Neni 23 - Çështje paraprake që vendosen nga organe të tjera

1. Në qoftë se vendimi përfundimtar në një procedim administrativ varet nga marrja e një vendimi paraprak i cili është në kompetencën e një organi tjetër administrativ apo të gjykatës, organi që ka kompetencë për marrjen e vendimit përfundimtar e pezullon procedimin përkatës, deri kur organi tjetër administrativ ose gjykata e kanë marrë vendimin paraprak. Përjashtimi nga ky rregull lejohet vetem në rastet kur mosmarrja e menjëhershme e vendimit i shkakton dëm të pariparueshëm të drejtave themelore kushtetuese të palëve.

2. Pezullimi përfundon vetiu në rastet e mëposhtme:
a) kur vendimi tjetër varet nga ankimi i palëve të interesuara dhe këto të fundit nuk e bëjnë këtë brenda afatit ligjor ose kur procedimi administrativ për zgjidhjen e çështjes paraprake nuk është zhvilluar brenda 30 ditëve për faj të palës së interesuar;
b) kur si rezultat i ndërhyrjes së faktorëve të tjerë mosmarrja e vendimit shkakton dëme të konsiderueshme dhe/ose të pandreqshme.

3. Në rastet kur organi që ka kompetencë për marrjen e vendimit përfundimtar nuk pret marrjen e vendimit paraprak nga organi tjetër ose gjykata, por e merr këtë vendim paraprak vetë, ky i fundit ka efekt vetëm për procedimin administrativ në vijim.