strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU IV - I PANDEHURI

  • Neni 34 - Marrja e cilësisë së të pandehurit
  • (Shtuar një paragraf në pikën 1, me ligjin nr. 8460, datë 11.2.1999)
    (Shtuar pika 4 me ligjin nr.8813, datë 13.6.2002)

    1. Merr cilësinë e të pandehurit personi të cilit i atribuohet vepra penale me aktin e njoftimit të akuzës, në të cilin tregohen të dhënat e mjaftueshme për marrjen si të pandehur. Ky akt i njoftohet të pandehurit dhe mbrojtësit të tij.
    Kur pas marrjes së një personi si të pandehur dalin të dhëna të reja që ndryshojnë akuzën e paraqitur ose e plotësojnë atë, prokurori merr vendim, të cilin ia njofton të pandehurit.

    2. Cilësia e të pandehurit ruhet në çdo gjendje dhe shkallë të procesit derisa të ketë marrë formë të prerë vendimi i pushimit, i pafajësisë ose i dënimit.

    3. Cilësia e të pandehurit rimerret kur prishet vendimi i pushimit ose kur vendoset rishqyrtimi i procesit.

    4. Dispozitat, që zbatohen për të pandehurin, zbatohen edhe për personin nën hetim, me përjashtim të rasteve kur ky Kod parashikon ndryshe. Ndaj këtij personi shtrihen edhe të drejtat dhe garancitë që janë parashikuar për të pandehurin.

  • Neni 35 - Ndihma që i jepet të pandehurit të mitur
  • 1. Të pandehurit të mitur i sigurohet ndihmë juridike dhe psikologjike, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, me praninë e prindit ose të personave të tjerë të kërkuar nga i mituri dhe të pranuar nga autoriteti që procedon.

    2. Organi procedues mund të kryejë veprime dhe të përpilojë akte, për të cilat kërkohet pjesëmarrja e të miturit, pa praninë e personave të treguar në paragrafin 1, vetëm kur një gjë e tillë është në interes të të miturit ose kur vonesa mund të dëmtojë rëndë procedimin, por gjithmonë në praninë e mbrojtësit.

  • Neni 36 - Ndalimi i përdorimit si dëshmi i deklarimeve të të pandehurit
  • 1. Deklarimet e bëra gjatë procedimit nga i pandehuri nuk mund të përdoren si dëshmi.

  • Neni 37 - Deklarimet që tregojnë vetëpërgjegjësi
  • 1. Kur para autoritetit procedues një person, që nuk është marrë si i pandehur, bën deklarime, nga të cilat dalin të dhëna për inkriminim në ngarkim të tij, autoriteti procedues ndërpret pyetjen, duke e paralajmëruar se pas këtyre deklarimeve mund të zhvillohen hetime ndaj tij dhe e fton të caktojë një mbrojtës. Deklarimet e mëparshme nuk mund të shfrytëzohen kundër personit që i ka bërë.

  • Neni 37/a - Bashkëpunimi me drejtësinë
  • (Shtuar me ligjin nr.9276, datë 16.9.2004, neni 3)

    1. Personi nën hetim ose i pandehuri, që akuzohet për një krim të rëndë, të kryer në bashkëpunim, kur bashkëpunon me prokurorin dhe gjykatën, duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat, që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin, gjykimin dhe parandalimin e krimeve të rënda dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre.
    Për dënimin e tij zbatohen rregullat e përcaktuara në nenin 28 të Kodit Penal.

    2. Kushtet e bashkëpunimit caktohen në marrëveshjen e mbrojtjes, të hartuar sipas dispozitave të posaçme ligjore për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

    3. Kur marrëveshja e bashkëpunimit realizohet gjatë gjykimit, gjykata që shqyrton çështjen vendos uljen e masës së dënimit ose përjashtimin nga dënimi, sipas nenit 28 të Kodit Penal. Kur bashkëpunimi realizohet gjatë ekzekutimit të vendimit të dënimit, bashkëpunëtori i drejtësisë mund të kërkojë nga gjykata që e ka dënuar ose nga ajo e vendit të ekzekutimit ndryshimin e dënimit të dhënë. Gjykata vendos pasi merr edhe mendimin e prokurorit.

    4. Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet kur bashkëpunëtori i drejtësisë shkel kushtet e përcaktuara ose bën deklarime të rreme.

  • Neni 38 - Rregulla të përgjithshme për marrjen në pyetje
  • 1. I pandehuri, edhe kur është me masë sigurimi izoluese ose kur i është hequr liria për çdo lloj shkaku tjetër, merret në pyetje i lirë, përveç rasteve kur duhen marrë masa për të parandaluar rrezikun e ikjes ose të dhunës.

    2. Nuk mund të përdoren, as me pëlqimin e të pandehurit, metoda ose teknika për të ndikuar mbi lirinë e vullnetit ose për të ndryshuar aftësinë e kujtesës e të vlerësimit të fakteve.

    3. Para se të ketë filluar pyetja, të pandehurit i shpjegohet se ka të drejtë të mos përgjigjet dhe se edhe po të mos përgjigjet, procedimi do të vazhdojë.

  • Neni 39 - Pyetja në themel
  • 1. Organi procedues i shpjegon të pandehurit, në formë të qartë dhe të përpiktë, faktin që i atribuohet, e njeh me provat që ekzistojnë kundër tij dhe, kur hetimet nuk dëmtohen, i tregon burimet e tyre.

    2. Organi procedues e fton atë të shpjegojë gjithçka që çmon të dobishme për mbrojtjen e tij dhe i bën drejtpërsëdrejti pyetje.

    3. Kur i pandehuri nuk pranon të përgjigjet kjo shënohet në procesverbal. Në procesverbal shënohen, kur është e nevojshme, edhe tiparet fizike dhe shenjat e veçanta eventuale të të pandehurit.

  • Neni 40 - Verifikimi i identitetit personal të të pandehurit
  • 1. Me paraqitjen e të pandehurit organi që procedon e fton atë të deklarojë gjeneralitetet dhe gjithçka tjetër që mund të vlejë për identifikimin e tij, duke e paralajmëruar për pasojat që ka ai që refuzon të japë gjeneralitetet e tij ose kur i jep ato të rreme, me përjashtim të rasteve kur ky deklarim nënkupton vetëfajësi.

    2. Pamundësia për t’i atribuar të pandehurit gjeneralitetet e tij të sakta nuk pengon kryerjen e veprimeve nga ana e organit procedues, kur është i sigurt identiteti fizik i personit.

    3. Gjeneralitetet e gabuara që i janë atribuar të pandehurit ndreqen me vendim të organit që procedon.

  • Neni 41 - Verifikimi i moshës së të pandehurit
  • 1. Në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, kur ka arsye për të besuar se i pandehuri është i mitur, organi procedues bën verifikimet e nevojshme dhe kur është rasti urdhëron ekspertimin.

    2. Kur, edhe pas verifikimeve dhe ekspertimit, mbeten dyshime për moshën e të pandehurit, prezumohet se ai është i mitur.

  • Neni 42 - Verifikime për personalitetin e të pandehurit të mitur
  • 1. Organi procedues merr të dhëna për kushtet e jetesës personale, familjare dhe shoqërore të të pandehurit të mitur me qëllim që të sqarojë përgjegjshmërinë dhe shkallën e përgjegjësisë, të vlerësojë rëndësinë shoqërore të faktit si dhe të caktojë masa të përshtatshme penale.

    2. Organi procedues mbledh informacione nga personat që kanë patur marrëdhënie me të miturin dhe dëgjon mendimin e ekspertëve.

  • Neni 43 - Verifikimet për përgjegjshmërinë e të pandehurit
  • 1. Kur ka arsye të çmohet se për shkak të sëmundjes mendore të shkaktuar pas ngjarjes i pandehuri nuk është në gjendje të marrë pjesë me vetëdije në procedim, gjykata vendos, edhe kryesisht, ekspertimin.

    2. Gjatë kohës që vazhdon ekspertimi, gjykata, me kërkesën e mbrojtësit, merr provat që mund të çojnë në pafajësinë e të pandehurit, dhe kur vonesa paraqet rrezik, çdo provë tjetër të kërkuar nga palët.

    3. Kur nevoja e përcaktimit të përgjegjshmërisë del gjatë hetimeve paraprake, ekspertimi urdhërohet nga prokurori kryesisht ose me kërkesën e të pandehurit apo të mbrojtësit të tij.

    Ndërkohë prokurori kryen vetëm veprimet që nuk kërkojnë pjesëmarrjen e vetëdijshme të të pandehurit. Kur vonesa paraqet rrezik, mund të merren prova vetëm në rastet e parashikuara për sigurimin e provës.

  • Neni 44 - Pezullimi i procedimit për shkak të papërgjegjshmërisë së të pandehurit
  • 1. Kur del se gjendja mendore e të pandehurit është e tillë që pengon pjesëmarrjen e vetëdijshme në procedim, organi që procedon merr vendim për pezullimin e procedimit, por gjithnjë kur nuk duhet të merret vendim pafajësie ose pushimi. Me vendimin e pezullimit organi që procedon i cakton të pandehurit një kujdestar të posaçëm, të cilit i jepen të drejtat e përfaqësuesit ligjor.

    2. Kundër vendimit të pezullimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë nga prokurori, i pandehuri ose mbrojtësi i tij.

    3. Pezullimi nuk pengon organin procedues që të marrë prova që mund të çojnë në pafajësinë e të pandehurit dhe kur vonesa paraqet rrezik, çdo provë tjetër të kërkuar nga palët. Në veprimet që duhet të kryhen rreth personit të të pandehurit, si dhe në ato ku i pandehuri ka të drejtë të jetë i pranishëm merr pjesë kujdestari i posaçëm i tij.

  • Neni 45 - Revokimi i vendimit të pezullimit
  • 1. Vendimi i pezullimit revokohet kur del se gjendja mendore e të pandehurit lejon pjesëmarrjen e vetëdijshme në procedim ose kur i pandehuri duhet tëdeklarohet i pafajshëm apo çështja të pushohet.

  • Neni 46 - Masat mjekësore të detyrueshme
  • 1. Në çdo rast kur gjendja mendore e të pandehurit tregon se ai duhet të kurohet, gjykata, vendos, edhe kryesisht shtrimin e të pandehurit në një institucion psikiatrik.

    2. Kur është vendosur ose duhet vendosur masa mjekësore e detyrueshme për të pandehurin, gjykata urdhëron që i pandehuri të ruhet në një institucion psikiatrik.

    3. Gjatë hetimeve paraprake, prokurori i kërkon gjykatës të vendosë për shtrimin e të pandehurit në një institucion psikiatrik dhe kur vonesa paraqet rrezik, urdhëron shtrimin e përkohshëm deri në marrjen e vendimit nga gjykata.

  • Neni 47 - Vdekja e të pandehurit
  • 1. Kur rezulton vdekja e të pandehurit, organi procedues, në çdo gjendje e shkallë të procedimit, pasi dëgjon mbrojtësin, vendos pushimin e çështjes.

    2. Vendimi nuk pengon ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, kur më pas vërtetohet se ai nuk ka vdekur.