Neni 77 - Mospranimi i heshtur i peticionit

1. Pavarësisht nga përmbajtja e nenit 76, mosnxjerrja e një vendimi përfundimtar brenda afatit ligjor, në lidhje me një pretendim të ngritur para organit administrativ kompetent, iu jep palëve të interesuara të drejtën të mendojnë dhe të veprojnë sikur peticioni i tyre nuk është pranuar.

2. Afati i përmendur në paragrafin 1 të këtij neni është 90 ditë me përjashtim të rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe.

3. Me përjashtim të rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe, afati kohor i përmendur në paragrafin 2 të këtij neni llogaritet si më poshtë:

a) që nga data kur kërkesa është regjistruar si e marrë (e hyrë) në departamentin kompetent, në qoftë se ligji nuk kërkon kryerjen e formaliteteve të veçanta në periudhën përgatitore përpara marrjes së vendimit;

b) që nga fundi i afatit të përcaktuar me ligj për përfundimin e këtyre formaliteteve, ose kur një afat i tillë nuk ekziston, nga fundi i periudhës 3-mujore nga paraqitja e peticionit;

c) nga dita kur është marrë lajmi për përfundimin e formaliteteve në fjalë.