Neni 517 - Lajmërimi për ekzekutimin vullnetar

(Ndryshuar paragrafi II me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 107;
ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 20)

Përmbaruesi gjyqësor, kur fillon ekzekutimin, i dërgon debitorit një lajmërim për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit, duke i caktuar për këtë një afat prej 5 ditësh, kur objekti i tij është pagë ose detyrim për ushqim dhe prej 10 ditësh në të gjitha rastet e tjera.
Me marrjen e lajmërimit për ekzekutim vullnetar, debitori është i detyruar të deklarojë, me shkrim, gjendjen e tij pasurore, si dhe sendet ose kredi që persona të tretë i detyrohen, nëse kjo kërkohet nga përmbaruesi gjyqësor.
Me kërkesën e debitorit, gjykata e shkallës së parë e vendit të ekzekutimit, në raste të veçanta, duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit ose rrethanat e tjera të çështjes, pasi dëgjon edhe kreditorin mund të shtyjë afatin e ekzekutimit të detyrimit në të holla ose ta ndajë këtë detyrim në këste. Vendimi jepet në seancë gjyqësore, brenda 20 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. dhe kundër tij mund të bëhet ankim i veçantë.