KREU IV - Gjobat

  • Neni 165 - Mosparaqitja në gjyq pa shkaqe të arsyeshme
  • Kur dëshmitari ose eksperti, që është thirrur në gjykatë, nuk paraqitet pa shkaqe të arsyeshme, gjykata e dënon me gjobë deri në 30 000 lekë dhe urdhëron sjelljen e tij me detyrim.

  • Neni 166 - Kundërshtimi për të dëshmuar
  • Kur dëshmitari pa ndonjë shkak të arsyeshëm kundërshton të dëshmojë ose eksperti të japë mendimin, gjykata i dënon me gjobë deri në 30 000 lekë.

  • Neni 167 - Mosparaqitja në gjyq e dokumentit ose e sendit nga personi i tretë
  • Kur një person i tretë, që nuk është palë, nuk pranon të paraqesë një dokument ose një send, që provohet se ndodhet pranë tij dhe që i është kërkuar nga gjykata dënohet me gjobë deri me 30 000 lekë.

  • Neni 168 - Mosbindja e urdhrit të kryetarit të seancës
  • Kur personat që marrin pjesë në gjykimin e çështjes, si dhe personat e tjerë që asistojnë në gjykim nuk u binden urdhrave të kryetarit të seancës gjyqësore, me vendim të gjykatës mund të dënohen me gjobë deri në 30 000 lekë. Kjo dispozitë nuk zbatohet për prokurorin dhe avokatin që marrin pjesë në çështje.

  • Neni 169 - Kundërshtimi i vendimit të dënimit
  • Personat që janë dënuar me gjobë, sipas dispozitave të mësipërme, mund t’i paraqitin gjykatës që i ka dënuar, brenda tri ditëve, kërkesë për heqjen e dënimit, duke treguar dhe shkaqet.
    Gjykata kur i gjen me vend këto shkaqe, revokon vendimin e dënimit me gjobë si dhe urdhrin e sjelljes me detyrim. Ajo mund edhe vetëm të pakësojë gjobën e caktuar. Në rast të kundërt, refuzon kërkesën.
    Afati për të paraqitur kërkesën fillon nga dita e seancës gjyqësore dhe, në rastet e parashikuara nga nenet 165 dhe 167, nga dita e njoftimit të vendimit të dënimit.
    Vendimi i dhënë nga gjykata në rastet e sipërme është i formës së prerë dhe kundër tij nuk lejohet ankim.