NËNSEKSIONI I

  • Neni 135 - Parimet e përgjithshme
  • 1. Personat privatë kanë të drejtë të kërkojnë revokimin, shfuqizimin ose modifikimin e akteve administrative në përputhje me rregullat e vendosura nga ky Kod.

    2. E drejta e përmendur në paragrafin 1 të këtij neni mund të ushtrohet në mënyrat e mëposhtme:
    a) me anën e një kërkese jo formale drejtuar punonjësit ose organit përgjegjës për aktin;
    b) me anën e një ankimi drejtuar organit që ka nxjerrë aktin e ankimuar ose eprorit të punonjësit/organit përgjegjës, organit kolegjial kur punonjësi përgjegjës është anëtar i tij dhe organit delegues.

  • Neni 136 - Kërkesa joformale
  • 1. Për paraqitjen e kërkesave jo formale nuk kërkohet respektimi i ndonjë afati kohor apo i ndonjë kushti procedural.

    2. Kërkesat jo formale konsiderohen kërkesa në kuptimin e nenit 66 të këtij Kodi. Në këto raste kërkuesi ka të drejtë të marrë një përgjigje të arsyetuar brenda 1 muaji nga dita e paraqitjes së kërkesës.

    3. Organi administrativ që merr kërkesën jo formale informon kërkuesin për efektet ligjore të kësaj kërkese, sidomos për dallimin midis kërkesës jo formale dhe apelimit administrativ.

    4. Kërkesat jo formale nuk pezullojnë as veprimin e aktit administrativ, as kalimin e afateve kohore.

  • Neni 137 - Ankimi administrativ
  • 1. Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet kundër një akti administrativ ose kundër një refuzimi për nxjerrjen e aktit administrativ.

    2. Organi administrativ, të cilit i drejtohet ankimi, shqyrton ligjshmërinë dhe rregullsinë e aktit të kontestuar.

    3. Në parim, palët e interesuara mund t’i drejtohen gjykatës vetëm pasi të kenë ezauruar rekursin administrativ.

  • Neni 138 - Efektet e ankimit administrativ
  • 1. Ankimi administrativ pezullon zbatimin e aktit administrativ.

    2. Zbatimi i aktit administrativ nuk pezullohet vetëm në rastet e mëposhtme:
    a) akti administrativ synon mbledhjen e taksave, tatimeve dhe të ardhurave të tjera buxhetore;
    b) akti administrativ ka të bëjë me masa policore;
    c) pezullimi i zbatimit të aktit ndalohet me ligj;
    ç) zbatimi i menjëhershëm është në interes të rendit publik, shëndetit publik dhe të interesave të tjera publike.

    3. Në çdo rast ankuesi ka të drejtë të informohet në lidhje me shkaqet e mospezullimit të zbatimit të aktit.

  • Neni 139 - Subjekti para të cilit depozitohet ankimi
  • 1. Ankimi administrativ mund të bëhet përpara:
    a) organit që ka nxjerrë aktin administrativ të ankimuar ose që ka refuzuar të nxjerrë aktin administrativ;
    b) organit epror të organit të përmendur në nënparagrafin (a) të paragrafit 1 të këtij neni.

    2. Në rastet kur ankimi i drejtohet organit epror, ky i fundit ia transferon dosjen përkatëse organit që ka nxjerrë/refuzuar të nxjerrë aktin së bashku me orientimet e tij për zgjidhjen e çështjes.

  • Neni 140 - Afati kohor për ankimin administrativ
  • 1. Ankimi administrativ bëhet brenda 1 muaji nga dita kur:
    a) ankuesi ka marrë njoftim për aktin ose mosnxjerrjen e aktit;
    b) akti është botuar në bazë të dispozitave të këtij Kodi.

    2. Në rastin e mosveprimit nga ana e administratës (mosnxjerrjes së aktit), procedura e ankimit fillon 3 muaj nga dita e depozitimit të kërkesës fillestare për nxjerrjen e aktit administrativ.

  • Neni 141 - Afati kohor për marrjen e vendimit në një procedurë ankimi
  • 1. Organi administrativ kompetent shqyrton ankimin administrativ dhe del me një vendim brenda 1 muaji nga data e depozitimit të ankimit.

    2. Në qoftë se me kalimin e periudhës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me ankimin nga ana e organit administrativ kompetent, pala e interesuar fiton të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës sipas paragrafit të dytë të nenit 328 të Kodit të Procedurës Civile.

  • Neni 142 - Procedura e ankimit
  • 1. Në qoftë se organi që ka nxjerrë ose nuk ka nxjerrë aktin administrativ të ankimuar vendos të pranojë kërkesat e ankimit, ai merr vendimin përkatës.

    2. Në qoftë se organi i përmendur në paragrafin 1 të këtij neni nuk pranon kërkesat e ankimit, ai detyrohet të transferojë ankimin tek organi epror, i cili vendos në lidhje me ankimin brenda 2 javësh.

  • Neni 143 - Kushtet formale për zhvillimin e procedurës së ankimit
  • 1. Ankimi duhet të paraqitet në formë shkresore.

    2. Kërkesa e shkruar duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:
    a) emrin dhe adresën e ankuesit;
    b) aktin administrativ, të nxjerrë apo të munguar, që kontestohet;
    c) shkaqet e ankimit;
    ç) çdo dokument tjetër që vlerësohet si i rëndësishëm nga ankuesi.

    3. Organi që shqyrton ankimin detyrohet të ndihmojë ankuesit në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për ankimin.

  • Neni 144 - Mospranimi i ankimit
  • Ankimet kundër akteve administrative ose mosnxjerrjes së tyre mund të mospranohen nga organet kompetente në rastet e mëposhtme:

    a) kur ato iu drejtohen akteve të cilat për nga natyra janë të paankimueshme;

    b) kur afatet kohore për ankimin kanë përfunduar;

    c) kur akti administrativ i ankimuar quhet i vlefshëm prima facie nga organi që shqyrton ankimin.

  • Neni 145 - Njoftimi i personit të interesuar gjatë shqyrtimit të ankimit
  • Në rastet kur organi administrativ që shqyrton ankimin konstaton se shfuqizimi, revokimi, modifikimi i aktit administrativ që ankimohet (ose nxjerrja e aktit kur ankimi është për mosnxjerrje të aktit) cenon në çfarëdo mënyre të drejtat dhe interesat e një personi të tretë, ky i fundit njoftohet për të marrë pjesë në shqyrtimin e ankimit dhe ka të drejtë të parashtrojë pretendimet e tij/saj.

  • Neni 146 - Vendimi i organit që shqyrton ankimin
  • Organi administrativ që shqyrton ankimin vendos:

    a) lënien në fuqi të aktit administrativ dhe rrëzimin e ankimit;

    b) shfuqizimin/revokimin e aktit administrativ dhe pranimin e ankimit;

    c) ndryshimin e aktit administrativ, duke pranuar pjesërisht ankimin;

    ç) detyrimin e organit administrativ kompetent për të nxjerrë aktin administrativ, kur është refuzuar nxjerrja e tij.