Neni 49 - Mbrojtësi i caktuar

1. I pandehuri që nuk ka zgjedhur mbrojtës ose që ka mbetur pa të, ndihmohet nga një mbrojtës i caktuar nga organi që procedon, në qoftë se e kërkon atë.

2. Kur i pandehuri është nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç ose me të meta fizike a psikike që e pengojnë për të realizuar vetë të drejtën e mbrojtjes, ndihma nga një mbrojtës është e detyrueshme.

3. Këshilli drejtues i dhomës së avokatëve vë në dispozicion të autoriteteve proceduese listat e avokatëve dhe vendos kriteret për caktimin e tyre.

4. Gjykata, prokurori dhe policia gjyqësore, kur duhet të kryejnë një veprim për të cilin parashikohet ndihma e mbrojtësit dhe kur i pandehuri është pa mbrojtës, njoftojnë për këtë veprim mbrojtësin e caktuar.

5. Kur kërkohet prania e mbrojtësit dhe mbrojtësi i zgjedhur ose i caktuar nuk është siguruar, nuk është paraqitur ose e ka lënë mbrojtjen, gjykata ose prokurori cakton si zëvendësues një mbrojtës tjetër, i cili ushtron të drejtat dhe merr përsipër detyrimet e mbrojtësit.

6. Mbrojtësi i caktuar mund të zëvendësohet vetëm për shkaqe të përligjura. Ai i pushon funksionet kur i pandehuri zgjedh mbrojtësin e tij.

7. Kur i pandehuri nuk ka mjete të mjaftueshme, shpenzimet e bëra për mbrojtjen paguhen nga shteti.