strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VIII - Shkresat

  • Neni 246 - Fuqia provuese e shkresave
  • Shkresat kanë fuqi provuese kur janë hartuar në formën e caktuar, kanë elementet e nevojshme për vlerën e tyre, nuk janë të copëtuara, të grisura ose të shuara, nuk kanë gërvishtje, ose shtesa midis rreshtave, ose çrregullime të tjera me shuarje dhe mund të lexohen.

  • Neni 247
  • Shkresa, kur është e dëmtuar në mënyrën e parashikuar në nenin e mësipërm, prezumohet se është bërë për të zhveftësuar vlerën provuese të saj, përveç kur provohet e kundërta.

  • Neni 248
  • Personi që paraqet dhe përdor si mjet provues një shkresë që ka ndryshime, duhet të vërtetojë se ndryshimet janë bërë nga ai që e ka nxjerrë shkresën, ose nga ai që mund t’i shërbejë si provë, ose nga ai që i ka kaluar e drejta, ose janë bërë nga dikush tjetër me porosi të këtyre.

  • Neni 249
  • Kur shkresa që paraqitet referon në një shkresë tjetër, ajo bashkohet me këtë, përveç kur shkresa që merret zëvendëson shkresën referuese ose përmban përmbajtjen e saj të plotë.
    Kur shkresa që u mor ka përmbajtje të ndryshme nga shkresa referuese, atëherë parapëlqehet përmbajtja e kësaj të fundit.

  • Neni 250 - Shkresa në ruajtje ose në pamundësi përdorimi
  • Në rastet kur prova me shkresë është në ruajtje për arsye ligjore ose pamundësi përdorimi dhe nuk mund të merret, gjykata ka të drejtë që përveç mjeteve të tjera, të lejojë të merret kopje e saj e legalizuar, e cila ka fuqi provuese sikurse edhe shkresa origjinale. Kur kjo më pas ka humbur, gjykata vendos të administrohet shkresa që vërteton njësinë me origjinalin.

  • Neni 251 - Kopja e shkresës dhe origjinali i saj
  • Kopjet e shkresave kur saktësia e tyre vërtetohet nga personi kompetent kanë të njëjtën fuqi provuese me origjinalin.

  • Neni 252 - Verifikimi në vend i përmbajtjes së shkresës
  • Në qoftë se për shkaqe të justifikuara është e vështirë marrja e provës në gjykim ose për shkak të rëndësisë së saj ose të natyrës së saj ekziston rreziku të humbasë ose të dëmtohet, gjykata mund të urdhërojë të verifikohet shkresa nga një anëtar i trupit gjykues ose të kontrollohet me letërporosi nga gjykata e vendit ku ndodhet shkresa ose të lejojë të merret fotokopje ose fotografia e vërtetuar.

  • Neni 253 - Aktet zyrtare
  • Aktet zyrtare që përpilohen nga nëpunësi i shtetit ose personi që ushtron veprimtari publike, brenda kufijve të kompetencës së tyre dhe në formën e caktuar, përbëjnë provë të plotë të deklarimeve që janë bërë përpara tyre për faktet që kanë ngjarë në prani të tyre ose për veprimet e kryera prej tyre. Lejohet të provohet e kundërta vetëm kur pretendohet se shkresa është e falsifikuar.

  • Neni 254
  • Aktet zyrtare që dalin nga organet shtetërore dhe që përmbajnë një urdhër, një vendim ose çdo masë tjetër të marrë prej tyre ose që tregojnë kryerjen e një veprimi nga ana e këtyre organeve, përbëjnë provë të plotë për përmbajtjen e tyre. Lejohet të provohet e kundërta vetëm kur pretendohet se shkresa është e falsifikuar.

  • Neni 255
  • Kopjet dhe shkurtimet e akteve të përmendura në nenet 253 dhe 254, të vërtetuara sipas ligjit, kanë fuqi provuese sikundër edhe origjinali.

  • Neni 256
  • Shkresat e përpiluara nga nëpunësi i shtetit të huaj ose nga personi i huaj që ushtron veprimtari publike dhe që konsiderohen si ent publik në atë vend, kanë fuqi provuese që parashikohet në nenin 253.

  • Neni 257
  • Shkresat që përpilohen në bazë të nenit 253 për kryerjen ose vërtetimin e veprimit juridik, përsa u përket deklarimeve të palëve, përbëjnë provë të plotë për të gjithë.
    Dispozitat e përmendura në paragrafin e mësipëm kanë fuqi për gjithçka që përmendet në shkresë, përderisa kanë lidhje të drejtpërdrejtë me objektin kryesor të shkresës. Ato që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë konsiderohen si fillim prove me shkresë.

  • Neni 258 - Shkresa e thjeshtë
  • Shkresa që është përpiluar nga një person zyrtar që nuk ka qenë kompetent ose që nuk është sipas formës së caktuar, ka fuqinë provuese të një shkrese të thjeshtë, në rast se është nënshkruar nga palët.

  • Neni 259
  • Shkresa e thjeshtë e nënshkruar nga personi që e ka lëshuar, përbën provë të plotë se deklarimet që përmban janë të atij që e ka nënshkruar, në rast se personi kundër të cilit paraqitet shkresa pranon se është nënshkruar prej tij.

  • Neni 260
  • Shkresa private quhen edhe:
    - librat e tregtarëve dhe profesionistëve që i mbajnë sipas Kodit Tregtar ose dispozitave të tjera;
    - librat e avokatëve, noterëve, përmbaruesve, mjekëve, farmacistëve e të profesioneve të tjera, sipas dispozitave në fuqi.
    Kur paraqiten si provë pjesë nga libri ose e tëra dhe përmbajnë edhe të dhëna që nuk kanë lidhje me objektin e gjykimit, mund të merren ato pjesë të shkresës që kanë lidhje me atë.

  • Neni 261
  • Shkresa private merr datë të saktë kundrejt personave të tretë vetëm nga dita që është vërtetuar nga noteri ose nëpunësi publik kompetent sipas ligjit ose kur vdes një nga ata që e ka nënshkruar ose nuk ka qenë në gjendje fizike të shkruajë ose kur përmbajtja e tij thelbësore është përsëritur ose konstatuar në një akt zyrtar, si dhe nga dita në të cilën ka ngjarë ndonjë fakt tjetër që provon në të njëjtën mënyrë se shkresa është përpiluar në një datë të mëparshme.

  • Neni 262
  • Shkresa private përbën provë në favor të përpiluesit vetëm në qoftë se atë e paraqet pala kundërshtare ose në qoftë se bëhet fjalë për librat që përmenden në nenin 260.

  • Neni 263
  • Librat që përmenden në nenin 260, paragrafi 1 dhe 2, kur janë përpiluar në formën e caktuar, përbëjnë provë të plotë për sa shkruhet në to, për tregtarët ose personat e tjerë që detyrohen të mbajnë të njëjtat libra, por lejohet të provohet e kundërta kur pretendohet falsiteti.
    Megjithatë, kundër personave që nuk janë detyruar të mbajnë këto libra, përbëjnë provë të plotë për gjerësinë e pretendimeve, kur qenia e tyre është vërtetuar me një mënyrë tjetër dhe vetëm për një vit që nga dita e nënshkrimit, përveç kur i detyruari provon me nënshkrimin e vet përmbajtjen e tyre.

  • Neni 264 - Detyrimi për paraqitjen e provës shkresore
  • (Ndryshuar titulli me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 56)

    Çdo ndërgjyqës detyrohet kryesisht të paraqesë shkresat që ka përdorur për të ndihmuar në gjykimin e çështjes.
    Çdo ndërgjyqës ose person i tretë detyrohet të paraqesë shkresat që disponon dhe që mund t’i vlejnë si provë, përveç kur ka shkaqe serioze dhe justifikon mosparaqitjen e tyre. Si shkaqe serioze konsiderohen veçanërisht rastet kur nuk lejohet për të dëshmuar.

  • Neni 265
  • Ekzekutimi i vendimit që urdhëron paraqitjen e shkresës bëhet sipas dispozitave që kanë të bëjnë me ekzekutimin për dorëzimin e sendit ose kryerjen e veprimit.
    Kjo dispozitë zbatohet edhe kur shkresat ndodhen në një organ shtetëror ose të personat juridikë shtetërorë, përveç kur shkresa përbën sekret shtetëror.

  • Neni 266 - Shkresa në gjuhë të huaj
  • Kur shkresa është në gjuhë të huaj, ajo paraqitet bashkë me përkthimin e saj në gjuhë shqipe, të legalizuar nga ambasada apo konsullata përkatëse ose nga organi tjetër kompetent.
    Kur gjykata nuk mund ta kontrollojë vetë saktësinë e përkthimit, emëron përkthyes.

  • Neni 267 - Detyrimi për të provuar se shkresa private është origjinale
  • Kur origjinaliteti i shkresës private vihet në dyshim, ai që e paraqet duhet ta provojë atë, përveç kur shkresa është aq e ndryshuar sa gjykata e ka të vështirë të konstatojë se është origjinale.
    Personi ndaj të cilit paraqitet shkresa private është i detyruar të deklarojë menjëherë se e pranon ose jo origjinalitetin e nënshkrimit, ndryshe shkresa konsiderohet si e pranuar.
    Në qoftë se njihet ose vërtetohet origjinaliteti i nënshkrimit, quhet se është vërtetuar origjinaliteti i përmbajtjes, me rezervën e goditjes së tij për falsitet.

  • Neni 268
  • Shkresa private mund të provohet si origjinale me çdo lloj mjeti provues.

  • Neni 269 - Procedura e krahasimit të shkresave
  • Kur bëhet krahasimi i shkresave, ai që paraqet provën detyrohet jo më vonë se dhjetë ditë përpara datës së caktuar për krahasim, t’i njoftojë ndërgjyqësit listën e shkresave me të cilat do të bëhet krahasimi ose të depozitojë origjinalet në sekretarinë e gjykatës. Vërtetësia e këtyre shkresave nuk duhet të kundërshtohet.
    Kur shkresat që mund të krahasohen i disponon pala kundërshtare ose personi i tretë, mund të kërkohet paraqitja e tyre. Në rast kundërshtimi zbatohen rregullat e parashikuara prej nenit 265 të këtij Kodi.
    Ndërgjyqësi ose personi i tretë të cilit i mohohet origjinaliteti i shkrimit ose nënshkrimit, mund të detyrohet të shkruajë para gjykatës ose gjyqtarit të deleguar me letërporosi një tekst të caktuar me të cilin do të bëhet krahasimi. Teksti i bashkohet dosjes. Gjykata çmon lirisht mohimin e ndërgjyqësit ose personit të tretë të shkruajë ose të bëjë përpjekje për të ndryshuar shkrimin e tij.

  • Neni 270 - Goditja për falsitet
  • Çdo shkresë mund të goditet për falsitet. Shkresat private mund të goditen për falsitet edhe kur nga krahasimi me të tjera vërtetohet se janë origjinale.

  • Neni 271 - Denoncimi për ndjekje penale
  • Kur falsifikimi i atribuohet një personi të caktuar mund të bëhet denoncimi për ndjekje penale.

  • Neni 272
  • Kur krijohen dyshime serioze për falsifikim ndaj një personi konkret edhe nëse shkresa që paraqitet si e falsifikuar vlerësohet si thelbësore për sqarimin e çështjes, gjykata ka të drejtë të pezullojë gjykimin e saj deri në përfundimin e gjykimit të çështjes penale,ose të urdhërojë të paraqiten prova për falsifikimin.

  • Neni 273 - Provimi i falsitetit të një shkrese
  • Kush pretendon falsitetin e një shkrese, është njëkohësisht i detyruar të paraqesë ato shkresa që vërtetojnë falsitetin dhe të tregojë emrat e dëshmitarëve ose mjetet e tjera provuese, përndryshe pretendimi tij është i papranueshëm.

  • Neni 274
  • Kur shkresa paraqitet si e falsifikuar, pa treguar personin të cilit i atribuohet falsiteti, gjykata urdhëron marrjen e provave, vetëm kur ai që paraqet shkresën këmbëngul që të nxirret si provë dhe çmohet se ka rëndësi thelbësore për sqarimin e çështjes.

  • Neni 275
  • Sekretaria e gjykatës dërgon menjëherë kopjen e çdo vendimi që shpall shkresën si të falsifikuar te prokurori dhe në organin shtetëror që ka nxjerrë shkresën.
    Shkresa që shpallet e falsifikuar nuk i jepet ndërgjyqësit, por mbetet në arkivin e gjykatës, së bashku me vendimin që shpall shkresën të falsifikuar.
    Në këto raste sekretari shënon mbi shkresë se ajo është e falsifikuar.
    Kur jepet kopja e saj, ajo përmban edhe shënimin që përmendet në paragrafin e sipërm.

  • Neni 276
  • Personat, që nuk marrin pjesë në çështje, kur u kërkohet një shkresë që ndodhet pranë tyre dhe nuk ka mundësi ta paraqitin brenda afatit që u ka caktuar gjykata, janë të detyruar të njoftojnë gjykatën për mosparaqitjen e shkresës në afat, duke treguar edhe shkaqet. Gjykata, kur nuk i gjen me vend shkaqet e treguara, si dhe kur nuk është lajmëruar se dokumenti i kërkuar nuk ka mundësi të dërgohet, ka të drejtë të dënojë personat përgjegjës, sipas nenit 167 të këtij Kodi.

  • Neni 277
  • Pala kundër së cilës është paraqitur si provë një shkresë mund të kundërshtojë vërtetësinë e saj në njërën nga këto mënyra:
    a) duke mohuar shkrimin ose nëshkrimin e saj në shkresën e thjeshtë;
    b) duke deklaruar se nuk di që shkrimi ose nënshkrimi në shkresën e thjeshtë të jetë e trashëgimlënësit të saj ose i personit nga i cili ajo heq të drejta;
    c) duke pretenduar se dokumenti është i falsifikuar.

  • Neni 278
  • Filmat fotografikë, kinematografikë e regjistrime të tjera Filmat fotografikë ose filmat kinematografikë, kasetat e çdo Iloji, si dhe çdo lloj tjetër regjistrimi, mund të përbëjnë provë për ngjarjet e sendet që janë regjistruar, kur gjykata bindet për saktësinë e vërtetësinë e tyre. Për këtë qëllim ajo mund të thërrasë edhe ekspertë kompetentë.

  • Neni 279
  • Fotografitë ose fotokopjet e shkresave kanë fuqi të njëjtë me origjinalin, përderisa saktësia e tyre vërtetohet nga personi,që sipas ligjit, është kompetent të nxjerrë kopje.

  • Neni 280
  • Gjykata, pas kontrollimit të vërtetësisë së dokumentit, me vendimin që jep gjatë gjykimit ose me vendimin përfundimtar, shprehet nëse dokumenti është ose jo i vërtetë. Kur rezulton se dokumenti nuk është i vërtetë, gjykata e përjashton këtë nga provat dhe, në qoftë se rezulton se dokumenti është i falsifikuar, ia dërgon prokurorit për të bërë ndjekje penale.
    Gjykata, me vendimin që pranon se dokumenti është i vërtetë, dënon palën që ka pretenduar falsifikimin ose që ka mohuar shkrimin ose nënshkrimin e saj me gjobë deri në 50 000 lekë.