Neni 610 - Kundërshtimi i veprimeve të përmbaruesit gjyqësor

(Shtuar paragrafi III me ligjin nr.8812, datë 17.5.2001, neni 125;
ndryshuar me ligjin nr.10 052, datë 29.12.2008, neni 49)

Kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor dhe kundër refuzimit të tij për të kryer një veprim, palët mund të bëjnë ankim në gjykatën që ekzekuton vendimin brenda 5 ditëve nga dita e kryerjes së veprimit apo refuzimit, kur palët kanë qenë të pranishme në kryerjen e veprimit ose kanë qenë thirrur edhe në raste të tjera nga dita që i është njoftuar ose ka marrë dijeni për veprimin ose refuzimin.
Kundër veprimeve të personave, përmbaruesit gjyqësorë, që ushtrojnë veprimtarinë publike të shërbimit përmbarimor gjyqësor të organizuar mbi baza private, pala debitore mund të paraqesë ankim në gjykatën, ku ekzekutohet titulli ekzekutiv, brenda 5 ditëve nga data e kryerjes së veprimit.
Ankimi shqyrtohet brenda 20 ditëve nga gjykata e vendit të ekzekutimit, e cila kur e sheh të nevojshme mund të thërrasë edhe palët.
Përmbaruesi gjyqësor thirret nga gjykata me cilësinë e palës së paditur.