strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - Njoftimet

  • Neni 128 - Letërthirrja
  • Thirrja në gjykatë bëhet me letërthirrje e cila si rregull njoftohet me anë të nëpunësit gjyqësor.

  • Neni 129
  • Letërthirrja duhet të përmbajë gjykatën që e ka nxjerrë, emrin, mbiemrin e personit të thirrur, kohën e vendin e seancës gjyqësore, mosmarrëveshjen për të cilën thirret, si dhe pasojat ligjore në rast se personi i thirrur nuk paraqitet në gjykatë.

  • Neni 130 - Rregullat e njoftimit të akteve
  • (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 34)

    Njoftimi, kur nuk parashikohet ndryshe, bëhet nëpërmjet dorëzimit nga nëpunësi gjyqësor të kopjes së aktit që duhet t’i njoftohet personit që përcaktohet si marrës, kudo që gjendet brenda territorit të juridiksionit të gjykatës, ku është në marrëdhënie pune nëpunësi gjyqësor.
    Në qoftë se personi refuzon marrjen në dorëzim, nëpunësi gjyqësor bën shënimin përkatës në letërthirrje dhe kur është e mundur e vërteton me nënshkrimin e një dëshmitari të pranishëm.

  • Neni 131
  • Kur nuk është i mundur njoftimi sipas dispozitës së mësipërme, njoftimi bëhet në vendbanimin apo vendqendrimin e marrësit ose në zyrën apo vendin ku ushtron veprimtarinë tregtare, industriale ose të artizanatit.
    Në qoftë se marrësi nuk gjendet në një nga këto vende, njoftimi i dorëzohet një personi të familjes që ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe kur nuk ndodhet ndonjë prej tyre, njoftimi mund të bëhet edhe nëpërmjet fqinjëve, që pranojnë t’ia dorëzojnë atë personit të thirrur, zyrës ose qendrës së punës së tij, përveç kur i thirruri është i mitur, nën gjashtëmbëdhjetë vjeç ose është i pazoti për të vepruar.
    Kur nuk është e mundur të bëhet njoftimi, sipas paragrafit të mësipërm, kopja e njoftimit i dorëzohet portierit të ndërtesës së banimit, të zyrës apo të qendrës së punës.
    Në të gjitha këto raste, personi që merr njoftimin, duhet të nënshkruajë origjinalin ose kopjen e saj, duke marrë përsipër detyrimin që kopjen tjetër t’ia dorëzojë personit të thirrur. Gjithashtu bëhet shënimi në kopjen që mban nëpunësi i gjykatës edhe për marrëdhëniet e këtij personi me personin që i drejtohet njoftimi.

  • Neni 132
  • Kur personi që thirret në gjykatë ose njerëzit e familjes së tij nuk pranojnë të marrin në dorëzim njoftimin, si dhe kur këta dhe fqinjët që u jepet njoftimi për t’ia dorëzuar personit të thirrur, nuk dinë ose nuk mund të nënshkruajnë, bëhet shënimi në kopjen e njoftimit duke u nënshkruar të paktën edhe nga një dëshmitar.
    Në këtë rast njoftimi quhet i kryer.

  • Neni 133
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 4)

    Kur marrësit nuk i dihet vendbanimi ose vendqëndrimi në Republikën e Shqipërisë, ose nuk ka zgjedhur një banesë, apo nuk ka caktuar një përfaqësues të tij, sipas nenit 131 të këtij Kodi, njoftimi i aktit bëhet nëpërmjet afishimit të kopjes në gjykatën e vendit, ku do të gjykohet mosmarrëveshja, si dhe në vendin e afishimit, ku ka pasur vendbanimin e fundit.

  • Neni 134 - Njoftimi i akteve të shtetit të huaj
  • Njoftimi i akteve që vijnë nga organet e një shteti të huaj në një drejtim të përcaktuar nga autoritetet e këtij shteti, kryhet me dorëzimin e tyre të thjeshtë, sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.

  • Neni 135
  • Njoftimi i akteve të shtetit të huaj bëhet nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, e cila ia përcjell ato gjykatës së rrethit të vendit ku duhet të kryhet njoftimi.
    Kur ka marrëveshje të ndërsjellë për dhënien e ndihmës juridike, dërgimi për njoftim dhe njoftimi bëhet drejtpërsëdrejti midis organeve kompetente të të dy shteteve ose në ndonjë mënyrë tjetër që parashikohet në marrëveshje.
    Ministria e Drejtësisë kur konstaton se kërkesa për njoftimin e një akti nuk përputhet me rregullat e parashikuara në këtë Kod, ose në marrëveshjen ndërkombëtare përkatëse, ia kthen dokumentet organit të shtetit dërgues, duke specifikuar plotësisht rregullimet e nevojshme.

  • Neni 136
  • Pala që kërkon njoftimin duhet të shoqërojë kërkesën me shpenzimet e nevojshme të njoftimit, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare ekzistuese, përveç rasteve kur ligji apo këto marrëveshje parashikojnë përjashtimin nga pagimi paraprak i shpenzimeve.

  • Neni 137
  • Akti njoftohet në gjuhën e vendit nga i cili është dërguar, por marrësi që nuk e njeh gjuhën në të cilën është përpiluar akti, ka të drejtë të refuzojë njoftimin dhe të kërkojë që ai të përkthehet në gjuhën shqipe ose në një gjuhë tjetër të njohur prej pritësit për llogari të palës kërkuese dhe me shpenzimet e saj.

  • Neni 138
  • Për njoftimin e aktit mbahet procesverbal ose plotësohet një certifikatë, në të cilën përmendet detyrimisht vendi, data e njoftimit, personit të cilit i është dorëzuar akti, lidhjet e tij me personin që i drejtohet akti, nënshkrimi dhe kur është rasti edhe arsyet që kanë penguar njoftimin.

  • Neni 139
  • Për dokumentet që bëjnë fjalë për ekzekutimin ose mosekzekutimin e kërkesave të njoftimit, veprohet në të njëjtën mënyrë sikurse për dërgimin e kërkesave për njoftim.

  • Neni 140
  • Ekzekutimi i një kërkese njoftimi apo përcjelljeje mund të refuzohet nga autoritetet kompetente shqiptare, kur preket sovraniteti apo siguria e shtetit, si dhe kur nuk është paraqitur në përputhje me dispozitat e këtij Kodi.

  • Neni 141 - Njoftimi për personat juridikë
  • Njoftimet për institucionet, ndërmarrjet dhe personat e tjerë juridikë shtetërorë bëhet nëpërmjet dorëzimit të kopjes zyrës së titullarit dhe personave të ngarkuar për të pranuar akte.
    Njoftimi për personat juridikë joshtetërorë bëhet në qendrën e tyre, nëpërmjet dorëzimit të kopjes së aktit përfaqësuesit ose personit të ngarkuar për të marrë njoftimin dhe në mungesë të tyre, një personi tjetër që punon në këtë qendër të personit juridik.

  • Neni 141/a
  • (Shtuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 5)

    Kur njoftimi për personat juridikë, sipas nenit 141 të këtij Kodi, nuk është i mundur, ky njoftim bëhet nëpërmjet afishimit të tij pranë adresës së regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

  • Neni 142 - Njoftimi për personat me shërbim në ushtri
  • Personave që ndodhen në shërbim në ushtri ose në repartet e Ministrisë së Rendit Publik, njoftimi u bëhet me anë të komandës së repartit nga i cili varen.

  • Neni 143 - Mënyra të tjera njoftimi
  • Njoftimi mund të kryhet edhe nëpërmjet shërbimit postar, përveç kur ligji e ndalon. Nëpunësi gjyqësor duhet të shënojë mbi origjinalin dhe mbi kopjen e njoftimit edhe zyrën e postës nëpërmjet së cilës i është dërguar kopja marrësit, me dërgesë të porositur. Dëftesa e marrjes në dorëzim duhet t’i bashkohet origjinalit të aktit.

  • Neni 144
  • Gjykata mund të urdhërojë me vendim edhe mënyra të tjera njoftimi nga ato të parashikuara nga ligji, si nëpërmjet telegramit me përgjigje, me faks, kur vërtetohet me shkrim marrja e tij, me shkresë dorazi e me mënyra të tjera që garantojnë një njoftim të rregullt, kur e kërkojnë rrethana të veçanta ose nevoja e një njoftimi të shpejtë.

  • Neni 144/a
  • (Shtuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2.008, neni 6)

    Rregullat e parashikuara në këtë kre për njoftimet zbatohen nga përmbaruesit gjyqësorë.