Neni 510 - Titujt ekzekutivë

(Ndryshuar shkronja “d” me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 105;
ndryshuar shkronja “d” me ligjin nr.9953, datë 14.7.2008 neni 1;
ndryshuar shkronja “a” me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 15)

Ekzekutimi i detyrueshëm mund të bëhet vetëm në bazë të një titulli ekzekutiv.

Janë tituj ekzekutivë:
a) vendimet civile të formës së prerë të gjykatës, që përmban një detyrim, vendimet e dhëna prej saj për sigurimin e padisë, si dhe për ekzekutimin e përkohshëm;
b) vendimet penale të formës së prerë në pjesën që bëjnë fjalë për të drejta pasurore;
c)vendimet e gjykatave e të arbitrazheve të shteteve të huaja që u është dhënë fuqi sipas dispozitave përkatëse të këtij Kodi;
ç) vendimet e një gjykate arbitrazhi në Republikën e Shqipërisë;
d) aktet noteriale që përmbajnë detyrim në të holla, si dhe aktet për dhënien e kredive bankare ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare;
dh) kambialet, çeqet e letrat me urdhër që barazohen me ato;
e) aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e tyre.