KREU I - Dispozita të përgjithshme

  • Neni 320
  • Në përbërje të gjykatave të shkallës së parë krijohen seksione të veçanta për gjykimin e:
    a)mosmarrëveshjeve administrative;
    b)mosmarrëveshjeve tregtare;
    c)mosmarrëveshjeve që lidhen me të miturit dhe familjen.

  • Neni 321
  • Presidenti i Republikës me propozimin e Ministrit të Drejtësisë cakton gjykatat në të cilat do të krijohen këto seksione, si dhe zonat ku do të shtrijnë kompetencat ato, mbi bazën e bashkimit të kompetencave tokësore të një apo disa gjykatave të rretheve.
    Ministri i Drejtësisë cakton numrin e gjyqtarëve për çdo seksion dhe kujdeset për kualifikimin e tyre sipas seksionit përkatës.

  • Neni 322
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

    Kur është në interesin e një ndarje të drejtë të punës, kryetari i gjykatës së shkallës së parë ose zëvendësi i tij, në periudha të caktuara, mund të ngarkojë gjyqtarët e caktuar në seksione edhe me gjykimin e çështjeve të një natyre tjetër, që nuk janë të kompetencës së seksioneve të ngritura në këtë gjykatë.

  • Neni 323
  • Dispozitat e pjesës së parë dhe të dytë të këtij Kodi janë të zbatueshme për të gjitha gjykimet e posaçme, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë titull dhe në titullin IV të kësaj pjese.