Neni 59 - I dëmtuari akuzues

(Shtuar pika 3 me ligjin nr.8813, 13.6.2002;
Shtesë në pikën 1 me ligjin nr. 10054, datë 29.12.2008)

1. Ai që është dëmtuar nga veprat penale të parashikuara nga
nenet 90, 91, 92, 112 paragrafi i parë, 119,119/b, 120, 121, 122, 125, 127, 148, 149 dhe 254 të Kodit Penal ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit.

2. Prokurori merr pjesë në gjykimin e këtyre çështjeve dhe, sipas rastit, kërkon dënimin e të pandehurit ose pafajësinë e tij.

3. Nëse i dëmtuari akuzues ose mbrojtësi i caktuar prej tij nuk paraqitet në seancë pa shkaqe të arsyeshme, gjykata vendos pushimin e gjykimit.

________________________________________________
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr.39, datë 23.6.2000

Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr.39, datë 23.6.2000, ka interpretuar paragrafin e dytë të nenit 73 të Kushtetutës, duke vendosur: “Për çështjet e parashikuara nga neni 59 i Kodit të Procedurës Penale, kërkesa për marrjen autorizim për ndjekjen penale të personave që gëzojnë imunitet i drejtohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nga vetë gjykata pranë së cilës është depozituar kërkesa e të dëmtuarit akuzues.”

Në vendimin e Gjykatatës Kushtetuese arsyetohet se për këto çështje “fillimi i ndjekjes penale është në kompetencë të gjykatës”,… “kërkesën për marrjen e autorizimit ka të drejtë ta bëjë vetëm gjykata, pa pasur nevojë për ndihmën ose ndërhyrjen e prokurorit”,… “Gjykata e zakonshme është i vetmi organ procedues për veprat penale që ndiqen mbi kërkesën e të dëmtuarit akuzues”,… “gjatë gjykimit të këtyre çështjeve prokurori nuk është palë në debatin gjyqësor”.