KREU I - Forma e aktit

  • Neni 115 - Forma e hartimit të aktit
  • (Ndryshuar titulli me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 29)

    Aktet procedurale, për të cilat ligji nuk kërkon forma të caktuara, mund të kryhen në formën më të dobishme për arritjen e qëllimit të tyre.

  • Neni 116 - Gjuha e hartimit të aktit
  • (Shtuar titulli me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 30)

    Aktet procedurale hartohen në gjuhën shqipe.
    Gjykata për pyetjen e personave që nuk dinë gjuhën shqipe ose për përkthimin e dokumenteve të shkruara në gjuhë të huaj thërret përkthyesin.
    Përkthyesi që nuk paraqitet pa shkaqe të përligjura, thirret me detyrim. Ai mban përgjegjësi penale dhe civile sikurse eksperti.

  • Neni 117
  • Përmbajtja e aktit procedural Përveç kur ligji parashikon ndryshe, thirrja për në gjyq, kërkesëpadia e kundërpadia, duhet të tregojnë gjykatën, palët, objektin, shkaqet ligjore të kërkesës dhe përfundimet, si dhe datën e hartimit dhe duhet të nënshkruhen prej palës që e paraqet aktin ose nga përfaqësuesi i saj, si në origjinal ashtu dhe në kopjet për njoftim.

  • Neni 118
  • (Ndryshuar me ligjin n.8812, datë 17.5.2001, neni 31)

    Për seancën gjyqësore dhe për çdo veprim gjyqësor të kryer jashtë seancës mbahen procesverbale. Në procesverbal shënohen:

    a) Vendi (emri i qytetit, i qendrës së banimit ose i vendit tjetër).
    b) Koha kur gjykohet çështja ose kur kryhet veprimi gjyqësor.
    c) Përbërja e trupit gjykues (emri dhe mbiemri i gjyqtarëve dhe i sekretarit).
    ç) Palët (gjeneralitetet e palëve ose të përfaqësuesit të tyre).

    Në procesverbal duhet të shënohet nëse personat që janë thirrur në seancën gjyqësore janë paraqitur dhe cilët jo. Gjithashtu, në
    procesverbal duhet të shënohen përmbledhja e saktë e kërkimeve, e kundërshtimeve të palëve dhe të personave të tretë, e thënieve të dëshmitarëve dhe të ekspertëve, provat me shkresë që janë paraqitur, përmbajtja e shiritave të magnetofonit, e diapozitivave, e filmave, të gjitha vendimet që ka dhënë gjykata në vazhdim të gjykimit, si dhe pretendimet përfundimtare të palëve.
    Kur njëra nga palët kërkon që të shënohen në procesverbal pjesë nga thëniet e palës tjetër, gjykata duhet ta marrë parasysh këtë kërkesë.
    Procesverbali nënshkruhet nga kryetari i seancës gjyqësore dhe sekretari.