TITULLI I - Parimet themelore të procesit gjyqësor

  • Neni 1
  • Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë cakton rregulla të detyrueshme, të njëjta e të barabarta, për gjykimin e mosmarrëveshjeve civile e të mosmarrëveshjeve të tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.
    Gjykata nuk mund të refuzojë të shqyrtojë dhe të japë vendime për çështjet që i paraqiten për shqyrtim, me arsyetim se ligji mungon, nuk është i plotë, ka kundërthënie ose është i paqartë.

  • Neni 2
  • Vetëm palët mund të vënë në lëvizje gjykatën për fillimin e një procesi gjyqësor, përveç kur ligji parashikon ndryshe.
    Palët janë të lira që në çdo kohë të tërheqin padinë, por gjithnjë përpara shuarjes së saj për efekt gjykimi ose në bazë të ligjit.

  • Neni 3
  • Kërkesa e palëve për fillimin e një procesi gjyqësor është e lidhur me përmbushjen nga ana e tyre të detyrimeve që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara në këtë Kod.

  • Neni 4
  • Gjykata kujdeset për zhvillimin e rregullt të procesit gjyqësor.
    Për këtë qëllim, në bazë të kompetencave që i jepen nga ky Kod, vendos për afatet dhe urdhëron marrjen e masave të nevojshme.

  • Neni 5 - Objekti i mosmarrëveshjes
  • Objekti i mosmarrëveshjes përcaktohet në pretendimet e palëve.
    Pretendimet parashtrohen në aktin për fillimin e procesit gjyqësor, si dhe gjatë ushtrimit të të drejtave që rrjedhin nga ky proces. Objekti
    i mosmarrëveshjes mund të ndryshojë sipas kërkesave që lindin gjatë procesit, kur këto të fundit kanë lidhje të mjaftueshme me pretendimet e fillimit.

  • Neni 6
  • Gjykata që gjykon mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet.

  • Neni 7 - Faktet
  • Fakt quhet çdo sjellje e njeriut, ngjarje shoqërore ose fenomen i natyrës, të cilit ligji i ngarkon një pasojë juridike.

  • Neni 8
  • Palët kanë detyrimin të paraqesin faktet mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre.

  • Neni 9
  • Gjykata fton palët për të dhënë shpjegime mbi faktet që ajo i vlerëson të nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

  • Neni 10
  • Gjykata mbështet vendimin e saj vetëm mbi faktet që janë paraqitur gjatë procesit gjyqësor.

  • Neni 11 - Provat
  • Provat janë të dhëna që merren në formën e parashikuar nga ky Kod dhe që vërtetojnë ose rrëzojnë pretendimet ose prapësimet e pjesëmarrësve në proces.

  • Neni 12
  • Pala që pretendon një të drejtë, ka detyrim që, në përputhje me ligjin, të provojë faktet mbi të cilët bazon pretendimin e saj.

  • Neni 13
  • Faktet e njohura botërisht ose zyrtarisht nuk ka nevojë të provohen.
    Faktet, për të cilat ekziston një prezumim ligjor, nuk duhet të provohen nga pala në dobi të së cilës është prezumimi.

  • Neni 14
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 1)

    Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin.

  • Neni 15
  • Palët janë të detyruara të japin ndihmesën e tyre për zhvillimin normal të hetimit gjyqësor.
    Gjykata i ngarkon ato me përgjegjësi në rast mosveprimi ose pengimi me faj të tyre.

  • Neni 16 - E drejta
  • Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj.
    Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
    Megjithatë, gjykata nuk mund të ndryshojë bazën juridike të padisë pa kërkesën e palës.

  • Neni 17
  • Gjykata fton palët që të japin shpjegime nga pikëpamja e së drejtës që ajo e çmon të nevojshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

  • Neni 18
  • Kontradiktoriteti Asnjë palë nuk mund të gjykohet pa u dëgjuar ose pa u thirrur në gjykim.

  • Neni 19 - Palët
  • duhet t’i bëjnë të njohur njëra-tjetrës, në kohën e duhur, mjetet dhe faktet mbi të cilat mbështesin pretendimet e tyre, provat që do të paraqesin dhe dispozitat ligjore që do t’u referohen, në mënyrë që të bëhet e mundur për secilën palë mbrojtja e interesave të tyre në gjykim.

  • Neni 20
  • Gjykata duhet të ndjekë dhe të kërkojë të zbatohet parimi i kontradiktoritetit.
    Ajo mbështet vendimin e saj vetëm në mjetet, shpjegimet, dokumentet e provat e tjera të treguara ose të sjella nga palët, kur këto të fundit kanë qenë në gjendje të debatojnë sipas parimit të kontradiktoritetit.

  • Neni 21
  • Kur ligji e lejon dhe rrethanat e çështjes diktojnë marrjen e një vendimi gjyqësor, pavarësisht nga dijenia e një pale, kjo e fundit ka të drejtën të ankohet në rrugë gjyqësore ndaj vendimit të dhënë.

  • Neni 22 - Mbrojtja
  • Palët mund të mbrohen vetë, përveç rasteve kur përfaqësimi është i detyrueshëm.

  • Neni 23
  • Palët janë të lira të ndërtojnë mbrojtjen e interesave të tyre në gjykim, nëpërmjet përfaqësimit ose të çdo ndihme tjetër juridike, në përputhje me dispozitat në fuqi.

  • Neni 24
  • Gjykata dëgjon gjithnjë palët drejtpërsëdrejti, përveç kur ligji parashikon ndryshe.

  • Neni 25 - Pajtimi i palëve
  • Është detyrë e gjykatës që të bëjë përpjekje për të pajtuar palët në mosmarrëveshje.

  • Neni 26 - Karakteri publik i procesit gjyqësor
  • (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 1)

    Seancat gjyqësore janë të hapura, përveç kur parashikohet ndryshe sipas këtij Kodi.
    Gjykata mund të mos lejojë pjesëmarrjen e medias, kur çmon se nuk është në dobi të gjykimit.Në çdo rast vendimi përfundimtar i gjykatës
    shpallet publikisht.

  • Neni 27 - Përdorimi i gjuhës shqipe në gjykim
  • Në të gjitha fazat e gjykimit përdoret gjuha shqipe.
    Personat që nuk dinë shqip, përdorin gjuhën e tyre.
    Ata marrin dijeni për provat dhe për gjithë zhvillimin e gjykimit me anë të përkthyesit.

  • Neni 28 - Gjykata në procesin gjyqësor civil
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 2)

    Gjykata duhet të shprehet për të gjitha kërkesat që parashtrohen në padi, pa i kaluar kufijtë e saj, duke realizuar një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm.

  • Neni 29
  • Gjykata mbështet vendimin në provat e paraqitura nga palët ose nga prokurori, të marra në seancë gjyqësore.
    Gjykata çmon provat që ndodhen në aktet, në bazë të bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi në tërësinë e tyre i rrethanave të çështjes.

  • Neni 30 - Publikimi i vendimit përfundimtar
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 3)

    Kur çmohet se publikimi i vendimit përfundimtar i shërben rehabilitimit dhe/ose zhdëmtimit, gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, urdhëron publikimin e vendimit në media.
    Kur njoftimi nuk jepet në afatin e caktuar nga gjykata, pala, në favorin e së cilës është dhënë vendimi, ka të drejtë të kërkojë publikimin me shpenzimet e personit që detyrohet.