strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU V - Rregulla të përgjithshme për marrjen e provave

  • Neni 213 - Lejimi i provave
  • Në zbatim të nenit 12 të këtij Kodi, gjykata me vendim lejon palët të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkimet dhe pretendimet e tyre, duke paraqitur në gjykatë vetëm ato prova që janë të domosdoshme e që kanë lidhje me çështjen e gjykimit.

  • Neni 214 - Pohimi gjyqësor
  • Pohimet e bëra në gjykatë prej palëve apo prej përfaqësuesve të tyre, çmohen nga gjykata pa nënveftësuar provat e tjera dhe rrethanat e çështjes.

  • Neni 215 - Letërporosia
  • Kur prova duhet të merret jashtë territorit të veprimtarisë së gjykatës, kjo i delegon kompetencat e saj gjykatës së vendit ku ndodhet prova, përveç kur palët e kërkojnë bashkarisht që për këtë qëllim të delegohet njëri prej anëtarëve të trupit gjykues.
    Në vendimin e gjykatës caktohet një afat brenda të cilit duhet të merret prova dhe caktohet seanca tjetër për vazhdimin e gjykimit.

  • Neni 216
  • Prova merret nga gjyqtari i caktuar prej kryetarit të gjykatës që i është drejtuar kërkesa, duke pasqyruar veprimet e kryera në procesverbal, i cili i dërgohet gjykatës në afatin e caktuar.
    Palët janë të lira të marrin pjesë në marrjen e provës.
    Deklaratat e palëve dhe të dëshmitarëve merren në vetën e parë dhe pasi i lexohen deklaruesit, nënshkruhen prej tij.

  • Neni 217
  • Gjyqtari që procedon për marrjen e provës edhe kur delegohet sipas nenit 215 të këtij Kodi, zgjedh me vendim të gjitha çështjet që dalin gjatë marrjes së provës.

  • Neni 218 - Dëshmitari që nuk flet ose nuk dëgjon
  • Kur merret në pyetje një person që nuk flet ose nuk dëgjon, në qoftë se pyetja e tyre nuk mund të bëhet me shkrim, gjykata thërret një person që i kupton shenjat e personit që merret në pyetje.

  • Neni 219 - Ndihma juridike nga gjykatat e shteteve të huaja
  • Kur është e nevojshme të kryhet një veprim procedural gjyqësor jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, për sqarimin e rrethanave, kostatimin e fakteve, dërgimin e një dokumenti apo për arsye të tjera që gjykata e quan të nevojshme për sqarimin e çështjes në gjykim, gjykata nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë i kërkon ndihmën juridike përkatëse organit kompetent të shtetit tjetër.
    Kur veprimi procedural juridik mund të kryhet nga përfaqësia diplomatike ose konsullore e Republikës së Shqipërisë, kërkesa i drejtohet kësaj të fundit.
    Kërkesa e sipërme duhet të përcaktojë çështjet për të cilat kërkohet ndihma juridike dhe të përmbajë të dhënat e nevojshme për plotësimin e ndihmës juridike.
    Kur midis dy shteteve ka marrëveshje për dhënien e ndërsjellë të ndihmës juridike, zbatohen dispozitat e kësaj marrëveshjeje.

  • Neni 220 - Zbatimi i ligjit të huaj
  • Në rast se për gjykimin e një çështjeje është e nevojshme të zbatohen ligjet e një shteti tjetër, gjykata duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për t’i gjetur dhe zbatuar ato sipas përmbajtjes së tyre.
    Kur çdo përpjekje e gjykatës sipas paragrafit të parë të këtij neni është e pasuksesshme dhe asnjë nga palët nuk kanë mundur t’ia sigurojnë gjykatës dispozitat e kërkuara, të vërtetuara nga organet kompetente të shtetit tjetër, gjykata vendos sipas legjislacionit shqiptar.

  • Neni 221 - Ndihma juridike për gjykatat e shteteve të huaja
  • Gjykatat shqiptare u sigurojnë ndihmë juridike gjykatave të shteteve të tjera me kërkesën e tyre. Ndihma juridike nuk mund të jepet kur:
    a. dhënia e saj nuk pajtohet me parimet themelore të legjislacionit shqiptar në fuqi;
    b. objekti i kërkesës nuk është në kompetencën e gjykatave shqiptare.

  • Neni 222
  • Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike të bërë nga gjykata e një shteti të huaj duhet të përmbajë kushtet e parashikuara nga neni i mësipërm, të jetë hartuar në gjuhën shqipe ose të jetë përkthyer në këtë gjuhë dhe t’i jenë bashkëngjitur shpenzimet e nevojshme për përkthim.
    Në rast të kundërt gjykata ose marrësi mund të refuzojë kryerjen e veprimeve të kërkuara.
    Kur ndërmjet dy shteteve ka marrëveshje për dhënien e ndërsjellë të ndihmës juridike, zbatohen dispozitat e kësaj marrëveshjeje.

  • Neni 223 - Marrja e provave te të tretët
  • Gjykata, me kërkesën e palës së interesuar, mund të urdhërojë palën tjetër ose një person të tretë që nuk merr pjesë në çështje, të paraqesë në gjykim një dokument ose një send tjetër, kur çmohet e nevojshme prej saj.
    Në këtë rast gjykata jep udhëzimet e nevojshme për kohën, vendin dhe mënyrën e paraqitjes së tyre. Pala që ka kërkuar marrjen e dokumentit është e detyruar të tregojë me hollësi të gjitha rrethanat që bëjnë të besueshme se ku ndodhet dokumenti, karakteristikat e tij, si dhe faktet që do të provohen me këtë dokument.
    Shpenzimet e nevojshme parapaguhen nga pala që ka bërë kërkesën.

  • Neni 224
  • Gjykata mund të kërkojë zyrtarisht nga organet e administratës shtetërore të dhëna me shkrim për akte dhe dokumente që ndodhen në atë organ dhe që është e nevojshme të shqyrtohen në procesin gjyqësor. Kur të dhënat e kërkuara përbëjnë sekret shtetëror, gjykata kërkon lejen e organit qendror nga i cili varet administrata shtetërore ku ndodhen të dhënat e kërkuara. Kur kërkesa refuzohet, kërkesa e palës quhet si e paparashtruar.

  • Neni 224/a
  • (Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 51)

    Kur për konstatimin ose sqarimin e fakteve, që kanë lidhje me mosmarrëveshjen në gjykim kërkohen njohuri të posaçme në fushat e shkencës, teknikës ose të artit, gjykata mund të thërrasë një ose më shumë ekspertë.
    Ekspertët caktohen sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod.

  • Neni 224/b
  • (Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 52)

    Eksperti e jep mendimin e tij me shkrim, por mund të dëgjohet në seancë gjyqësore dhe të pyetet nga gjykata dhe nga palët.
    Mendimi i ekspertit nuk është i detyrueshëm për gjykatën dhe, kur kjo ka mendim të kundërt me ekspertin, duhet të arsyetojë me hollësi këtë mendim në vendimin përfundimtar ose në një vendim që jep gjatë gjykimit.
    Nuk është në misionin e ekspertit të japë një mendim juridik.

  • Neni 224/c
  • (Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 53)

    Eksperti është i detyruar të përmbushë detyrat e ngarkuara nga gjykata, përveç kur parashtron shkaqe të përligjura që pranohen nga gjykata.
    Mosparaqitja e ekspertit në gjykatë, pa shkaqe të përligjura, shkakton sjelljen e tij me detyrim.
    Përjashtimi i ekspertit nga pjesëmarrja e tij në gjykim bëhet kur janë kushtet e përcaktuara prej nenit 72 të këtij Kodi.

  • Neni 224/ç - Përgjegjësia e ekspertit
  • (Shtuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 54)

    Eksperti ka përgjegjësi sipas Kodit Penal në rast se kundërshton të kryejë detyrën që i ngarkohet ose kryen një ekspertim të rremë.
    Eksperti është i detyruar të shpërblejë dëmet që për faj të tij u janë shkaktuar palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces.