strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

SEKSIONI IV - SHFUQIZIMI DHE REVOKIMI I AKTEVE ADMINISTRATIVE

  • Neni 121 - Nisma për shfuqizim ose revokim
  • 1. Aktet administrative shfuqizohen ose revokohen me nismën e organit kompetent ose si rezultat i kërkesës për shqyrtim apo apelimit të palëve të interesuara.

    2. Aktet administrative absolutisht të pavlefshme nuk mund të shfuqizohen apo revokohen.

  • Neni 122 - Revokimi dhe shfuqizimi i akteve të vlefshme
  • 1. Aktet administrative të vlefshme nuk mund të shfuqizohen apo revokohen vetëm në rastet e mëposhtme:
    a) kur ligji parashikon parevokueshmërinë/pashfuqizueshmërinë e tyre;
    b) kur akti krijon të drejta të ligjshme;
    c) kur akti i jep administratës të drejta dhe detyrime nga të cilat nuk mund të hiqet dorë.

    2. Aktet e parashikuara në pikën b) të paragrafit 1 të këtij neni, përjashtimisht mund të revokohen ose shfuqizohen kur:
    a) dëmtojnë interesat e palëve të cilave ju drejtohen;
    b) kur të gjitha palët e interesuara bien dakord për revokimin ose shfuqizmin e aktit, me kusht që akti të ketë krijuar të drejta të tilla nga të cilat mund të hiqet dorë.

  • Neni 123 - Revokimi dhe shfuqizimi i akteve të pavlefshme
  • 1. Aktet administrative të pavlefshme mund të revokohen ose shfuqizohen vetëm për shkak të pavlefshmërisë dhe brenda afatit kohor të caktuar për ankimin gjyqësor.

    2. Në rastet kur afatet e parashikuara nga ligji për ankimin gjyqësor janë më shumë se një, zbatohet afati më i gjatë.

  • Neni 124 - E drejta për të revokuar dhe shfuqizuar
  • 1. Me përjashtim të rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe, e drejta për të revokuar aktin i takon organit që e ka nxjerrë atë, ndërsa shfuqizimi i aktit është prerogativ i organit epror.

    2. Aktet administrative të nxjerra me delegim mund të revokohen nga organi delegues, si dhe nga organi i deleguar, vetëm për aq kohë
    sa delegimi është i vlefshëm.

  • Neni 125 - Forma e aktit revokues apo shfuqizues
  • Me përjashtim të rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe, akti revokues ose shfuqizues ka të njëjtën formë ligjore dhe ndjek të njëjtat procedura me aktin që revokohet ose shfuqizohet.

  • Neni 126 - Hyrja në fuqi e revokimit dhe shfuqizimit
  • 1. Revokimi dhe shfuqizimi i akteve administrative kanë fuqi vetëm për të ardhmen, me përjashtim të rasteve të parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni.

    2. Revokimi dhe shfuqizimi kanë fuqi prapavepurese vetëm kur ata bëhen për shkak të pavlefshmërisë së aktit që revokohet ose shfuqizohet.

    3. Vetë organi që bën revokimin apo shfuqizimin mund t’i japë fuqi prapavepruese aktit revokues/shfuqizues, kur të gjitha palët e interesuara bien dakord me shkrim për revokimin/shfuqizimin e aktit, me kusht që akti të ketë krijuar të drejta të tilla nga të cilat mund të hiqet dorë.

  • Neni 127 - Revokimi/shfuqizimi që përtërin fuqinë ligjore të një akti të mëparshëm
  • Revokimi ose shfuqizimi i një akti, i cili nga ana e tij ka revokuar/shfuqizuar një akt të mëparshëm, përtërin fuqinë ligjore të këtij të fundit vetëm në rastet kur ligji ose akti i fundit revokues/shfuqizues e parashikojnë shprehimisht një gjë të tillë.

  • Neni 128 - Ndryshimi dhe zëvendësimi i akteve administrative
  • Me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe, rregullat për revokimin/shfuqizimin zbatohen edhe për ndryshimin dhe zëvendësimin e akteve administrative.

  • Neni 129 - Korrigjimi i akteve administrative
  • 1. Gabimet materiale në shprehjen e vullnetit të organit administrativ, kur këto janë të dukshme, mund të korrigjohen në çdo kohë nga organet që kanë të drejtë të bëjnë revokimin/shfuqizimin e aktit.

    2. Korrigjimi, i cili ka fuqi prapavepruese, mund të bëhet me nismën e administratës ose me kërkesën e palëve të interesuara.
    Korrigjimit i bëhet po ai publicitet që i është bërë aktit të korrigjuar.