A. Pezullimi i gjykimit

  • Neni 297
  • Gjykata vendos pezullimin e gjykimit kur:
    a) çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër penale, civile ose administrative;
    b) kërkohet nga të dyja palët;
    c) njëra nga palët vdes ose mbaron personi juridik;
    ç) njëra nga palët nuk ka ose më vonë ka humbur zotësinë juridike për të vepruar si palë dhe shihet e nevojshme t’i emërohet një përfaqësues ligjor;
    d) parashikohet shprehimisht në ligj.

    Gjatë pezullimit nuk mund të kryhen veprime procedurale.

  • Neni 298
  • Në rastet e parashikuara nga shkronjat “c” dhe “ç” të nenit të mësipërm, pezullimi i gjykimit vazhdon gjersa të paraqitet për të marrë pjesë në çështje, ose të thirret nga pala kundërshtare, personi që hyn në të drejtat ose përfaqësuesi ligjor i palës që ka humbur zotësinë për vepruar si palë.
    Në rastet e parashikuara nga shkronjat “a”, “b” dhe “d” të nenit të mësipërm, gjykimi i çështjes rifillon pasi të jenë zhdukur pengesat që shkaktuan pezullimin e tij. Në këto raste, edhe kur nuk është caktuar seanca e ardhshme, pala e interesuar i drejtohet gjykatës me kërkesë për vazhdimin e gjykimit. Gjykata cakton datën e seancës për vazhdimin e gjykimit dhe urdhëron që kjo t’u njoftohet palëve.
    Gjykata mundet që edhe kryesisht të marrë masa për mënjanimin e këtyre pengesave. Gjykimi fillon nga veprimi procedural i mbetur në kohën e pezullimit të tij.