strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - Ekzekutimi mbi sendet e luajtshme

  • Neni 540 - Inventarizimi
  • (Shtuar fjalia e fundit me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 28)

    Sekuestroja mbi sendet e luajtshme të debitorit bëhet me inventarizimin e tyre nga përmbaruesi gjyqësor. Përmbaruesi gjyqësor bën sekuestrimin e pasurive të luajtshme, mbi të cilat vendoset një etiketë e shërbimit të përmbarimit.

  • Neni 541
  • Inventarizimi përfshin vetëm sendet që ndodhen në shtëpinë e debitorit, si dhe ato që ndodhen në një lokal tjetër që është i përbashkët për debitorin dhe personat e tretë, përveç se kur del se ato janë të një personi tjetër.
    Për inventarizimin mbahet procesverbal.

  • Neni 542 - Përmbajtja e procesverbalit të inventarizimit
  • (Shtuar shkronja “c” me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 112)

    Procesverbali i inventarizimit duhet të përmbajë:

    a) shënimin e urdhrit të ekzekutimit, në bazë të të cilit vihet sekuestroja;
    b) emrin, emrin e atit dhe mbiemrin e përmbaruesit gjyqësor, të debitorit, kreditorit dhe të personave të tjerë që janë të pranishëm në inventarizim;
    c) vendin ku kryhet inventarizimi dhe koha e kryerjes së tij;
    ç) pretendimet e personave të tretë në lidhje me sendet e inventarizuara; d) përshkrimin e hollësishëm të sendeve dhe vlerësimin e tyre;
    dh) kujt i lihen për ruajtje sendet;
    e) nënshkrimin e personave që marrin pjesë në inventarizim.

  • Neni 543
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 113)

    Inventarizimi bëhet në prani të debitorit. Në mungesë të debitorit, inventarizimi bëhet në prani të një personi madhor të familjes së tij dhe, kur nuk ndodhet një person i tillë, në prani të një përfaqësuesi të njësisë së qeverisjes vendore. Në çdo rast inventarizimi bëhet duke qenë të pranishëm edhe dy dëshmitarë.

  • Neni 544 - Vlerësimi i sendeve të inventarizuara
  • Sendet e inventarizuara vlerësohen nga përmbaruesi gjyqësor në bazë të vlerësimeve të ekspertëve, në bazë të çmimeve të tregut, duke u zbritur përqindja përkatëse e konsumimit ose e vjetërsisë së tyre.

  • Neni 545 - Detyrimet e debitorit për sendet e lëna në ruajtje
  • Sendet e inventarizuara mund t’i lihen në ruajtje debitorit, i cili ka të drejtë edhe t’i përdorë, por me kusht që të mos pakësohet vlefta e tyre. Kur debitori refuzon t’i pranojë për ruajtje, përmbaruesi gjyqësor emëron në këtë detyrë një person tjetër, duke i caktuar këtij një shpërblim.
    Debitori ose personi i tretë, të cilëve u janë lënë në ruajtje sendet e inventarizuara, duhet të japin llogari për të ardhurat dhe shpenzimet e bëra për sendin. Këta janë përgjegjës, sipas dispozitave të Kodit Penal, për disponimin, dëmtimin ose shkatërrimin e tyre.

  • Neni 546 - Ekzekutimi mbi sendet në bashkëpronësi
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001,neni 114)

    Kur ekzekutimi bëhet mbi sendet që janë në bashkëpronësi të debitorit dhe të personave të tjerë, përmbaruesi gjyqësor, pasi bën inventarizimin e gjithë pasurisë së përbashkët, i bën kërkesë gjykatës kompetente të vendit të ekzekutimit, e cila cakton dhe ndan pjesën që i takon debitorit, sipas rregullave të parashikuara nga nenet 369-374 të këtij Kodi. Mbi këtë pjesë bëhet pastaj ekzekutimi nga përmbaruesi
    gjyqësor.

  • Neni 547 - Pavlefshmëria e disponimit pas vënies së sekuestros
  • Çdo disponim i sendit të luajtshëm nga ana e debitorit pas vënies së sekuestros është i pavlefshëm kundrejt kreditorëve që kanë kërkuar ekzekutimin, përveç kur me disponimin sendi ka kaluar në pronësi të një tjetri që ka qenë në mirëbesim (neni 166 i Kodit Civil).

  • Neni 548 - Sekuestrimi mbi sendet e çmueshme
  • Sendet e çmueshme si ari, argjendi, platini dhe metalet e grupit të platinit në shufra, copë, monedha dhe artikuj të bërë prej tyre, gurët e çmueshëm, margaritarët dhe artikujt e bërë prej tyre, si dhe valuta e huaj, dokumentet e pagesës në valutë të huaj si kambiale, çeqe, mandate e letra të tjera të kësaj natyre, si dhe tituj të huaj me vleftë, si aksione, obligacione e kuponat përkatës i jepen për ruajtje një banke.

  • Neni 549 - Procedura e shitjes
  • Përmbaruesi gjyqësor, pas vënies së sekuestros, i dërgon një lajmërim debitorit se sendet e sekuestruara do të shiten, në qoftë se brenda pesë ditëve ai nuk ekzekuton detyrimin.

  • Neni 550
  • Shitja e sendeve bëhet me anë të ankandit ose në dyqanet me shitje të lirë, ndërsa sendet e çmueshme (neni 548), të depozituara në bankë, i shiten asaj dhe merret kundërvlera e tyre nga përmbaruesi gjyqësor, në bazë të kursit zyrtar në kohën e pagesës së tyre.

  • Neni 551 - (shfuqizuar)
  • (Shfuqizuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 29)

  • Neni 552 - Caktimi i çmimit
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 30)

    Çmimi i sendit të sekuestruar caktohet nga përmbaruesi, në bashkëpunim me kreditorin dhe debitorin. Kur ka kundërshtime ndërmjet tyre, thirret një ekspert.

  • Neni 553 - Vlerësimi i ri i sendit
  • (Shtuar paragrafi I me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 115;
    ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 31)

    Përmbaruesi e dërgon sendin për shitje në dyqane me shitje të lirë. Caktimi i shpërblimit për shitjen bëhet në marrëveshje ndërmjet përmbaruesit gjyqësor dhe shitësit. Shpërblimi nxirret nga vlera e sendit të sekuestruar pas shitjes së tij.
    Në qoftë se brenda 2 muajve sendi nuk shitet në shitje të lirë, përmbaruesi gjyqësor, duke marrë edhe pëlqimin e palëve, vendos nëse duhet të vazhdojë me shitjen e lirë edhe për 30 ditë të tjera apo të kalojë në procedurë ankandi.

  • Neni 554 - Ankandi
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 116;
    ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 32)

    Përmbaruesi gjyqësor, pasi njofton palët se sendi, për shkak të natyrës ose të gjendjes, nuk mund të pranohet në shitje të lirë, organizon shitjen me ankand të sendit, sipas çmimit të përcaktuar në nenin 552 të këtij Kodi.

  • Neni 555
  • (Shtuar fjalia e parë me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 33)

    Çmimi fillestar i ankandit të parë është 80 për qind e çmimit të caktuar sipas nenit 552 të këtij ligji. Kur sendi shitet në ankand, përmbaruesi gjyqësor shpall në zyrën e tij, në vendin ku ndodhet sendi dhe në vendin e caktuar për shitjen në ankand, një lajmërim ku duhet të tregohet çmimi me të cilin do të fillojë shitja në ankand, vendi, dita dhe ora që do të bëhet shitja.
    Shitja nuk mund të bëhet para se të kenë kaluar pesë ditë nga shpallja.

  • Neni 556
  • Shitja në ankand e sendit bëhet ditën e caktuar në lajmërim dhe përfundon me mbarimin e orarit zyrtar të asaj dite.
    Blerës quhet ofertuesi që ka dhënë çmimin më të lartë. Blerësi duhet ta paguajë çmimin menjëherë.
    Në ankand nuk mund të marrin pjesë personat që tregohen në nenin 709 të Kodit Civil.
    Për të gjitha veprimet e shitjes në ankand mbahet procesverbal.

  • Neni 557 - Ankandi i dytë
  • (Ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 34)

    Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin e ri, jo më të ulët se 30 për qind të çmimit fillestar, të caktuar në ankandin e parë dhe cakton një ankand të dytë për shitjen e sendit.
    Në rast se në ankandin e dytë nuk është paraqitur asnjë ofertues, përmbaruesi i propozon në fillim kreditorit, që, kundrejt kredisë, të marrë sendin me çmimin e ankandit të dytë. Në rast se kreditori nuk pranon ta marrë sendin, përmbaruesi heq sekuestron mbi këtë send, duke ia kthyer atë debitorit dhe vijon procedurat përmbarimore mbi pasuri të tjera të tij.

  • Neni 558 - Radha e shitjes së sendeve në ankand
  • Debitori ka të drejtë të caktojë radhën, sipas së cilës duhet të shiten sendet në ankand. Në qoftë se nga shitja e një ose disa sendeve nxirret një shumë e cila mjafton për të shlyer kredinë e kreditorit dhe shpenzimet e tjera që kanë lidhje me kredinë, ankandi përfundon dhe sendet e tjera nuk shiten.

  • Neni 559 - Kalimi i pronësisë së sendit të shitur
  • Blerësi i sendit të shitur në dyqanin e shitjes me shitje të lirë ose në ankand bëhet pronar i tij edhe sikur sendi të mos ishte në pronësi të debitorit.
    Kundër shitjes nuk mund të bëhet ankim dhe as të kundërshtohet vlefshmëria e saj, përveç rastit të parashikuar nga paragrafi i tretë i nenit 556 të këtij Kodi.