strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU XIII - Përfundimi i hetimit gjyqësor dhe dhënia e vendimit

  • Neni 302 - Përfundimi i hetimit gjyqësor
  • Pasi të jenë shqyrtuar të gjitha provat që gjykata ka pranuar të merren, pyeten palët nëse kanë kërkesa të tjera në dobi të gjykimit të çështjes dhe, në rast se ato nuk pranohen, gjykata i jep fund hetimit gjyqësor dhe fton palët të parashtrojnë pretendimet përfundimtare të tyre rreth çështjes në gjykim. Si rregull, ato i parashtrohen gjykatës me shkrim. Me kërkesën e palëve, kur kjo shihet me vend, gjykata u jep atyre një afat deri në 5 ditë, për të përgatitur parashtresat e tyre.

  • Neni 303 - Bisedimet përfundimtare
  • Në bisedimet përfundimtare, i pari e merr fjalën paditësi dhe ndërhyrësi dytësor që është bashkuar me atë e pas tij, i padituri e ndërhyrësi dytësor i bashkuar me atë dhe, kur në çështje merr pjesë edhe ndërhyrësi kryesor, ai e merr fjalën pasi flasin paditësi dhe i padituri. Këta të fundit pas ndërhyrësit kryesor kanë të drejtë të marrin përsëri fjalën.
    Prokurori në çështjet që ka ngritur vetë padi flet i pari, ndërsa në çështjet në të cilat ka marrë pjesë e merr fjalën pas palëve.

  • Neni 304 - Kërkesa për riçeljen e hetimit gjyqësor
  • Pasi i është dhënë fund hetimit gjyqësor, nuk mund të merren prova të tjera. Kur palët e shohin të nevojshme paraqitjen e tyre, kërkojnë çeljen e hetimit gjyqësor. Për këtë kërkesë vendos gjykata sipas vlerësimit të rrethanave të çështjes.

  • Neni 305 - Tërheqja e gjykatës në dhomën e këshillimit
  • Pasi palët kanë parashtruar përfundimet e kërkesat e tyre, gjykata deklaron tërheqjen e saj në dhomën e këshillimit, për të dhënë vendimin përfundimtar.

  • Neni 306 - Dhënia e vendimit
  • Në dhomën e këshillimit, kur bisedohet çështja dhe përpilohet vendimi, qëndrojnë vetëm gjyqtarët që përbëjnë trupin gjykues. Nuk lejohet që gjatë bisedimit të çështjes të hyjnë e të qëndrojnë aty sekretari i seancës, ekspertë ose persona të tjerë.

  • Neni 307
  • Trupi gjykues, nën drejtimin e kryetarit të seancës, shtron për bisedim dhe vendos me radhë për të gjitha çështjet që janë shqyrtuar gjatë gjykimit.
    Së pari voton gjyqtari më i ri në moshë dhe së fundi voton kryetari i seancës. Asnjë nga gjyqtarët nuk mund të abstenojë nga vendimi.
    Mendimi i gjyqtarit të mbetur në pakicë, i parashtruar me shkrim, bashkohet me vendimin.
    Në rast se rreth një çështje propozohen disa zgjidhje e nuk krijohet shumica në votimin e parë, kryetari hedh në votë dy zgjidhje për të përjashtuar njërën e me radhë, derisa zgjidhjet të mbeten vetëm dy, për të cilat bëhet votimi përfundimtar.

  • Neni 308
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 58)

    Vendimi duhet të nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e trupit gjykues që kanë marrë pjesë në dhënien e tij. Gjyqtari, mendimi i të cilit ka mbetur në pakicë, shkruan fjalën “kundër”dhe nënshkruan vendimin.
    Në çështje të ndërlikuara, gjykata mund të shpallë vetëm dispozitivin e vendimit, duke e dorëzuar atë të arsyetuar në sekretari jo më vonë se dhjetë ditë ose të shtyjë shpalljen e arsyetuar të vendimit, deri në pesë ditë. Arsyetimi i vendimit bëhet nga kryetari i seancës, përveç kur ai ia beson këtë njërit prej anëtarëve të trupit gjykues.

  • Neni 309
  • Vendimi mbështetet vetëm në të dhëna që ndodhen në aktet dhe që janë shqyrtuar në seancë gjyqësore.
    Gjykata çmon provat e marra gjatë gjykimit të çështjes, sipas bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi i të gjitha rrethanave të çështjes në tërësinë e tyre.

  • Neni 310
  • Përmbajtja e vendimit të gjykatës Vendimi duhet të përmbajë hyrjen, pjesën përshkruese-arsyetuese dhe pjesën urdhëruese.

    I. Në hyrjen e vendimit duhet të përmenden:
    1. gjykata që ka gjykuar çështjen,
    2. trupi gjykues dhe sekretari,
    3. koha dhe vendi i dhënies së vendimit,
    4. palët, duke u shënuar identiteti dhe cilësia e tyre si paditës, i paditur, ndërhyrës, si dhe përfaqësuesit e tyre, 5. emri i prokurorit, nëse ka marrë pjesë,
    6. objekti i padisë,
    7. kërkimet përfundimtare të palëve,
    8. mendimi i prokurorit nëse ka marrë pjesë.

    II. Në pjesën përshkruese-arsyetuese duhet të përmenden:
    1. rrethanat e çështjes, ashtu siç janë konstatuar gjatë gjykimit dhe përfundimet e nxjerra nga gjykata, 2. provat dhe arsyet në të cilat mbështetet vendimi,
    3. dispozitat ligjore në të cilat bazohet vendimi.

    III. Në pjesën urdhëruese, ndër të tjera, duhet të përmenden:
    1. çfarë vendosi gjykata,
    2. kujt i ngarkohen shpenzimet gjyqësore,
    3. e drejta për të bërë ankim dhe afati për paraqitjen e tij.

  • Neni 311
  • Kur vendimi përmban detyrimin për dorëzimin e një sendi në natyrë ose detyrimin për kryerjen e një veprimi të caktuar, gjykata mund të tregojë në vendim afatin për ekzekutimin e vendimit.
    Gjykata mund të caktojë një afat për ekzekutimin e detyrimit në të holla ose ta ndajë atë me këste, me kërkesën e palës së interesuar, duke pasur parasysh gjendjen pasurore të palëve dhe rrethanat e tjera të çështjes.

  • Neni 312 - Ndreqja e gabimeve
  • Pas shpalljes së vendimit gjykata nuk mund ta anulojë ose ta ndryshojë atë. Ajo, me kërkesën e palëve ose kryesisht, mund të ndreqë në çdo kohë vetëm gabimet e bëra në shkrim ose në llogari ose ndonjë pasaktësi të dukshme të vendimit.
    Gjykata, pasi thërret palët, në seancë, e shqyrton kërkesën sipas rregullave të këtij Kodi, jep vendim, i cili i bashkohet vendimit të ndrequr.
    Kundër vendimit të dhënë për rastet e parashikuara në paragrafin e dytë të këtij neni, mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit.

  • Neni 313 - Plotësimi i vendimit
  • Secila nga palët, brenda tridhjetë ditëve nga shpallja e vendimit, mund të kërkojë plotësimin e vendimit, në rast se gjykata nuk është shprehur mbi të gjitha kërkesat për të cilat pala ka paraqitur prova.
    Gjykata e shqyrton kërkesën me të njëjtin trup gjykues, pasi thërret palët dhe jep këtë vendim plotësues.
    Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, sipas rregullave të përgjithshme.

  • Neni 314 - Sqarimi dhe interpretimi i vendimit
  • Gjykata ka të drejtë të japë sqarime ose të bëjë interpretimin e vendimit që ajo ka dhënë kur ky është i errët dhe e kërkojnë palët.
    Kërkesa për sqarimin dhe interpretimin e vendimit mund të paraqitet në çdo kohë, gjersa vendimi nuk është ekzekutuar.
    Kundër vendimeve të mësipërme mund të bëhet ankim i veçantë sipas rregullave të përgjithshme.

  • Neni 315 - Vendimet e ndërmjetme
  • Vendimet që jepen gjatë gjykimit dhe që nuk janë përfundimtare, mund të ndryshohen ose të revokohen nga gjykata që i ka dhënë, përveç kur në këtë Kod parashikohet se kundër tyre mund të bëhet ankim i veçantë.

  • Neni 316 - Njoftimi i vendimeve
  • Vendimet e dhëna nga gjykata në përfundim të gjykimit, si dhe vendimet e ndërmjetme, për të cilat është parashikuar e drejta e ankimit, u njoftohen palëve ose pjesëmarrësve të tjerë në proces, kur gjykimi është zhvilluar në mungesë të tyre, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë Kod.
    Njoftimi bëhet sipas rregullave të parashikuara në nenet 130 dhe 131 të këtij Kodi.