strict warning: Only variables should be passed by reference in /mnt/target02/344557/353664/www.ligjet.com/web/content/modules/book/book.module on line 559.

KREU II - NJOFTIMET

  • Neni 132 - Organet dhe format e njoftimeve
  • 1. Njoftimet e akteve bëhen nga ftuesi gjyqësor ose nëpërmjet shërbimit postar.

    2. Gjyqtari, kur e çmon të nevojshme, mund të urdhërojë që njoftimet të bëhen nga policia gjyqësore.

    3. Kur kopja e aktit i dorëzohet të interesuarit nga ana e sekretarisë së gjykatës, ajo ka vlerën e njoftimit. Në këtë rast sekretari i gjykatës bën shënim në aktin origjinal për dorëzimin dhe për datën.

    4. Njoftimet që u bëhen nga gjykata të interesuarve në praninë e tyre shënohen në procesverbal.

  • Neni 133 - Njoftimet urgjente me telefon, telegraf dhe faks
  • 1. Gjykata në raste të ngutshme mund të urdhërojë që personat e kërkuar nga palët, përveç të pandehurit, të lajmërohen me telefon nga sekretaria e gjykatës ose nga policia gjyqësore. Në origjinalin e lajmërimit shënohet numri i telefonit të kërkuar, emri dhe detyra që kryen personi që merr njoftimin, marrëdhëniet e tij me atë që njoftohet,data dhe ora e telefonatës.

    2. Njoftimi me telefon ka vlerë nga çasti kur është bërë, por gjithnjë kur është marrë edhe konfirmimi i marrësit me anë telegrami.

    3. Njoftimi mund të bëhet edhe nëpërmjet telegramit dhe faksit.

    4. Gjykata, në rrethana të veçanta, mund të disponojë, me urdhër të arsyetuar në fund të aktit, që njoftimi i një personi, përveç të pandehurit, të bëhet duke përdorur mjete teknike të përshtatshme që garantojnë njoftimin.

  • Neni 134 - Njoftimi i akteve të prokurorit
  • 1. Njoftimi i akteve të prokurorit, gjatë hetimeve paraprake, bëhet nga policia gjyqësore ose nëpërmjet shërbimit postar, në format e parashikuara nga neni 133.

    2. Dorëzimi i kopjes së aktit të interesuarit nga ana e sekretarisë ka vlerën e njoftimit.
    Dorëzuesi shënon në origjinalin e aktit faktin e dorëzimit dhe datën.

    3. Lajmërimet e bëra verbalisht nga prokurori zëvendësojnë njoftimet, me kusht që ky fakt të shënohet në procesverbal.

  • Neni 135 - Njoftimet nga palët private
  • 1. Njoftimet nga palët mund të bëhen edhe me dërgimin e kopjes së aktit nga përfaqësuesit e tyre nëpërmjet letrës rekomande me lajmërim marrje.

  • Neni 136 - Njoftimet për prokurorin
  • 1. Njoftimet për prokurorin bëhen edhe drejtpërsëdrejti nga palët, mbrojtësit ose përfaqësuesit e tyre nëpërmjet dorëzimit të kopjes së aktit në sekretari. Ai që e merr në dorëzim shënon në origjinal dhe në kopjen e aktit gjeneralitetet e atij që ka bërë dorëzimin dhe datën.

  • Neni 137 - Njoftimet për palët private
  • 1. Njoftimet për personin e dëmtuar nga vepra penale bëhen njëlloj si për rastet kur njoftohet për herë të parë i pandehuri i lirë. Kur nuk dihen vendet e treguara në nenin 140, njoftimi bëhet me depozitimin e aktit në sekretari. Kur nga aktet del se vendbanimi ose vendqëndrimi i tij ndodhen jashtë shtetit, ai ftohet me anën e letrës rekomande me lajmërim marrje, me të cilën të deklarojë ose të zgjedhë banesën në territorin e shtetit shqiptar. Kur pas njëzet ditëve nga marrja e letrës rekomande nuk bëhet deklarimi ose zgjedhja e banesës, njoftimi bëhet me anën e depozitimit të aktit në sekretari.

    2. Njoftimi i thirrjes së parë për të paditurin civil bëhet në format e caktuara për njoftimin e parë të të pandehurit të lirë.

    3. Njoftimet për paditësin civil dhe të paditurin civil bëhen pranë përfaqësuesve të tyre.

  • Neni 138 - Njoftimet nëpërmjet shpalljes publike për personat e dëmtuar
  • 1. Kur njoftimi i personave të dëmtuar është i vështirë për shkak të numrit të tyre ose pamundësisë së identifikimit të disave prej tyre, gjykata mund të urdhërojë që ai të bëhet nëpërmjet shpalljes publike.

    2. Njoftimi quhet i bërë kur ftuesi i gjykatës depoziton në sekretari një kopje të aktit bashkë me dokumentet që vërtetojnë shpalljen publike.

  • Neni 139 - Njoftimi i të pandehurit të burgosur
  • 1. Njoftimi për të pandehurin e burgosur bëhet në vendin e burgimit duke i dorëzuar atij aktin.

    2. Kur i pandehuri refuzon të marrë kopjen e aktit ose kur ai mungon për shkaqe të justifikuara, akti i dorëzohet përgjegjësit të institucionit, i cili për rastin e fundit njofton të interesuarin me mjetin më të shpejtë.

    3. Dispozitat e mësipërme zbatohen edhe kur i pandehuri është i paraburgosur për një akuzë tjetër ose është duke vuajtur dënimin me burgim.

    4. Kur i burgosuri lirohet për shkak të ndryshimit të masës së sigurimit, ai detyrohet të deklarojë ose të zgjedhë banesën. Kjo gjë shënohet në aktin e lirimit dhe i njoftohet autoritetit procedues. Kur njoftimi në banesën e deklaruar ose të zgjedhur nuk mund të bëhet, atëherë akti i dorëzohet mbrojtësit.

  • Neni 140 - Njoftimi i të pandehurit të lirë
  • 1. Njoftimi i të pandehurit në gjendje të lirë bëhet duke i dorëzuar atij kopjen e aktit. Kur nuk mund t’i dorëzohet personalisht, njoftimi bëhet në banesën e tij ose në vendin e punës, duke ia dorëzuar aktin një personi që bashkëjeton me të ose një fqinji, ose një personi që punon me të.

    2. Kur vendet e treguara në paragrafin 1 nuk dihen, njoftimi bëhet në vendin ku i pandehuri ka banimin e përkohshëm ose vendin ku qëndron më shpesh, duke ia dorëzuar atë njërit prej personave të treguar në paragrafin 1.
    3. Kopja e njoftimit nuk mund t’i dorëzohet një të mituri nën 14 vjeç ose një personi me paaftësi të dukshme intelektuale.
    4. Kur personat e treguar në paragrafin 1 mungojnë ose nuk janë të përshtatshëm, ose refuzojnë të marrin aktin atëherë procedohet me kërkimin e të pandehurit në vende të tjera. Në rast se edhe në këtë mënyrë nuk mund të bëhet njoftimi, akti depozitohet në qendrën administrative të lagjes ose të fshatit ku i pandehuri banon ose punon. Lajmërimi i depozitimit afishohet në portën e shtëpisë së të pandehurit ose të vendit ku punon. Ftuesi gjyqësor e lajmëron
    atë për depozitimin me letër rekomande me lajmërim marrje. Efektet e njoftimit rrjedhin që nga marrja e rekomandesë.
    5. Njoftimi i të pandehurit që kryen shërbimin ushtarak bëhet duke i dorëzuar aktin atij vetë dhe kur nuk mund të bëhet dorëzimi, akti i njoftohet komandës e cila detyrohet të lajmërojë menjëherë të interesuarin.
    6. I pandehur është i detyruar të njoftojë autoritetin procedues për çdo ndryshim të banesës të deklaruar ose të zgjedhur me telegram ose me letër rekomande.

    ______________________________________________

    Vendimet nr.9, datë 22.2.2001; nr.17, datë 4.4.2001 dhe nr.23, datë 23.4.2001 të Gjykatës Kushtetuese
    Në vendimin nr.9, datë 22.2.2001, Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar: “Gjykata e apelit dhe gjykata e rrethit kanë zhvilluar një proces jo të rregullt gjyqësor. Gjykimet janë zhvilluar pa njohur të pandehurin ose avokatin e tij, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës
    Penale … Ndërsa prokuroria ka paraqitur ankim, kopja e këtij ankimi nuk i është dërguar kërkuesit sipas mënyrës dhe vendit të parashikuar në nenin 140 të Kodit të Procedurës Penale për të pandehurin e lirë. Për më tepër gjykata e apelit nuk ka caktuar as mbrojtës kryesisht, por ka dëgjuar vetëm prokurorin…”

  • Neni 141 - Njoftimi i të pandehurit kur nuk gjendet
  • 1. Kur njoftimi nuk mund të bëhet sipas rregullave të caktuara për njoftimin e të pandehurit të lirë, autoriteti procedues urdhëron kërkimin e të pandehurit. Në qoftë se kërkimi nuk jep rezultat pozitiv, atëherë nxirret vendimi i mosgjetjes, me të cilin, pasi i caktohet një mbrojtës të pandehurit, urdhërohet që njoftimi të bëhet duke i dorëzuar një kopje mbrojtësit. I pagjeturi përfaqësohet nga mbrojtësi.

    2. Vendimi i mosgjetjes i pushon efektet kur përfundojnë hetimet paraprake ose me dhënien e vendimit nga gjykata.

    3. Njoftimi për të pandehurin e fshehur ose të arratisur bëhet nëpërmjet dorëzimit të kopjes së aktit mbrojtësit dhe kur ai nuk ka mbrojtës autoriteti procedues cakton një mbrojtës kryesisht, i cili e përfaqëson të pandehurin.

    Vendimi nr. 31, datë 14.7.1998 i Gjykatës Kushtetuese
    “Në mbrojtje të të drejtave të të pandehurit si në prani, ashtu edhe në mungesë të tij, prokurori, gjyqtari dhe mbrojtësi kanë një seri detyrimesh ligjore. Hetimi dhe gjykimi në mungesë i personave që kanë kryer vepra penale, bëhet vetëm pasi t’u jetë caktuar mbrojtës dhe ka për qëllim realizimin e detyrës madhore që kanë organet e drejtësisë në fushën penale.”

  • Neni 142 - Njoftimi i të pandehurit jashtë shtetit
  • 1. Kur vendbanimi ose qëndrimi i të pandehurit jashtë shtetit është i njohur, autoriteti procedues i dërgon atij letër rekomande me lajmërim marrje, me të cilën e njofton për veprën penale që akuzohet dhe i kërkon të deklarojë ose të zgjedhë banesën në territorin shqiptar. Në qoftë se pas tri ditëve nga marrja e letrës rekomande nuk bëhet deklarimi ose zgjedhja e banesës ose kur kjo nuk lajmërohet, njoftimi bëhet nëpërmjet dorëzimit te mbrojtësi.

    2. Kur del se nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të vepruar sipas paragrafit 1, autoriteti procedues, para se të nxjerrë vendimin e mosgjetjes, urdhëron të bëhen kërkime edhe jashtë territorit të shtetit sipas rregullave të caktuara në marrëveshjet ndërkombëtare.

  • Neni 143 - Pavlefshmëria e njoftimeve
  • 1. Njoftimi është i pavlefshëm:
    a) kur akti është njoftuar jo i plotë, me përjashtim të rasteve kur ligji lejon njoftimin me ekstrakt;
    b) kur në kopjen e aktit të njoftuar mungon nënshkrimi i atij që ka bërë njoftimin;
    c) kur janë shkelur dispozitat e veçanta mbi personin të cilit duhet t’i dorëzohet kopja;
    ç) kur nuk është bërë afishimi i njoftimit për të pandehurin në gjendje të lirë;
    d) kur në origjinalin e aktit të njoftuar mungon nënshkrimi i personit që ka marrë përsipër njoftimin, sipas nenit 140 paragrafi 1;
    dh) kur nuk janë respektuar format për njoftimin me mjete teknike të veçanta dhe që për këtë shkak ai që duhej njoftuar nuk ka ardhur në dijeni të aktit.