TITULLI I - Dispozita të përgjithshme

  • Neni 510 - Titujt ekzekutivë
  • (Ndryshuar shkronja “d” me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 105;
    ndryshuar shkronja “d” me ligjin nr.9953, datë 14.7.2008 neni 1;
    ndryshuar shkronja “a” me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 15)

    Ekzekutimi i detyrueshëm mund të bëhet vetëm në bazë të një titulli ekzekutiv.

    Janë tituj ekzekutivë:
    a) vendimet civile të formës së prerë të gjykatës, që përmban një detyrim, vendimet e dhëna prej saj për sigurimin e padisë, si dhe për ekzekutimin e përkohshëm;
    b) vendimet penale të formës së prerë në pjesën që bëjnë fjalë për të drejta pasurore;
    c)vendimet e gjykatave e të arbitrazheve të shteteve të huaja që u është dhënë fuqi sipas dispozitave përkatëse të këtij Kodi;
    ç) vendimet e një gjykate arbitrazhi në Republikën e Shqipërisë;
    d) aktet noteriale që përmbajnë detyrim në të holla, si dhe aktet për dhënien e kredive bankare ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare;
    dh) kambialet, çeqet e letrat me urdhër që barazohen me ato;
    e) aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e tyre.

  • Neni 511 - Urdhri i ekzekutimit
  • (Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 106;
    ndryshuar fjalia e dytë e paragrafit të parë dhe paragrafi i fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 16)

    Titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim me kërkesën e kreditorit.

    Për këtë qëllim lëshohet urdhri i ekzekutimit, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit, i cili jepet:
    a) për rastet e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b” të nenit të mësipërm, nga gjykata që ka dhënë vendimin;
    b) për vendimet e gjykatave të shteteve të huaja e të gjykatave të arbitrazhit të huaj që u është dhënë fuqi zbatimi sipas dispozitave të këtij Kodi nga gjykata e apelit;
    c) për rastet e parashikuara nga shkronja “ç” e nenit të mësipërm nga gjykata e vendit ku është dhënë vendimi;
    ç) për rastet e parashikuara nga shkronjat “d”, “dh” dhe “e” nga gjykata e vendit ku është caktuar të bëhet ekzekutimi.

    Nuk lëshohet urdhri i ekzekutimit për vendimin e sigurimit të padisë dhe për gjobat e dhëna nga gjykata, të cilat ekzekutohen drejtpërdrejt nga zyra e përmbarimit, pas njoftimit të vendimit.

  • Neni 512 - Ankimi për mosdhënien e urdhrit të ekzekutimit
  • Kundër vendimit me të cilin refuzohet dhënia e urdhrit të ekzekutimit, mund të bëhet ankim sipas rregullave mbi ankimet e veçanta.

  • Neni 513 - Urdhri i ekzekutimit për pasuri dhe persona të veçantë
  • Urdhri i ekzekutimit lëshohet vetëm në një kopje.
    Kur duhet të dorëzohen disa pasuri të veçanta ose kur titulli ekzekutiv është dhënë në dobi ose kundër disa personave, mund të lëshohen urdhra ekzekutimi të veçantë, duke shënuar se cila pjesë e titullit duhet të ekzekutohet për çdo urdhër ekzekutimi.

  • Neni 514 - Lëshimi i dublikatës së urdhrit të ekzekutimit
  • Kur urdhri i ekzekutimit humbet ose zhduket, gjykata që e ka lëshuar, me kërkesë të kreditorit, mund t’i lëshojë këtij dublikatë në bazë të titullit ekzekutiv.
    Kërkesa shqyrtohet në këshill gjyqësor pasi debitorit t’i jetë dorëzuar një kopje e saj.
    Kur humbet ose zhduket vetë titulli ekzekutiv dhe nuk ka mundësi që përmbajtja e tij të nxirret nga aktet e organeve që kanë lëshuar titullin ekzekutiv, kreditori mund të ngrejë padi kundër debitorit, sipas rregullave të përgjithshme.

  • Neni 515 - Vënia në ekzekutim
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 17)

    Urdhri i ekzekutimit vihet në ekzekutim nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, shtetëror ose privat, me anë të përmbaruesit gjyqësor, në bazë të kërkesës së kreditorit.

    Kreditori, përveç kërkesës për ekzekutim, duhet të paraqesë:
    a) titullin ekzekutiv (origjinal ose i noterizuar);
    b) urdhrin e ekzekutimit (origjinal);
    c) pagesën e tarifës së vënies në ekzekutim;
    ç) sipas rastit, prokurën e personit, që përfaqëson palën kreditore.

    Kur nuk plotësohen në rregull dokumentet e mësipërme për vënien në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit, përmbaruesi i lë kërkuesit një afat 5-ditor për plotësimin e mangësive. Kur kërkuesi nuk plotëson këto mangësi brenda afatit të caktuar, dokumentacioni i kthehet atij.
    Kur mangësitë janë shmangur në afatin e caktuar, kërkesa për vënien në ekzekutim quhet e regjistruar nga data që është paraqitur pranë përmbaruesit gjyqësor.
    Vënia në ekzekutim e urdhrit të ekzekutimit bëhet brenda 15 ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës së kreditorit.
    Vendimi i gjykatës për masën e sigurimit të padisë dhe gjobat e gjykatës vihen në ekzekutim brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes për ekzekutim.
    Tarifa për vënien në ekzekutim të urdhrit ekzekutiv nuk parapaguhet në raste të parashikuara me ligj apo akte të tjera normative.

  • Neni 516 - Kompetenca tokësore e përmbaruesit gjyqësor
  • (Shtuar fjalia e fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 18)

    Kërkesa për zbatimin e urdhrave të ekzekutimit i drejtohet përmbaruesit gjyqësor të vendit ku ndodhen:
    a) sendet e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë, ndaj të cilave drejtohet ekzekutimi;
    b) banimi i personit të tretë të detyruar kur ekzekutimi drejtohet kundër kredisë që ka për të marrë debitori nga ky person;
    c) vendi i ekzekutimit të detyrimit për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar.

    Kur përmbaruesi gjyqësor konstaton se nuk është kompetent për të vënë në ekzekutim kërkesën, ia dërgon këtë përmbaruesit gjyqësor kompetent, pasi vë më parë sekuestër mbi sendin ose mbi kredinë e debitorit.
    Konflikti për kompetencë nuk lejohet, por përmbaruesi gjyqësor ka të drejtë të parashtrojë moskompetencën e tij në gjykatën e shkallës së parë ku e ushtron veprimtarinë, e cila e shqyrton atë në këshill gjyqësor. Kundër vendimit të tij lejohet ankim i veçantë.
    Ky nen nuk zbatohet për personat, përmbaruesit gjyqësorë, që ushtrojnë veprimtarinë publike të shërbimit përmbarimor gjyqësor, të organizuar mbi baza private.

  • Neni 516/a
  • (Shtuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 19)

    Në çastin e fillimit të procedurës së ekzekutimit, përmbaruesi gjyqësor, në bazë të nenit 515 të këtij ligji, duhet të regjistrojë, në regjistrin qendror pranë Ministrisë së Drejtësisë, çdo kërkesë. Çdo përmbarues gjyqësor është i detyruar të njihet me të dhënat e regjistrit.
    Nëse me fillimin e procedurës me objekt “Ekzekutim detyrimesh në të holla” përmbaruesi gjyqësor, nga të dhënat e marra nga regjistri qendror, vëren se kreditorë të tjerë janë në procedurë ekzekutimi ndaj të njëjtit debitor, me të njëjtin objekt, atëherë pezullon procedurën e nisur dhe drejton kreditorin e tij te përmbaruesi gjyqësor, i cili ka regjistruar i pari kërkesën për ekzekutim.
    Në këtë rast, përmbaruesi gjyqësor, që ka regjistruar i pari kërkesën, vijon procedurën e ekzekutimit, në përputhje edhe me nenin 534 e në vijim të këtij Kodi.
    Me pezullimin e procedurës së ekzekutimit, tarifa e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit, së bashku me dokumentacionin, i kthehen kreditorit.
    Ky nen nuk zbatohet kur në cilësinë e palës debitore është shteti.

  • Neni 517 - Lajmërimi për ekzekutimin vullnetar
  • (Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 107;
    ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 20)

    Përmbaruesi gjyqësor, kur fillon ekzekutimin, i dërgon debitorit një lajmërim për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit, duke i caktuar për këtë një afat prej 5 ditësh, kur objekti i tij është pagë ose detyrim për ushqim dhe prej 10 ditësh në të gjitha rastet e tjera.
    Me marrjen e lajmërimit për ekzekutim vullnetar, debitori është i detyruar të deklarojë, me shkrim, gjendjen e tij pasurore, si dhe sendet ose kredi që persona të tretë i detyrohen, nëse kjo kërkohet nga përmbaruesi gjyqësor.
    Me kërkesën e debitorit, gjykata e shkallës së parë e vendit të ekzekutimit, në raste të veçanta, duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit ose rrethanat e tjera të çështjes, pasi dëgjon edhe kreditorin mund të shtyjë afatin e ekzekutimit të detyrimit në të holla ose ta ndajë këtë detyrim në këste. Vendimi jepet në seancë gjyqësore, brenda 20 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. dhe kundër tij mund të bëhet ankim i veçantë.

  • Neni 518 - Përmbajtja e lajmërimit
  • Lajmërimi duhet të përmbajë një shkurtim të përmbajtjes së urdhrit të ekzekutimit, vendin dhe adresën e kreditorit, dhe paralajmërimin që i bëhet debitorit se do të fillojë ekzekutimi i detyrueshëm, në qoftë se ekzekutimi nuk ekzekutohet vullnetarisht prej tij brenda afatit të caktuar në lajmërim.
    Në rast se debitori vdes pas vënies në ekzekutim të titullit, por para se të jenë përfunduar së kryeri veprimet e nevojshme të ekzekutimit, përmbaruesi gjyqësor, para se të vazhdojë veprimet e tij, duhet t’u dërgojë trashëgimtarëve të debitorit të vdekur, kur këta janë njohur, një lajmërim të ri për të ekzekutuar këta vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit.

  • Neni 519 - Fillimi i ekzekutimit të detyrueshëm
  • Ekzekutimi i detyrueshëm nuk mund të fillojë para se të kenë kaluar afatet e parashikuara nga neni 517 i këtij Kodi, përveç kur ka rrezik se me kalimin e afatit, ekzekutimi do të bëhet i pamundshëm.
    Në këtë rast, përmbaruesi gjyqësor mund të fillojë menjëherë nga ekzekutimi i detyrueshëm.

  • Neni 520 - Efektet e urdhrit të ekzekutimit ndaj trashëgimtarëve
  • Urdhri i ekzekutimit kundër debitorit trashëgimlënës vihet në ekzekutim mbi pasurinë e trashëgimtarëve të tij, por brenda masës së pasurisë së trashëguar prej tyre nga trashëgimlënësi.

  • Neni 521 - Ekzekutimi ndaj personit të tretë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 108)

    Urdhri i ekzekutimit kundër debitorit mund të vihet në ekzekutim edhe kundër personit të tretë, që për sigurimin e detyrimit ka ngarkuar me barrë sipas ligjit një send të tij, kur kreditori kërkon ekzekutimin mbi këtë send.

  • Neni 522 - Ekzekutimi ndaj debitorit që nuk i dihet banimi
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 109;
    ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 21)

    Kur banimi i debitorit nuk dihet, gjykata e shkallës së parë e vendit të ekzekutimit, me kërkesën e përmbaruesit gjyqësor, pasi sqarohet edhe vetë për këtë rrethanë, brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së përmbaruesit gjyqësor i emëron debitorit një përfaqësues, i cili shpërblehet fillimisht nga kreditori sipas nenit 525 të këtij Kodi.

  • Neni 523 - Ndihma nga policia e rendit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 22)

    Kur për ekzekutimin e detyrueshëm është e nevojshme të çelet banesa ose ndonjë ndërtesë tjetër e debitorit, pa praninë e tij ose të një personi madhor të familjes së tij, me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor, detyrohet të jetë i pranishëm përfaqësuesi i njësisë së qeverisjes vendore. Në çdo rast, përmbaruesi gjyqësor kërkon edhe pjesëmarrjen e dy dëshmitarëve të tjerë.
    Në rast nevoje, me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor, Policia e Rendit detyrohet ta mbështesë atë gjatë procedurave të ekzekutimit.
    Kur për ekzekutimin e detyrueshëm është e nevojshme të prishet objekti, të lirohet trualli, të pezullohen punimet, me kërkesë të përmbaruesit gjyqësor, inspektorati ndërtimor pranë pushtetit vendor dhe Inspektorati Kombëtar detyrohen të mbështesin përmbaruesin gjyqësor gjatë procedurave të ekzekutimit.
    Për ekzekutimin e titujve ekzekutivë, me objekt “Takim dhe kujdestari fëmije”, përmbaruesi gjyqësor kërkon asistencën e psikologut, kur ky i fundit është i detyruar në bazë të ligjit për bashkëpunim.

  • Neni 524 - Procesverbali i përmbaruesit
  • Përmbaruesi gjyqësor, për çdo veprim të kryer prej tij, është i detyruar të mbajë procesberval, në të cilin përmenden dita dhe vendi i kryerjes së veprimit, kërkesat dhe deklarimet e bëra nga palët, sendet e marra, shuma e nxjerrë dhe shpenzimet e bëra për ekzekutimin.

  • Neni 525 - Shpenzimet e ekzekutimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 23)

    Tarifat e përcaktuara për ekzekutimin e urdhrit ekzekutiv paguhen fillimisht nga kreditori dhe pas përfundimit të procedurës së ekzekutimit i ngarkohen debitorit. Shpenzimet e tjera gjatë procedurës së ekzekutimit paguhen nga pala, që i ka shkaktuar ato.

  • Neni 526 - Ekzekutimi ndaj personit të huaj
  • Ekzekutimi i detyrueshëm ndaj personit të huaj publik mund të bëhet vetëm me leje të Ministrit të Drejtësisë.

  • Neni 526/a - Fusha e zbatimit
  • (Shtuar me ligjin nr.8535, datë 18.10.1999, neni 1)

    Dispozitat e përgjithshme për ekzekutimin e detyrueshëm zbatohen për të gjitha llojet e titujve ekzekutivë.
    Me ligj mund të vihen rregulla të posaçme për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë të caktuar, duke respektuar kërkesat e neneve 510, 511, 516, 520, 521, 523, 524, 545, 561 dhe 562 të këtij Kodi, edhe sikur të jenë tituj të fushave të veçanta të ekzekutimit të detyrueshëm sipas këtij Kodi.

  • Neni 526/a - Fusha e zbatimit
  • (Shtuar me ligjin nr.8535, datë 18.10.1999, neni 1)

    Dispozitat e përgjithshme për ekzekutimin e detyrueshëm zbatohen për të gjitha llojet e titujve ekzekutivë.
    Me ligj mund të vihen rregulla të posaçme për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë të caktuar, duke respektuar kërkesat e neneve 510, 511, 516, 520, 521, 523, 524, 545, 561 dhe 562 të këtij Kodi, edhe sikur të jenë tituj të fushave të veçanta të ekzekutimit të detyrueshëm sipas këtij Kodi.