KREU I - Përbërja e gjykatës

  • Neni 35
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 6;
    ndryshuar shkronja “a” dhe “b” me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 2)

    Gjykata e shkallës së parë gjykon me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar ose tre gjyqtarë.
    Me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë gjykohen këto çështje:
    a) Paditë me vlerë më shumë se 20 milionë lekë vetëm nëse një nga palët e kërkon në seancë përgatitore, sipas nenit 158/a të këtij Kodi.
    b) Paditë për kundërshtimin e akteve administrative me vlerë më shumë se 20 milionë lekë vetëm nëse një nga palët e kërkon në seancë përgatitore, sipas nenit 158/a të këtij Kodi.
    c) Paditë për shpalljen e zhdukjes ose të vdekjes së personit.
    ç) Paditë për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar të personave.
    Çështjet e tjera gjykohen nga një gjyqtar i vetëm.
    Gjykata e apelit gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.
    Gjykata e Lartë gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë dhe në kolegje të bashkuara me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve.