Neni 515 - Vënia në ekzekutim

(Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 17)

Urdhri i ekzekutimit vihet në ekzekutim nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, shtetëror ose privat, me anë të përmbaruesit gjyqësor, në bazë të kërkesës së kreditorit.

Kreditori, përveç kërkesës për ekzekutim, duhet të paraqesë:
a) titullin ekzekutiv (origjinal ose i noterizuar);
b) urdhrin e ekzekutimit (origjinal);
c) pagesën e tarifës së vënies në ekzekutim;
ç) sipas rastit, prokurën e personit, që përfaqëson palën kreditore.

Kur nuk plotësohen në rregull dokumentet e mësipërme për vënien në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit, përmbaruesi i lë kërkuesit një afat 5-ditor për plotësimin e mangësive. Kur kërkuesi nuk plotëson këto mangësi brenda afatit të caktuar, dokumentacioni i kthehet atij.
Kur mangësitë janë shmangur në afatin e caktuar, kërkesa për vënien në ekzekutim quhet e regjistruar nga data që është paraqitur pranë përmbaruesit gjyqësor.
Vënia në ekzekutim e urdhrit të ekzekutimit bëhet brenda 15 ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës së kreditorit.
Vendimi i gjykatës për masën e sigurimit të padisë dhe gjobat e gjykatës vihen në ekzekutim brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes për ekzekutim.
Tarifa për vënien në ekzekutim të urdhrit ekzekutiv nuk parapaguhet në raste të parashikuara me ligj apo akte të tjera normative.