strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VI - Eksperti dhe ekspertimi

  • Neni 225 - Mënyra e caktimit
  • Caktimi i ekspertit bëhet nga gjykata duke marrë edhe mendimin e palëve e të pjesëmarrësve në gjykim. Vendimi për emërimin e ekspertit
    i bëhet i ditur këtij prej sekretarit gjyqësor, duke iu njoftuar edhe data për t’u paraqitur në seancën e caktuar.
    Eksperti që nuk pranon të kryejë këtë detyrë, duhet t’i njoftojë gjykatës argumentet përkatëse të paktën pesë ditë përpara seancës gjyqësore.
    Për rrethana të dala rishtazi palët kërkojnë menjëherë përjashtimin e ekspertit, duke parashtruar argumentet përkatëse.

  • Neni 226 - Betimi
  • Gjykata përpara se eksperti të fillojë nga kryerja e detyrës, i kujton atij rëndësinë e funksioneve për të cilat është thirrur për t’i përmbushur dhe e fton të bëjë betimin se do të kryejë mirë e me nder detyrat që i janë besuar, me të vetmin qëllim që t’ia bëjë të ditur gjykatës të vërtetën.

  • Neni 227 - Caktimi i detyrave
  • Gjykata, pasi merr edhe mendimin e palëve, i cakton ekspertit çështjet për të cilat duhet të merret mendimi i tij.
    Eksperti ka të drejtë të njihet me materialet e çështjes, të marrë pjesë në seancë gjyqësore, të bëjë pyetje, të japë shpjegime dhe të kërkojë nga palët të marrë të dhëna nga të tretët brenda kufijve të nevojshëm për kryerjen e detyrës.
    Eksperti mund të asistohet edhe nga ndihmës të tij, por përgjegjësia për saktësinë e ekspertimit i mbetet atij.
    Kur sipas vendimit të gjykatës për kryerjen e ekspertimit është e nevojshme që eksperti të njihet me sende, evidenca, llogari e dokumente të tjera, palët mund të jenë të pranishme dhe mund t’i paraqitin ekspertit me shkrim mendime,e vërejtje të specialistëve të tyre, të cilët mund të pyeten me cilësinë e dëshmitarit ose kërkesa që lidhen me plotësimin e detyrës, por gjithnjë brenda kompetencave të caktuara në vendimin e gjykatës.

  • Neni 228 - Kryerja dhe vlerësimi i ekspertimit
  • Kur ekspertimi kryhet me praninë e gjykatës ose të gjyqtarit të deleguar, mbahet procesverbal, por gjykata mund t’i kërkojë ekspertit që të japë përfundimet e ekspertimit në një raport me shkrim.
    Kur ekspertimi kryhet pa pjesëmarrjen drejtpërdrejt të gjykatës, eksperti duhet të hartojë një raport me shkrim mbi ekspertizën e kryer, në të cilën duhet të gjejnë pasqyrim edhe vërejtjet e kërkesat e palëve.
    Deklaratat eventuale të palëve të përmendura në raport vlerësohen nga gjykata, duke pasur parasysh rregullat e parashikuara në nenin 29 të këtij Kodi.
    Raporti duhet të depozitohet në sekretari në afatin e caktuar nga gjykata.

  • Neni 229 - Përsëritja e ekspertimit
  • Kur shihet se ekspertimi është i metë ose i paqartë, si dhe kur ka ndryshim mendimesh midis ekspertëve, gjykata, kryesisht ose me kërkesën e ndonjërës nga palët, mund të kërkojë sqarime plotësuese ose të urdhërojë kryerjen e një ekspertimi të ri, duke thirrur ekspertë të tjerë.

  • Neni 230 - Pasqyrimi i përfundimeve të ekspertimit
  • Mendimi i ekspertit duhet të jetë i arsyetuar.
    Kur ekspertët janë të një mendimi, përfundimet e ekspertimit mund t’i parashtrojë njëri që caktohet prej tyre; kur ka ndryshim mendimesh midis ekspertëve, secili prej tyre duhet të parashtrojë vetë mendimin e tij. Pasi të kenë dhënë mendimin, ekspertëve mund t’u bëhen pyetje.