DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

  • Neni 1 - Detyrat e legjislacionit procedural penal
  • 1. Legjislacioni procedural penal ka për detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve, të ndihmojë për forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve të shtetit.

  • Neni 2 - Respektimi i normave procedurale
  • 1. Dispozitat procedurale caktojnë rregullat për mënyrën e ushtrimit të ndjekjes penale, të hetimit dhe gjykimit të veprave penale, si dhe të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Këto rregulla janë të detyrueshme për subjektet e procedimit penal, për organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit.

  • Neni 3 - Pavarësia e gjykatës
  • 1. Gjykata është e pavarur dhe vendos në bazë të ligjit.

    2. Gjykata jep vendim në bazë të provave që shqyrtohen e verifikohen në seancë gjyqësore.

  • Neni 4 - Prezumimi i pafajësisë
  • 1. I pandehuri prezumohet i pafajshëm gjersa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. Çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit.

  • Neni 5 - Kufizimet e lirisë së personit
  • 1. Liria e personit mund të kufizohet me masa sigurimi vetëm në rastet dhe mënyrat e përcaktuara me ligj.

    2. Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit poshtërues.

    3. Të dënuarve me burgim u sigurohet trajtimi njerëzor dhe rehabilitimi moral.

  • Neni 6 - Sigurimi i mbrojtjes
  • 1. I pandehuri ka të drejtë të mbrohet vetë ose me ndihmën e mbrojtësit. Kur nuk ka mjete të mjaftueshme i sigurohet mbrojtja falas me avokat.

    2. Mbrojtësi ndihmon të pandehurin që t’i garantohen të drejtat procedurale dhe t’i ruhen interesat e tij ligjore.

  • Neni 7 - Ndalimi i gjykimit dy herë për të njëjtën vepër
  • 1. Askush nuk mund të gjykohet rishtas për të njëjtën vepër penale, për të cilën është gjykuar me vendim të formë së prerë, me përjashtim të rasteve kur është vendosur rigjykimi i çështjes nga gjykata kompetente.

  • Neni 8 - Përdorimi i gjuhës shqipe
  • 1. Në të gjithë fazat e procedimit përdoret gjuha shqipe.

    2. Personat që nuk dinë shqip përdorin gjuhën e tyre dhe, me anën e përkthyesit, kanë të drejtë të flasin e të marrin dijeni për provat e aktet, si dhe për zhvillimin e procedimit.

  • Neni 9 - Rivendosja e të drejtave
  • 1. Personave që procedohen në kundërshtim me ligjin ose dënohen pa të drejtë u kthehen të drejtat dhe shpërblehen për dëmin e pësuar.

  • Neni 10 - Zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare
  • 1. Marrëdhëniet me autoritetet e huaja në fushën penale rregullohen nga marrëveshjet ndërkombëtare, të pranuara nga shteti shqiptar, nga parimet dhe normat përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare, si dhe dispozitat e këtij Kodi.