strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI III - PAVLEFSHMËRIA E AKTEVE ADMINISTRATIVE

  • Neni 115 - Akte të pavlefshme
  • Pavlefshmëria e akteve administrative, në kuptimin e këtij Kodi, paraqitet në format e mëposhtme:

    a) akte administrative absolutisht të pavlefshme (akte të nxjerra në kundërshtim flagrant me ligjin);

    b) akte administrative relativisht të pavlefshme (akte të nxjerra në kundërshtim me ligjin).

  • Neni 116 - Aktet administrative absolutisht të pavlefshme
  • Aktet administrative do të quhen absolutisht të pavlefshme, në kuptimin e këtij Kodi, në rastet e mëposhtme:

    a) kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ i paidentifikuar;

    b) kur akti është nxjerrë nga një organ administrativ në kapërcim të kompetencave të tij ligjore;

    c) kur akti është nxjerrë në kundërshtim me formën dhe procedurën e kërkuar nga ligji.

  • Neni 117 - Efektet e aktit administrativ absolutisht të pavlefshëm
  • 1. Aktet administrative absolutisht të pavlefshme nuk prodhojnë pasoja ligjore pavarësisht nga fakti nëse janë deklaruar apo jo si të tillë.

    2. Secila palë e interesuar mund të kërkojë që akti administrativ të shpallet absolutisht i pavlefshëm. Kërkesa në fjalë mund të bëhet në çdo kohë. Organi administrativ kompetent, me nismën e tij, mundet të deklarojë një akt administrativ absolutisht të pavlefshëm në çdo kohë.

    3. Në qoftë se vetëm një pjesë e aktit është absolutisht e pavlefshme, i gjithë akti do të konsiderohet absolutisht i pavlefshëm, në rast se pjesa që anulohet është aq e rëndësishme saqë pa të akti nuk e realizon qëllimin e tij.

  • Neni 118 - Aktet administrative relativisht të pavlefshme
  • 1. Aktet administrative do të quhen relativisht të pavlefshme, në kuptimin e këtij Kodi, kur ato janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin, por megjithatë nuk janë absolutisht të pavlefshme.

    2. Një akt administrativ relativisht i pavlefshëm është i ankueshëm në rrugë administrative dhe gjyqësore përkatësisht mbi bazën e dispozitave të këtij Kodi dhe të Kodit të Procedurës Civile.

  • Neni 119 - Efektet e aktit administrativ relativisht të pavlefshëm
  • Për sa kohë që akti administrativ relativisht i pavlefshëm nuk është bërë objekt i ankimit administrativ ose gjyqësor brenda afateve të përcaktuara nga ky Kod, ose nuk është revokuar/shfuqizuar nga organi administrativ kompetent, ai prodhon efektet e një akti administrativ të vlefshëm/të rregullt.

  • Neni 120 - Aktet administrative me pasaktësi dhe gabime të dukshme
  • Kur akti është i vlefshëm, por konstatohet se ai përmban pasaktësi ose gabime të dukshme, organi kompetent, me nismën e tij ose me kërkesën e pjesëmarrësve në proces, ndreq gabimet me karakter material, si dhe pasaktësitë e dukshme të aktit, pa prekur përmbajtjen e tij. Ndreqja nuk lidhet me ndonjë afat.