strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - PROKURORI

  • Neni 24 - Funksionet e prokurorit
  • (Shtuar pika “5” me ligjin nr.8460, datë 11.2.1999
    dhe me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Prokurori ushtron ndjekjen penale, bën hetime, kontrollon hetimet paraprake, ngre akuzë në gjykatë dhe merr masa për ekzekutimin e vendimeve në përputhje me rregullat e caktuara në këtë Kod.

    2. Prokurori ka të drejtë të mos fillojë ose të pushojë procedimin penal në rastet e parashikuara në këtë Kod.

    3. Kur nuk është i domosdoshëm ankimi ose autorizimi për procedim, ndjekja penale ushtrohet kryesisht.

    4. Urdhrat dhe udhëzimet e prokurorit më të lartë janë të detyrueshme për prokurorin më të ulët.

    5. Prokurori më i lartë ka të drejtë të vendosë ndryshimin ose shfuqizimin e vendimeve të marra nga prokurori më i ulët me ankim ose kryesisht.

    _________________________________________

    Vendimi nr. 56, datë 29.1.2001 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

    Kolegji Penal i Gjyakatës së Lartë, në vendimin nr.56, datë 29.1.2001, ka konsideruar të paligjshëm një akt të një prokurori pranë Prokurorisë së Përgjithshme që shfuqizonte një vendim të pushimit të çështjes nga një prokuror rrethi me arsyetimin: “Të gjitha vendimet që merren gjatë fazës së hetimit paraprak, si ato për pushimin e çështjes, ashtu edhe ato për dërgimin e çështjes në gjykatë, janë vendime që meren nga titullari i organit të prokurorisë, pavarësisht nga mendimi dhe qëndrimi që mund të ketë prokurori që ndjek çështjen… prokurori më i lartë është, sipas rastit, prokurori i rrethit apo Prokurori i Përgjithshëm. Në këtë kuptim, prokurori më i lartë për prokurorin e rrethit lidhur me shfuqizimin e vendimeve të tij është Prokurori i Përgjithshëm, dhe jo çdo prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.”
    ___________________________________________

  • Neni 25 - Ushtrimi i funksioneve të prokurorit
  • 1. Funksionet e prokurorit ushtrohen:
    a) në hetimet paraprake dhe në gjykimet e shkallës së parë, nga prokurorët pranë gjykatave të shkallës së parë;
    b) në gjykimet e çështjeve të ankimuara, nga prokurorët pranë gjykatave të apelit dhe pranë Gjykatës së Lartë.

    2. Prokurori më i lartë ka të drejtë të ushtrojë kompetencat e prokurorit më të ulët.

    3. Në seancë gjyqësore prokurori ushtron funksionet e tij me pavarësi të plotë.

  • Neni 26 - Heqja dorë e prokurorit
  • 1. Prokurori ka për detyrë të heqë dorë kur ekzistojnë arsye njëanësie për rastet e parashikuara nga neni 17.

    2. Mbi deklarimin e heqjes dorë vendosin, sipas detyrave përkatëse, drejtuesi i prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë, i prokurorisë pranë gjykatës së apelit dhe Prokurori i Përgjithshëm. Për drejtuesit e prokurorive vendosin titullarët e prokurorive të një shkalle më lart.

    3. Me vendimin që pranon deklarimin e heqjes dorë, prokurori që ka hequr dorë zëvendësohet me një prokuror tjetër.

  • Neni 27 - Rastet e zëvendësimit të prokurorit
  • (Ndryshuar paragrafi I me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Drejtuesi i prokurorisë vendos zëvendësimin e prokurorit kur ekzistojnë arsye serioze që lidhen me detyrën, si dhe në rastet e parashikuara në nenet 16 dhe 17 paragrafi i parë shkronjat “a”, “b”, “ç”, “d” dhe “dh”. Në rastet e tjera prokurori zëvendësohet vetëm me pëlqimin e tij.

    2. Kur drejtuesi i prokurorisë nuk vendos, edhe pse janë rastet e parashikuara në paragrafin 1, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron zëvendësimin e prokurorit.

    3. Rregullat e caktuara për heqjen dorë dhe zëvendësimin e prokurorit zbatohen edhe për oficerin e policisë gjyqësore.

  • Neni 28 - Kalimi i akteve një prokurorie tjetër
  • 1. Kur gjatë hetimeve paraprake prokurori çmon se vepra penale është në kompetencën e një gjykate të ndryshme nga ajo pranë së cilës ushtron funksionet e tij, ia kalon menjëherë aktet prokurorisë pranë gjykatës kompetente.

    2. Prokurori që ka marrë aktet, në qoftë se çmon se duhet të procedojë prokuroria që ia ka dërguar aktet, njofton Prokurorin e Përgjithshëm, i cili, pasi shqyrton aktet, cakton se cila prokurori duhet të procedojë dhe njofton prokuroritë e interesuara.

    3. Veprimet hetimore të kryera para kalimit ose caktimit të bërë sipas paragrafit 1 dhe 2, janë të vlefshme dhe mund të përdoren në rastet dhe në mënyrat e parashikuara nga ligji.

  • Neni 29 - Kërkimi i akteve nga një prokurori tjetër
  • 1. Kur prokurori merr dijeni se pranë një prokurorie tjetër janë duke u zhvilluar hetime paraprake në ngarkim të të njëjtit person dhe për të njëjtin fakt, në lidhje me të cilin ai procedon, njofton pa vonesë atë prokurori, duke i kërkuar dërgimin e akteve.

    2. Prokurori që ka marrë kërkesën, kur nuk është dakord me të, informon Prokurorin e Përgjithshëm, i cili pasi të ketë marrë të dhënat e nevojshme, vendos, sipas rregullave, mbi kompetencën e gjykatës se cila prokurori duhet të procedojë dhe njofton prokuroritë e interesuara.
    Prokurorisë së caktuar i dërgohen menjëherë aktet nga prokuroria tjetër.

    3. Aktet e hetimit paraprak të kryera nga prokurori të ndryshme janë të përdorshme në rastet dhe në mënyrat e parashikuara nga ligji.