KREU I - Ekzekutimi i detyrimeve në të holla kundrejt personave fizikë e juridikë Dispozita të përgjithshme

  • Neni 527 - Vënia e sekuestros
  • Kur kërkohet ekzekutimi i një detyrimi në të holla, përmbaruesi gjyqësor, me kalimin e afatit të lajmërimit për ekzekutim (neni 517), fillon ekzekutimin e detyrueshëm, duke vënë sekuestër mbi kreditë e debitorit dhe mbi sendet e luajtshme dhe të paluajtshme të tij, në masën që do të jetë e nevojshme për plotësimin e detyrimit.

  • Neni 528
  • (Shtuar fjalia e fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 24)

    Me kërkesën e debitorit, sekuestroja mund të vihet edhe mbi një pasuri tjetër të tij të ndryshme nga ajo që ka treguar kreditori, kur përmbaruesi gjyqësor çmon se kjo plotëson kërkesën e kreditorit. Me kërkesë të debitorit, sekuestroja mund të vihet, përveç pasurive të rënduara me peng dhe hipotekë, edhe mbi një pasuri tjetër të tij, të ndryshme nga ajo që ka treguar kreditori, kur përmbaruesi gjyqësor çmon se ajo plotëson kërkesën e kreditorit.

  • Neni 529 - Sendet mbi të cilat nuk mund të vihet sekuestroja
  • (Shtuar pika 8 me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 25)

    Përjashtohen nga sekuestrimi i pasurisë së debitorit:

    1. sendet e përdorimit personal të debitorit dhe të familjes së tij si: veshjet, shtresat, mbulesat, mobiljet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën e tyre;
    2. ushqimet dhe lëndët djegëse që i nevojiten debitorit dhe familjes së tij për tre muaj;
    3. dekoratat dhe sende kujtimi, letra, shkresa të familjes dhe librat profesionalë;
    4. librat, veglat muzikore, mjetet e artit që nevojiten për veprimtarinë shkencore dhe artistike të debitorit dhe të familjes së tij;
    5. deri 3 dynymë tokë, 2 kafshë për punimin e tokës, 1 lopë, 6 dele ose 6 dhi, fara për mbjelljen e ardhshme, si dhe ushqimi i këtyre kafshëve për 3 muaj për personat që jetojnë me punë bujqësore ose blegtorale;
    6. ndihma që u jepet nënave me shumë fëmijë ose të vetme, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit ose familjarë ose bursa e studimit përveç kur detyrimi është për ushqim. Në këtë rast nuk mund të sekuestrohet më shumë se 1/2 e shumës së pensionit ose të bursës;
    7. frutat natyrore një muaj para se ato të piqen.
    8. Sendet e nevojshme të punës për sigurimin e jetesës.

  • Neni 530 - Shtrirja e sekuestros mbi shpërblimin nga sigurimi
  • Në qoftë se sendet e sekuestruara janë të siguruara, sekuestrimi shtrihet edhe në shpërblimin që u takon nga sigurimi.

  • Neni 531 - Detyrimet e debitorit pas vënies së sekuestros
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 26)

    Shumat e nxjerra, me rastin e ekzekutimit ndaj debitorit, ndaj personit të tretë që i detyrohet debitorit, ndaj blerësit të sendit të shitur në dyqanet me shitje të lirë ose në ankand, derdhen në bankë në llogari të zyrës së përmbarimit ose në llogari të përmbaruesit gjyqësor.

  • Neni 532 - Llogaria e përmbaruesit në bankë
  • Shumat e nxjerra, me rastin e ekzekutimit ndaj debitorit, ndaj personit të tretë që i detyrohet debitorit, ndaj blerësit të sendit të shitur në dyqanet me shitje të lirë ose në ankand, derdhen në bankë në llogari të përmbaruesit gjyqësor.

  • Neni 533 - Sekuestroja mbi pagën e debitorit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 27)

    Pasi zbritet kontributi për sigurimet shoqërore dhe taksat mbi të ardhurat, përmbaruesi gjyqësor sekuestron pagën e debitorit, por pa cenuar minimumin jetik, të përcaktuar sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

  • Neni 534 - Pjesëmarrja e kreditorëve të tjerë
  • Në çdo fazë të ekzekutimit, gjersa nuk është përgatitur nga përmbaruesi gjyqësor projekti i ndarjes së shumave të nxjerra, mund të marrin pjesë në ekzekutim edhe kreditorët e tjerë të po atij debitori.
    Marrja pjesë e kreditorëve të tjerë në ekzekutim bëhet me kërkesë të tyre të shkruar së cilës i bashkëngjitet urdhri i ekzekutimit ose një vendim nga përmbaruesi gjyqësor se urdhri i ekzekutimit i është bashkëngjitur një çështjeje tjetër që është në ekzekutim.

  • Neni 535
  • Kreditori që merr pjesë në ekzekutim bashkë me kreditorët e tjerë ka po ato të drejta që ka edhe kreditori, i cili ka vënë i pari sekuestron mbi sendet ose kreditë e debitorit, përveç kur ekzistojnë shkaqe të ligjshme të preferimit.
    Veprimet e ekzekutimit, të kryera para se kreditori të marrë pjesë bashkë me kreditorët e tjerë, krijojnë të drejta edhe për ata.

  • Neni 536
  • Shteti quhet gjithmonë si kreditor që merr pjesë bashkë me kreditorët e tjerë për detyrimin që po ai debitor i ka shtetit dhe të cilët rrjedhin nga tatimet dhe nga kredi të tjera, shuma e të cilëve i është njoftuar përmbaruesit gjyqësor, para se të bëhet ndarja e shumave të tjera. Për këtë qëllim, përmbaruesi gjyqësor njofton seksionin përkatës të financës për çdo ekzekutim të filluar prej tij dhe për çdo ndarje që ai bën.

  • Neni 537 - Projekti i ndarjes së shumave
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 112)

    Kur shuma e nxjerrë nga ekzekutimi nuk mjafton për të paguar të gjithë kreditorët, përmbaruesi gjyqësor përgatit projektin e ndarjes, duke veçuar më parë shumat që nevojiten për kreditë që paguhen me preferim dhe nga pjesa tjetër që mbetet, paguan kreditë e tjera në përpjesëtim me shumat e tyre.

  • Neni 538
  • Përmbaruesi gjyqësor njofton për përgatitjen e projektit të ndarjes së shumave të nxjerra debitorin dhe kreditorët, të cilët i thërret për këtë qëllim në një ditë të caktuar prej tij.
    Në qoftë se brenda 5 ditëve nga dita e paraqitjes prej përmbaruesit gjyqësor të projektit të ndarjes nuk bëhet ankim, ndarja quhet përfundimtare dhe përmbaruesi gjyqësor i dorëzon çdo kreditori shumën që i takon.

  • Neni 539 - Ankimi kundër projektit të ndarjes së shumave
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 126)

    Në rast se kundër projektit të ndarjes së shumave të nxjerra bëhet ankim, çështja së bashku me ankesën i dërgohet gjykatës së shkallës së parë e cila vendos në seancë gjyqësore, duke thirrur debitorin dhe kreditorët. Kundër vendimit të gjykatës për ndarjen e shumave të nxjerra mund të bëhet ankim i veçantë në gjykatën e apelit.