strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI II - HYRJA NË FUQI E AKTEVE ADMINISTRATIVE

  • Neni 111 - Rregulla të përgjithshme
  • Aktet administrative hyjnë në fuqi nga dita e miratimit të tyre me përjashtim të rasteve kur ligji ose vetë akti i jep atij fuqi prapavepruese ose të vonuar.

  • Neni 112 - Fuqia prapavepruese
  • 1. Aktet administrative kanë fuqi prapavepruese në rastet e mëposhtme:
    a) kur akti interpreton një akt të mëparshëm;
    b) kur akti nxirret në zbatim të një vendimi gjyqësor, i cili nga ana e tij ka deklaruar të pavlefshëm një akt administrativ;
    c) kur vetë ligji i jep aktit fuqi prapavepruese.

    2. Përveç rasteve të përmendura në paragrafin 1 të këtij neni, organi kompetent mund t’i japë fuqi prapavepruese aktit edhe në rastet e mëposhtme:
    a) kur fuqia prapavepruese është në favor të palëve të interesuara dhe nuk dëmton të drejtat e një pale të tretë;
    b) kur është fjala për një akt i cili shfuqizon një akt të mëparshëm së bashku me aktet e tjera të nxjerra në zbatim të këtij të dytit;
    c) ku një gjë e tillë lejohet nga ligji.

  • Neni 113 - Efekti i vonuar
  • Aktet administrative kanë efekt të vonuar:
    a) kur hyrja në fuqi e tyre kushtëzohet nga miratimi apo kundërfirmimi;
    b) kur efektet e aktit bëhen të pamundura për shkak të ndonjë pezullimi apo afati;
    c) kur hyrja në fuqi e aktit varet nga vërtetimi i disa kushteve ose rrethanave.

  • Neni 114 - Botimi i akteve
  • 1. Botimi i akteve administrative është i detyrueshëm vetëm kur një gjë e tillë kërkohet nga ligji.

    2. Mosbotimi i aktit kur kjo kërkohet nga ligji shkakton moshyrjen në fuqi të aktit.

    3. Në rastet kur botimi i aktit është i detyrueshëm, ai bëhet në Fletoren Zyrtare brenda 30 ditëve nga miratimi.