Neni 432 - Urdhri i ekzekutimit të vendimit të gjykatës së arbitrazhit

Vendimi i gjykatës së arbitrazhit është i formës së prerë në lidhje me mosmarrëveshjen e shqyrtuar, sapo shpallet, përveç rasteve të parashikuara nga neni 434 i këtij Kodi.
Ai bëhet i ekzekutueshëm forcërisht në bazë të një urdhri ekzekutimi të lëshuar nga gjykata e shkallës së parë të vendit ku është dhënë vendimi. Për një qëllim të tillë, në sekretarinë e gjykatës depozitohet origjinali i vendimit me një kopje të marrëveshjes së arbitrazhit, nga një prej arbitrave ose nga pala e interesuar.
Kundër vendimit të gjykatës që lëshon urdhër ekzekutimin nuk lejohet ankim.