Neni 511 - Urdhri i ekzekutimit

(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 106;
ndryshuar fjalia e dytë e paragrafit të parë dhe paragrafi i fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 16)

Titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim me kërkesën e kreditorit.

Për këtë qëllim lëshohet urdhri i ekzekutimit, brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së kreditorit, i cili jepet:
a) për rastet e parashikuara nga shkronjat “a” dhe “b” të nenit të mësipërm, nga gjykata që ka dhënë vendimin;
b) për vendimet e gjykatave të shteteve të huaja e të gjykatave të arbitrazhit të huaj që u është dhënë fuqi zbatimi sipas dispozitave të këtij Kodi nga gjykata e apelit;
c) për rastet e parashikuara nga shkronja “ç” e nenit të mësipërm nga gjykata e vendit ku është dhënë vendimi;
ç) për rastet e parashikuara nga shkronjat “d”, “dh” dhe “e” nga gjykata e vendit ku është caktuar të bëhet ekzekutimi.

Nuk lëshohet urdhri i ekzekutimit për vendimin e sigurimit të padisë dhe për gjobat e dhëna nga gjykata, të cilat ekzekutohen drejtpërdrejt nga zyra e përmbarimit, pas njoftimit të vendimit.