SEKSIONI I - FUNKSIONET DHE PËRBËRJA E GJYKATAVE

  • Neni 11 - Funksionet e gjykatës
  • 1. Gjykata është organi që realizon dhënien e drejtësisë.

    2. Askush nuk mund të deklarohet fajtor dhe të dënohet për kryerjen e një vepre penale pa vendim të gjykatës.

  • Neni 12 - Gjykatat penale
  • Drejtësia penale jepet nga:
    a) gjykatat penale të shkallës së parë;
    b) gjykatat e apelit;
    c) Gjykata e Lartë.

  • Neni 13 - Gjykatat penale të shkallës së parë dhe përbërja e tyre
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)
    (Ndryshuar me ligjin nr.9911, datë 5.5.2008)

    1. Veprat penale gjykohen në shkallë të parë nga gjykatat e rretheve gjyqësore, gjykatat për krime të rënda dhe Gjykata e Lartë, sipas rregullave dhe përgjegjësive të caktuara në këtë Kod.

    2. Në gjykatat e shkallës së parë gjykohen nga një gjyqtar:
    a) kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake;
    b) kërkesat për ekzekutimin e vendimeve;
    c) kërkesat për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja.

    3. Gjykatat e rretheve gjyqësore dhe ato ushtarake gjykojnë me një gjyqtar veprat penale, për të cilat parashikohet dënim me gjobë ose me burgim në maksimum jo më shumë se 7 vjet. Veprat e tjera penale gjykohen me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.
    Gjykatat për krimet e rënda gjykojnë me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë, me përjashtim të kërkesave të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, që shqyrtohen nga një gjyqtar.

    4. Gjykimi i të miturve bëhet nga seksionet përkatëse, të krijuara në gjykatat e rretheve gjyqësore, të përcaktuara me dekret të Presidentit.

  • Neni 14 - Gjykatat e apelit dhe përbërja e tyre
  • (Ndryshuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)
    (Ndryshuar pika 3 me ligjin nr.9085, datë 19.6.2003)
    (Ndryshuar pika 3 me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004)
    (Shfuqizuar pika 2 me ligjin nr.9911, datë 5.5.2008)

    1. Gjykatat e apelit shqyrtojnë në shkallë të dytë, me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, çështjet e gjykuara nga gjykatat e rretheve gjyqësore.

    2. Shfuqizuar.

    3. Gjykata e apelit për krimet e rënda shqyrton në shkallë të dytë, me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë, çështjet e gjykuara nga gjykata për krimet e rënda. Gjykimet për kërkesat e parashikuara në pikën 2 të nenit 13 shqyrtohen me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

  • Neni 14/a - Gjykata e Lartë dhe përbërja e saj
  • (Shtuar me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Gjykata e Lartë gjykon në kolegje me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë dhe në kolegje të bashkuara.