Neni 206 - Llojet e masave për sigurimin e padisë

Sigurimi i padisë bëhet:
a) me sekuestrimin e sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe të kredive të debitorit;
b) me marrjen nga ana e gjykatës të masave të tjera të përshtatshme, duke përfshirë edhe pezullimin e ekzekutimit.
Gjykata mund të lejojë sigurimin e padisë me disa nga llojet e ndryshme të masave të sigurimit, por gjithmonë për një shumë të përgjithshme jo më të madhe se atë të padisë.
Sekuestër nuk mund të vihet mbi sende që, sipas nenit 529 të këtij Kodi, nuk mund të sekuestrohen.