KREU I - PARIME TË PËRGJITHSHME TË PROCEDIMIT ADMINISTRATIV

  • Neni 46 - Fillimi i procedimit
  • Procedimi administrativ mund të fillojë me nismën e administratës ose me kërkesën e palëve të interesuara.

  • Neni 47 - Komunikimi me palët e interesuara
  • 1. Fillimi i procedimit me nismën e administratës duhet t’i bëhet i ditur atyre personave të drejtat dhe interesat e ligjshme të të cilëve mund të preken si rezultat i veprimeve të ndërmarra gjatë procedimit, kur këta persona mund të identifikohen.

    2. Administrata nuk është e detyruar të komunikojë me palët e interesuara në rastet kur çështja është sekrete ose konfidenciale, sipas klasifikimeve të bëra me ligj ose kur komunikimi mund të kompromentojë efektivitetin e procedimit.

    3. Në njoftimin e drejtuar palëve të interesuara duhet të tregohet se cili organ administrativ e ka filluar procedimin, data e fillimit të procedimit, si dhe qëllimi i procedimit.

  • Neni 48 - Procedimi i filluar me nismën e publikut
  • Edhe në rastet kur nisma për fillimin e procedimit administrativ vjen nga publiku, administrata duhet të ndërmarrë hapat që ajo i gjykon të nevojshme për përgatitjen e çështjes, qoftë edhe për probleme që nuk përfshihen në kërkesën e paraqitur, kur mendon se një gjë e tillë është në interesin e publikut të gjerë.

  • Neni 49 - Kufij të përgjithshëm kohorë për përfundimin e procedimit
  • 1. Procedimi administrativ përfundon brenda një periudhe kohore prej 3-muajsh, me përjashtim të rastit kur parashikohet ndryshe në ligje të veçanta ose kur imponohet nga situata të veçanta. Në rastin e situatave të veçanta, procedimi administrativ përfundon 3 muaj pas ndërprerjes së situatës së veçantë.

    2. Mosrespektimi i kufijve kohorë të dhënë nga paragrafi 1 i këtij neni justifikohet nga organi administrativ përgjegjës, tek organi që vjen menjëherë sipër tij në hierarki, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 3-mujor ose i ndërprerjes së situatës së veçantë.

  • Neni 50 - Kërkimi i mendimit të palëve të interesuara
  • Në çdo fazë të procedimit, organi administrativ mund të kërkojë mendimet e palëve të interesuara, të cilat duhet të depozitohen brenda një afati kohor të përcaktuar nga administrata në këtë rast.
    Mendimet mund të kërkohen në lidhje me çdo çështje.
    Palët e interesuara kanë për detyrë që të bashkëpunojnë në mënyrë të plotë me administratën për sqarimin e fakteve.