strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - Përgjegjësia e palëve për shpenzimet gjatë procesit dhe për dëmet gjatë procesit

  • Neni 102 - Përbërja e shpenzimeve gjyqësore
  • (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 19)

    Shpenzimet gjyqësore përbëhen nga taksat mbi aktet, shpenzimet për aktet që kryhen, si dhe nga shpenzimet e tjera të nevojshme të gjykimit.
    Për ngritjen e padisë paguhet taksa mbi aktet në rastet dhe në masën e caktuar sipas ligjit.

  • Neni 103
  • Kur objekti i padisë pakësohet, nuk kthehet taksa mbi aktet e paguara për kërkesëpadinë, ndërsa kur objekti i padisë shtohet, merret taksë për pjesën e shtuar të saj.

  • Neni 104 - Mënyra e caktimit
  • (Shtuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 21)

    Taksa mbi aktet paguhet në bazë të vlerës së padisë.
    Kur në padi nuk është caktuar vlera e saj, ose kur vlera e caktuar ka ndryshime të dukshme me vlerwn e vërtetë, gjykata e cakton atë sipas rregullave të parashikuara në këtë Kod.
    Kur në kohën e ngritjes së padisë paraqitet i vështirë caktimi i vlerws së saj, taksa mbi aktet caktohet nga gjykata në mënyrë të përafërt.
    Në rast se në dhënien e vendimit vlera e padisë del më e madhe ose më e vogël nga ajo e caktuara nga gjykata, kërkohet taksa plotësuese ose kthehet shuma e marrë tepër.

  • Neni 105 - Parapagimi i shpenzimeve gjyqësore
  • (Shtuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 21)

    Shpenzimet për dëshmitarët, ekspertët dhe për këqyrjen e sendeve ose këqyrjen në vend parapaguhen nga pala që i ka kërkuar në shumën që ka caktuar gjykata. Por gjykata, duke marrë parasysh rrethanat e çështjes dhe gjendjen pasurore të palëve, mund të ngarkojë njërën ose të dyja palët që të paguajnë shpenzimet e tyre, pavarësisht se kush prej tyre ka kërkuar pyetjen e dëshmitarëve, kryerjen e ekspertimit ose të këqyrjes.
    Kur një palë është e detyruar që të paguajë shpenzimet gjyqësore dhe nuk i paguan vullnetarisht, gjykata urdhëron me vendim nxjerrjen e tyre të detyrueshme.

  • Neni 105/a
  • (Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 22)

    Dëshmitarët, ekspertët dhe përkthyesit kanë të drejtë të marrin shpenzimet që kanë bërë për paraqitjen e tyre, si dhe një shpërblim për largimin e tyre nga vendi i punës.
    Ekspertët kanë të drejtë të shpërblehen edhe për shërbimin e kryer.
    Masa e shpenzimeve dhe e shpërblimeve, që u takojnë dëshmitarëve dhe ekspertëve, caktohet nga Këshilli i Ministrave.

  • Neni 105/b
  • (Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 23)

    Personat që, sipas dispozitave për taksën mbi aktet, përjashtohen nga pagimi i taksës, përjashtohen edhe nga pagimi i shpenzimeve të tjera gjyqësore. Në këto raste, shpenzimet përballohen nga fondi përkatës i parashikuar në Buxhetin e Shtetit.
    Organet e pushtetit publik dhe personat e tjerë juridikë që, sipas dispozitave për taksën mbi aktet përjashtohen nga pagimi i taksës, paguajnë shpenzimet e tjera gjyqësore.

  • Neni 106 - Cilës palë i ngarkohen
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 24)

    Taksat mbi aktet, shpenzimet e tjera gjyqësore dhe shpërblimi për një avokat, në qoftë se ka pasur të tillë, të paguara nga paditësi, i ngarkohen të paditurit në masën e pjesës së padisë që është pranuar nga gjykata. Taksa mbi aktet dhe shpenzimet e tjera gjyqësore, nga pagimi i të cilave pala është përjashtuar sipas nenit 105/b, i ngarkohen palës tjetër në masën e pjesës së padisë që është pranuar nga gjykata.
    I padituri ka të drejtë të kërkojë pagimin e shpenzimeve gjyqësore që ka bërë, në përpjesëtim me pjesën e refuzuar të padisë.
    I padituri ka të drejtë të kërkojë pagimin e shpenzimeve gjyqësore që ka bërë, edhe në rast se është vendosur pushimi i gjykimit.

  • Neni 107
  • Pala, që me qëllim vonimi të pajustifikuar shkakton shtytjen e gjykimit të çështjes, ngarkohet me shpenzimet e bëra për këtë shtytje.
    Kur i padituri me sjelljen e tij nuk i ka dhënë shkak ngritjes së padisë, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit edhe sikur të pranohet padia.

  • Neni 108
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 25)

    Kur çështja përfundon me pajtim, shpenzimet gjyqësore mbeten në ngarkim të secilës palë që i ka bërë, përveç kur ka marrëveshje të kundërt.

  • Neni 109
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 26)

    Personi i tretë që bën ndërhyrje dytësore nuk detyrohet dhe as ngarkohet me pagimin e shpenzimeve gjyqësore.

  • Neni 110 - (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 27)
  • Për caktim të gabuar të vlerës së padisë dhe për llogaritje të gabuar të taksave mbi aktet dhe të shpenzimeve të tjera gjyqësore mund të bëhet ankim i veçantë.