SEKSIONI I - VLEFSHMËRIA E AKTEVE ADMINISTRATIVE

  • Neni 105 - Përcaktimi i aktit administrativ individual
  • Për qëllimet e këtij ligji, do të konsiderohen akte administrative të gjitha vendimet e organeve të administratës publike, të cilat krijojnë pasoja juridike në raste individuale.

  • Neni 106 - Forma e akteve administrative
  • 1. Aktet administrative kanë formë shkresore, me përjashtim të rasteve kur me ligj kërkohet një formë tjetër ose kur një gjë të tillë e imponojnë rrethanat.

    2. Aktet e organeve kolegjiale bëhen detyrimisht në formë shkresore vetëm në rastet kur një gjë të tillë e kërkon shprehimisht ligji. Në rastet e tjera këto akte regjistrohen në një procesverbal pa të cilin ato nuk shkaktojnë asnjë pasojë juridike.

  • Neni 107 - Qëllimi i aktit
  • 1. Aktet administrative, në çdo rast, tregojnë qëllimin e tyre.

    2. Pavarësisht nga çdo informacion tjetër që mund të jepet nga organi administrativ rast pas rasti, secili akt administrativ duhet patjetër të përmbajë sa më poshtë:
    a) autoritetin që e nxjerr aktin, si dhe çdo delegim të pushteteve që lidhet me nxjerrjen e aktit;
    b) identifikimin e palëve, të cilave iu drejtohet akti;
    c) shpjegimin e fakteve, që janë bërë shkas për nxjerrjen e aktit, kur këto janë të rëndësishme;
    ç) bazën ligjore të aktit kur kërkohet nga ligji;
    d) shpjegimin e kuptimit të aktit;
    dh) datën e hyrjes në fuqi të aktit;
    e) nënshkrimin e punonjësit të organit që nxjerr aktin ose të drejtuesit të organit kolegjial.

  • Neni 108 - Arsyetimi i aktit
  • 1. Përveç rasteve kur ligji vetë parashikon dhënien e arsyeve, duhet të jepen domosdoshmërisht arsyet për të gjitha ato akte të cilat pjesërisht ose tërësisht:
    a) mohojnë, shuajnë, kufizojnë apo prekin në ndonjë mënyrë tjetër të drejta dhe interesa të ligjshëm ose vendosin apo rëndojnë detyrime apo ndëshkime;
    b) përbëjnë vendim në lidhje me kërkesat për shqyrtim apo apelimet;
    c) përbëjnë një vendim të kundërt me pretendimet e palëve të interesuara ose në kundërshtim me një informacion apo propozim zyrtar;
    ç) përbëjnë devijim nga praktika e ndjekur për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme;
    d) shkaktojnë revokimin, shfuqizimin, modifikimin ose pezullimin e një akti të mëparshëm.

    2. Me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe, aktet që ratifikojnë vendimet e marra nga bordet, juritë apo komisionet e ngritura nga administrata, si dhe urdhrat e eprorëve, që kanë të bëjnë me çështje të brendshme, nuk kanë nevojë të arsyetohen.

  • Neni 109 - Mënyrat e arsyetimit
  • 1. Arsyetimi duhet të jetë i qartë dhe të përfshijë shpjegimin e bazës ligjore dhe faktike të aktit. Kur arsyetimi është bërë në informacionet apo propozimet e mëparshme, mund të mjaftojë si arsyetim pranimi i tyre nga ana e organit përgjegjës për marrjen e vendimit përfundimtar. Në këto raste informacionet dhe propozimet e mëparshme janë pjesë përbërëse e aktit.

    2. Përdorimi për arsyetim i të dhënave të paqarta, kontradiktore ose të pasakta është i barazvlefshëm me mungesën e arsyetimit.

    3. Në rastet e çështjeve analoge mund të përdoren arsyetimet e bëra në çështjet e mëparshme, me kusht që të mos rëndohet pozita e palëve të interesuara.

  • Neni 110 - Arsyetimi në aktet verbale
  • 1. Kur akti verbal pritet të apelohet, arsyetimi i tij bëhet me shkrim dhe iu komunikohet palëve të interesuara brenda 10 ditëve.
    Komunikimi bëhet me postë rekomande ose dorazi.

    2. Mospërdorimi nga palët i së drejtës së tyre të parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni, nuk kompromenton zbatimin e aktit.