strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI II - AFATET KOHORE PËR ZBATIMIN E AKTEVE ADMINISTRATIVE

  • Neni 61 - Afati i përgjithshëm
  • 1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenet 112 dhe 113 të këtij ligji, si dhe rasteve të tjera të veçanta, afati kohor për zbatimin e akteve nga administrata është 15 ditë.

    2. Afati brenda të cilit palët e interesuara zbatojnë aktin, kërkojnë marrjen e masave procedurale për zbatimin e tij, iu përgjigjën çështjeve në lidhje më të cilat palët mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ushtrojnë ndonjë të drejtë tjetër gjatë zhvillimit të procedimit, është 15 ditë.

  • Neni 62 - Llogaritja e afateve kohore
  • Në llogaritjen e afateve kohore zbatohen rregullat e mëposhtme:

    a) në llogaritjen e afateve nuk përfshihet dita në të cilën del akti;

    b) llogaritja e afatit kohor pezullohet të shtunave, të dielave dhe ditëve të festave zyrtare;

    c) në rastet kur përfundimi i afatit qëllon në një ditë kur administrata që do të zbatojë aktin është e mbyllur ose funksionon me orare të reduktuara, zbatimi i aktit shtyhet për ditën pasardhëse të punës.

  • Neni 63 - Zgjatja e afateve kohore
  • Në qoftë se palët që preken nga zbatimi i aktit banojnë ose gjenden përkohësisht jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë apo në zona të largëta të Republikës, afatet kohore të parashikuara nga ligji fillojnë të llogariten vetëm pas kalimit të:

    a) 5 ditëve, kur palët e interesuara janë të vendosura në zona larg vendndodhjes së organit administrativ;

    b) 15 ditëve, kur palët e interesuara janë të vendosura në një shtet të Europës;

    c) 30 ditëve, kur palët e interesuara janë të vendosura në një shtet jashtë Europës.

  • Neni 64 - Rivendosja në afat
  • Kur një palë në procedurën administrative, jo për fajin e tij, është penguar të respektojë një afat të caktuar nga ky Kod ose nga dispozita të tjera ligjore, ka të drejtë të kërkojë të rivendoset në afatin e humbur, përveç rasteve kur ligji e përjashton këtë të drejtë.
    Kërkesa për rivendosjen në afat duhet të bëhet brenda 15 ditëve nga dita kur janë zhdukur pengesat, por jo më shumë se 1 nga dita e fundit e afatit të humbur, përveç rasteve të një force madhore.
    Kërkesa e palës së interesuar për rivendosjen në afat duhet të jetë e argumentuar dhe të krijojë besim se afati është humbur jo për fajin e palës.

  • Neni 65 - Shqyrtimi i kërkesës për rivendosjen në afat
  • 1. Kërkesa për rivendosjen në afat shqyrtohet nga organi që zhvillon procedurën administrative.

    2. Kundër vendimit që refuzon kërkesën e përmendur në paragrafin 1 të këtij neni mund të bëhet ankim sipas rregullave të parashikuara nga ky Kod.