Neni 180 - Shpallja e trupit gjykues dhe shpjegimet e palëve

Pasi të jenë kryer veprimet e mësipërme, shpallet përbërja e trupit gjykues dhe zgjidhen kërkesat paraprake të palëve.
Gjykata në seancën e parë gjyqësore u kërkon palëve, që në bazë të fakteve të pretenduara prej tyre, të japin sqarimet e nevojshme, duke u vënë në dukje çështjet që nga pikëpamja procedurale i quan të nevojshme e të dobishme për gjykimin e çështjes.
Në fillim paditësi jep shpjegime rreth kërkesave të parashtruara në padi, pastaj i padituri dhe pjesëmarrësit e tjerë në proces. Secili prej tyre është i detyruar të përcaktojë faktet dhe provat mbi të cilat mbështeten pretendimet e prapësimet e tyre.
Ata mund të kërkojnë nga gjykata marrjen e provave të tjera, përveç atyre të caktuara në seancë përgatitore ose të marra në seancë gjyqësore, vetëm kur nga shpjegimet e palës tjetër ose nga rrethanat të dala rishtazi marrja e tyre është në dobi të gjykimit të çështjes.
Gjykata, kur e vlerëson të nevojshme, mund t’u japë palëve të interesuara një afat jo më shumë se 10 ditë për të përcaktuar faktet dhe provat e tjera.