KREU I - Procedura e rekursit

  • Neni 472
  • Vendime ndaj të cilave mund të ushtrohet rekurs
    (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 87)
    Vendimet e shpallura nga gjykata e apelit dhe ato të gjykatës së shkallës së parë, në rastet që përcaktohen nga ky Kod, mund të ankimohen me rekurs në Gjykatën e Lartë vetëm kur: a) nuk është respektuar ose është zbatuar keq ligji;

    b)ka shkelje të rënda të normave procedurale (neni 467 i këtij
    Kodi);
    c)për shkelje procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit.
    Kundërshtimi i vendimit në Gjykatën e Lartë bëhet brenda 30 ditëve nga data e dhënies së vendimit. Kur palët janë në mungesë, ky
    afat fillon nga data e njoftimit.

  • Neni 473
  • (Shfuqizuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 88)

  • Neni 474 - Nënshkrimi i rekursit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

    Rekursi që i drejtohet Gjykatës së Lartë nënshkruhet nga vetë pala, avokati apo përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë.

  • Neni 475
  • Përmbajtja e rekursit Rekursi duhet të përmbajë:

    a) palët ndërgjyqëse;
    b) vendimin që kundërshtohet;
    c) paraqitjen e përmbledhur të fakteve të çështjes;
    ç) shkaqet për të cilat kërkohet prishja e vendimit, duke iu referuar normave ligjore mbi të cilat mbështetet;
    d) prokurën nëse rekursi është bërë nga avokati ose nga përfaqësuesi i ankuesit.

  • Neni 476 - Depozitimi i rekursit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 89, 126)

    Rekursi depozitohet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin, në afatin prej 30 ditësh nga njoftimi që u është bërë palëve.
    Së bashku me rekursin duhet të depozitohet:
    a) kopja e vërtetuar e vendimit të kundërshtuar dhe kur është rasti edhe e njoftimit kur ky është bërë;
    b) prokura e posaçme;
    c) aktet dhe dokumentet mbi të cilat është bazuar rekursi, në aq kopje sa janë palët. Sekretaria e gjykatës, që ka dhënë vendimin e kundërshtuar, përcjell zyrtarisht në sekretarinë e Gjykatës së Lartë dosjen përkatëse së bashku me dokumentet e mësipërme.

    Kur nuk plotësohen këto kushte, palës i caktohet një afat 10-ditor për të bërë plotësimet dhe, nëse pas këtij afati nuk bëhen plotësimet, rekursi kthehet.

  • Neni 477
  • Kundërrekursi Pala kundër së cilës është paraqitur rekursi, mund ta kundërshtojë atë me kundërrekurs, i cili duhet t’i njoftohet atij që ka bërë rekursin në vendbanimin e tij brenda 20 ditëve nga njoftimi i rekursit. Në mungesë të këtij njoftimi nuk mund të paraqesë kundërrekurs, por vetëm mund të marrë pjesë në diskutim me gojë.
    Për kundërrekursin zbatohen rregullat e parashikuara në nenet 456 dhe 457 të këtij Kodi.

  • Neni 478 - Paraqitja e dokumenteve të tjera
  • Nuk pranohet depozitimi i akteve dhe dokumenteve që nuk janë paraqitur në shkallën e mëparshme të gjykimit, përveç atyre që kanë të bëjnë me vendimin e ankimuar dhe pranimin e rekursit ose të kundërrekursit.
    Depozitimi i dokumenteve si më sipër duhet t’i njoftohet palëve të tjera.

  • Neni 479 - Pezullimi i ekzekutimit të vendimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

    Gjykata e Lartë pezullon ekzekutimin e vendimit kur:

    a) ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme;
    b) pala që ka bërë rekursin depoziton garanci materiale që siguron ekzekutimin vendimit.

  • Neni 480 - Mospranimi i rekursit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

    Rekursi nuk pranohet në qoftë se bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që i lejon ligji. Mospranimi i rekursit vendoset nga kolegji i Gjykatës së Lartë në dhomën e këshillimit pa pjesëmarrjen e palëve.