake nuk është zhvilluar brenda 30 ditëve për faj të palës së interesuar;
    b) kur si rezultat i ndërhyrjes së faktorëve të tjerë mosmarrja e vendimit shkakton dëme të konsiderueshme dhe/ose të pandreqshme.

    3. Në rastet kur organi që ka kompetencë për marrjen e vendimit përfundimtar nuk pret marrjen e vendimit paraprak nga organi tjetër ose gjykata, por e merr këtë vendim paraprak vetë, ky i fundit ka efekt vetëm për procedimin administrativ në vijim.

  • Neni 24 - Konflikti mbi juridiksionin territorial
  • Në rast paqartësie ose dyshimi, përsa i përket juridiksionit territorial, organi që do të zgjidhe konfliktin i njeh juridiksionin atij organi, vendndodhja e të cilit sipas organit që gjykon çështjen, ka mundësitë më të mëdha për një zgjidhje të drejtë të çështjes.

  • Neni 25 - Verifikimi i juridiksionit
  • 1. Përpara se të marrë çdo vendim, organi administrativ duhet të verifikojë nëse ka juridiksion që të vendosë mbi këtë çështje.

    2. Çështja e mungesës së juridiksionit mund të ngrihet si nga organi administrativ me nismën e tij, ashtu edhe nga palët e interesuara mbi këtë çështje.

  • Neni 26 - Paraqitja e një kërkese organit që nuk ka juridiksion
  • 1. Kur, si rezultat i një gabimi të pranueshëm dhe brenda një afati të përcaktuar, një person bën ankesë, kërkesë e peticion pranë një organi që nuk ka juridiksion, çështja do të ndjekë procedurën e mëposhtme:

    a) Në qoftë se organi kompetent i përket të njëjtës ministri ose të njëjtit institucion, ankesa, kërkesa e peticioni do t’i dërgohet atij me një shkresë zyrtare, duke njoftuar njëkohësisht edhe personin që ka bërë ankesën, kërkesën e peticionin.

    b) Në qoftë se organi kompetent i përket një ministrie ose një institucioni tjetër, ankesa, kërkesa e peticioni do t’i kthehet mbrapsht kërkuesit brenda 48 orëve të shoqëruara me informacionin se kujt organi specifik të administratës ky person duhet t’i drejtohet.

    2. Në rastin e parashikuar nga paragrafi 1 shkronja b) e këtij neni caktohet një afat i ri për zhvillimin e procedimit, i njëjtë me atë të parin, i cili fillon të llogaritet që nga momenti i njoftimit tek organi kompetent.

    3. Vendimi i organit administrativ, nëpërmjet të cilit deklarohet mungesa e juridiksionit të tij, i nënshtrohet rishikimit ose apelimit administrativ, sipas rregullave të vendosura në këtë Kod.