KREU I - JURIDIKSIONI

  • Neni 69 - Juridiksioni penal
  • 1. Juridiksioni penal ushtrohet nga gjykatat penale sipas rregullave të caktuara në këtë Kod.

    2. Gjykata penale shqyrton gjithçka që është e nevojshme për marrjen e vendimit dhe vendos sipas rregullave të caktuara me ligj.

  • Neni 70 - Efektet e vendimit penal për gjykimin civil dhe administrativ
  • 1. Vendimi penal i formës së prerë është i detyrueshëm për gjykatën që shqyrton pasojat civile të veprës vetëm përsa i përket faktit nëse vepra penale është kryer dhe nëse është kryer nga i gjykuari.

    2. Vendimi penal që zgjidh rastësisht një fakt që lidhet me një çështje civile, administrative ose penale nuk ka efekt detyrues në asnjë proces tjetër.

  • Neni 71 - Pasojat e procedimit civil dhe administrativ për atë penal
  • 1. Vendimi civil i formës së prerë është i detyrueshëm për gjykatën që gjykon çështjen penale vetëm përsa i përket faktit nëse vepra ka ndodhur ose jo, por jo për fajësinë e të pandehurit.

    2. Kur vendimi penal varet nga zgjidhja e një mosmarrëveshje mbi gjendjen familjare ose mbi shtetësinë, për të cilën ka filluar një procedim pranë gjykatës kompetente, gjykata penale mund të vendosë, edhe kryesisht, pezullimin e shqyrtimit gjyqësor derisa mosmarrëveshja të zgjidhet me vendim të formës së prerë. Pezullimi nuk pengon kryerjen e veprimeve të ngutshme.

  • Neni 72 - Mungesa e juridiksionit
  • 1. Mungesa e juridiksionit ngrihet, edhe kryesisht, në çdo gjendje dhe shkallë të gjykimit.
    Gjykata jep vendim dhe urdhëron, kur është rasti, dërgimin e akteve organit kompetent.

    2. Kur mungesa e juridiksionit ngrihet gjatë hetimeve paraprake prokurori që procedon vendos dërgimin e akteve gjykatës kompetente për të vendosur.

  • Neni 73 - Mosmarrëveshjet për juridiksionin
  • 1. Kur ka mosmarrëveshje për juridiksionin, gjykata që e ngre atë merr vendim, të cilin bashkë me kopjen e akteve të nevojshme për zgjidhjen e saj ia dërgon Gjykatës së Lartë, duke treguar palët dhe mbrojtësit.

    2. Zbatohen dispozitat e seksionit IV të kreut II të këtij titulli.