strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU X - Këqyrja e personave, sendeve dhe këqyrja në vend, eksperimentimi

  • Neni 286
  • Kur çmohet e nevojshme nga gjykata që një person ose një send të këqyren drejtpërdrejt prej saj, kryesisht ose me kërkesën e palëve, vendos që të bëhet këqyrja në vend e tyre me ose pa ekspertë.

  • Neni 287 - Procedura e këqyrjes
  • Këqyrja e personave, e vendeve, e sendeve të luajtshme ose të paluajtshme, bëhet me vendim të gjykatës, në të cilën caktohet koha, vendi dhe mënyra e këqyrjes.
    Këqyrja në vend bëhet nga vetë gjykata ose nga gjyqtari i deleguar prej saj ose nga gjyqtari i vendit ku do të bëhet këqyrja. Kur është e nevojshme mund të jetë i pranishëm edhe një ekspert teknik, i cili vepron sipas rregullave të parashikuara në kreun VI të pjesës së dytë të këtij Kodi.
    Për kryerjen e këqyrjes palët njoftohen rregullisht.

  • Neni 288 - Mosprekja e dinjitetit personal
  • Gjykata në këqyrjen e një personi duhet të bëjë kujdes që të mos preket dinjiteti personal. Ajo mund të mos jetë vetë e pranishme dhe të ngarkojë me këtë detyrë një ekspert të përshtatshëm.

  • Neni 289 - Kryerja e prodhimeve fotografike dhe e filmimeve
  • Gjykata mund të vendosë që të kryhen edhe riprodhime fotografike të objekteve, dokumenteve dhe sendeve dhe kur është e nevojshme dhe e mundshme edhe filmime të tyre ose të përdorë mjete e veprime të tjera mekanike.
    Gjykata për t’u siguruar në ekzistencën e një fakti mund të urdhërojë që kjo të verifikohet duke proceduar në një mënyrë të caktuar për riprodhimin e tij, duke siguruar prova me anë fotografish ose me filmime. Gjykata drejton vetë eksperimentin,ose kur e sheh me vend ia beson këtë një eksperti duke zbatuar rregullat për emërimin dhe përgjegjësinë e ekspertit, të parashikuara në këtë Kod.

  • Neni 290 - E drejta e gjykatës për të siguruar sende e të dhëna të nevojshme në këqyrje
  • Gjatë këqyrjes ose eksperimentit gjykata, kur e sheh të nevojshme, mund të dëgjojë dëshmitarë për të marrë të dhëna dhe për të siguruar paraqitjen e sendeve, si dhe të marrë masa për të hyrë në vende që duhet të ekspozohen ose të shqyrtohen nga gjykata.
    Ajo mund të urdhërojë futjen në vendet që janë në pronësi ose në posedimin e personave që nuk lidhen me proces gjyqësor, mund të dëgjojë këta të fundit, duke marrë masat e nevojshme që të mos dëmtohen interesat e tyre.

  • Neni 291 - Përmbajtja e procesverbalit të këqyrjes
  • Për këqyrjen në vend dhe në çdo këqyrje tjetër që bëhet jashtë gjykatës mbahet procesverbal në të cilin tregohen palët që kanë marrë pjesë, pretendimet dhe vërejtjet e tyre rreth këqyrjes dhe përfundimi i këqyrjes. Procesverbali nënshkruhet, sipas rastit, nga të gjithë gjyqtarët ose nga gjyqtari i vetëm, si dhe nga palët dhe personat e tjerë të ndodhur gjatë këqyrjes.