KREU I - Dispozita të përgjithshme

  • Neni 400
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 61)

    Dispozitat e këtij kreu vlejnë për procedurën e gjykimeve të arbitrazhit, kur pjesëmarrësit në proces janë me banim ose vendqëndrim në Republikën e Shqipërisë dhe kur vendi i procedurës së arbitrazhit ndodhet në territorin e saj.

  • Neni 401 - Përcaktime
  • (Shfuqizuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 62)

    - Me “procedurë arbitrazhi” kuptohet çdo procedurë e sistemit gjyqësor të arbitrazhit pavarësisht nëse ajo zhvillohet ose jo nga një institucion i përhershëm arbitrazhi.
    - Me “gjykatë arbitrazhi” kuptohet një gjyqtar i vetëm arbitrazhi ose trup gjykues arbitrazhi.

  • Neni 402 - Kompetenca lëndore
  • Çdo pretendim pasuror ose kërkesë që rrjedh nga një marrëdhënie pasurore, mund të jetë objekt i një gjykimi të arbitrazhit.
    Kur njëra palë është shteti ose një ndërmarrje apo organizatë e kontrolluar prej tij, ajo nuk mund të pretendojë të drejtën për të mos qenë palë në një procedurë arbitrazhi.

  • Neni 403 - Marrëveshja për arbitrazh
  • Mund të gjykohet me procedurë arbitrazhi vetëm në qoftë se ekziston një marrëveshje e palëve, me anë të së cilës ato pranojnë t’ia nënshtrojnë arbitrazhit mosmarrëveshjet që kanë lindur ose mund të lindin nga një kontratë e lidhur ndërmjet tyre.

  • Neni 404 - Pavlefshmëria e marrëveshjes për arbitrazh
  • (Ndryshuar paragrafi I, II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 63)

    Është i pavlefshëm kushti për gjykimin e mosmarrëveshjes me arbitrazh, kur nuk pasqyrohet me shkrim në vet marrëveshjen kryesore të palëve ose me një dokument tjetër të shkruar që i referohet asaj, siç mund të jetë telegrami, teleksi e çdo mjet tjetër i saktë që përbën provë shkresore.
    Marrëveshja e palëve, sipas paragrafit të parë, është e pavlefshme, në rast se në atë nuk parashikohet mënyra e caktimit të arbitrit ose arbitrave, si dhe objekti i mosmarrëveshjes, kur ajo efektivisht ka lindur.
    Marrëveshja për gjykimin me procedurë arbitrazhi shfuqizohet, kur një arbitër i caktuar sipas kësaj procedure nuk pranon misionin e besuar.

  • Neni 405 - Caktimi i numrit të arbitrave
  • (Ndryshuar fjalia II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 64)

    Palët mund të merren vesh në mënyrë të pavarur për numrin e arbitrave në një gjykatë arbitrazhi dhe për mënyrën e caktimit të tyre. Në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet palëve dhe me pëlqimin paraprak të tyre, gjykata e arbitrazhit formohet nga një arbitër ose më shumë arbitra në numrin tek, që caktohen nga gjykata.

  • Neni 406 - Fillimi i procedurës së arbitrazhit
  • Shqyrtimi i mosmarrëveshjes me procedurë arbitrazhi fillon me kërkesën e të dyja palëve ose të palës së interesuar.
    Marrëveshja për gjykimin e çështjes me procedurë arbitrazhi mund të arrihet edhe pasi ka filluar gjykimi nga një gjykatë kompetente. Në një rast të tillë procesverbali i seancës gjyqësore nënshkruhet nga gjykata dhe nga palët ose përfaqësuesit e tyre.