strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU VII - Heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar

  • Neni 382 - Kush e bën kërkesën
  • Heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar bëhet me kërkesë të bashkëshortit, gjinisë së afërt, të prokurorit, si dhe të personave që kanë interes të ligjshëm për këtë fakt.
    Kërkesa i paraqitet gjykatës së vendit ku ka banimin personi që kërkohet t’i hiqet ose kufizohet zotësia për të vepruar.

  • Neni 383
  • Kërkesa për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar i njoftohet prokurorit. Kërkesa duhet të përmbajë faktin në të cilin ajo bazohet si dhe provat e nevojshme.
    Gjykata vendos lidhur me kërkesën, pasi të ketë pyetur personin për të cilin kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, persona nga gjinia e afërt e tij, mjekun që e ka kuruar ose pasi të ketë marrë mendimin e mjekëve të tjerë ekspertë, si dhe prova të tjera që do t’i çmojë të nevojshme.
    Pyetja e personit të cilit i kërkohet t’i hiqet ose kufizohet zotësia për të vepruar, bëhet në institucionin që është shtruar për mjekim ose në banesën e tij nga një gjyqtar i deleguar, kur nuk është e mundur të paraqitet vetë në gjykatë.

  • Neni 384 - Kujdestari i përkohshëm
  • Gjykata, në çdo fazë të gjykimit, mund t’i emërojë personit, për të cilin kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, një kujdestar të përkohshëm.
    Pasi vendimi i gjykatës merr formën e prerë, i dërgohet organit kompetent për të emëruar një kujdestar.

  • Neni 385 - Ankimi
  • Kundër vendimit për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar, mund të bëjnë ankim vetë personi i mësipërm, kujdestari i përkohshëm i tij, personi që ka bërë kërkesën, si dhe të gjithë personat e tjerë që sipas nenit 382 të këtij Kodi kanë të drejtë të kërkojnë heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar, pavarësisht nga pjesëmarrja ose jo e tyre në gjykimin e kësaj çështjeje. Në këtë rast gjykata i lejon ata të njihen me materialet e dosjes gjyqësore.

  • Neni 386 - Dispozitë referuese
  • Dispozitat e parashikuara në këtë kre zbatohen edhe për kthimin e zotësisë për të vepruar.

  • Neni 387 - Marrja dijeni e personave të interesuar për vendimin e gjykatës
  • Pasi vendimi me të cilin hiqet, kufizohet ose kthehet zotësia për të vepruar merr formë të prerë, një shkurtim i tij u dërgohet të gjithë gjykatave, për t’u regjistruar në një formë të veçantë, me të cilën mund të marrë dijeni cilido që ka interes.
    Gjykata i dërgon një shkurtim të këtij vendimi edhe Dhomës Kombëtare të Noterëve, e cila ua bën të njohur dhomave të noterëve nëpër rrethe.